Shkup, 4 janar – Shtyrja e fillimit të bisedimeve të pranimit për Maqedoninë dhe Shqipërinë zgjeron listën e “arsyeve” të përmendura nga zyrtarët e BE-së për bllokimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Vlerësimeve tashmë të njohura të situatës në rajon për mungesë të shtetit ligjor, korrupsion dhe krim të lartë, mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe lirive demokratike, i shtohet edhe një arsye joformale, e ajo është fuqia e lirë punëtore që vjen nga vendet e Ballkanit. Në momente sinqeriteti, kryeministri slloven Janez Jansa, në fjalën e tij përmbyllëse gjatë presidencës sllovene të Bashkimit Evropian, citoi një lider evropian të paidentifikuar i cili e pyeti publikisht në seancat e përbashkëta të institucioneve evropiane “pse do t’i fusnin në BE kur kështu janë më të lirë si fuqi puntore”. Jansha tha këtë në një intervistë për Radio Televizionin Slloven, duke shpjeguar se mendjengushtësia dhe interesat “nacionaliste” mbizotërojnë mbi vizionin për një Evropë të lirë, paqësore dhe të bashkuar midis disa anëtarëve më të vjetër.
Sllovenia, gjatë presidencës së Këshillit të BE-së, ka zgjedhur të rifusë termin “perspektivë anëtarësimi” në dokumente, në vend të “perspektivë evropiane” për Ballkanin dhe Fqinjësinë Lindore të Evropës, sipas kryeministrit slloven Janez Jansa. Deklarata e tij jep një pasqyrë më të qartë të rezistencës së fortë të disa prej vendeve anëtare të Bashkimit, ose, siç shprehet Jansa, të oportunizmit në Bruksel kur bëhet fjalë për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Mosgatishmëria e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj deri më tani është maskuar me mjeshtëri duke dhënë rekomandime për vazhdimin e reformave të brendshme ose, në rastin tonë, për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, në radhë të parë me Bullgarinë, transmeton Zhurnal.
Në fund të vitit, ministri i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell, tha se në vitin 2021 ka pasur një rritje të përshkallëzimit dhe retorikës së ndarjeve në Ballkanin Perëndimor, gjë që, sipas tij, ishte pengesë për vendet e rajonit në afrimin e tyre drejt së ardhmes evropiane!
Burime nga Bashkimi Evropian, siç raportojnë mediat e vendeve fqinje, thonë se vitin e ardhshëm duhet parë sesi Brukseli, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, mund të bëjë më shumë për të nxjerrë Ballkanin Perëndimor nga ngërçi në të cilin u gjend disa vite. Diplomatët evropianë bëjnë të ditur se në fillim të vitit të ri do të shihet se cila do të jetë politika e qeverisë së re gjermane, e cila i kushton interes të veçantë situatës në Ballkan. Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili pritet të kandidojë në zgjedhjet e prillit, gjithashtu pritet të bëjë më shumë për rajonin, tha ai kur shpalli programin e presidencës franceze të Unionit nga 1 janari.
Përparim më i madh në zhbllokimin e procesit të zgjerimit pritet me marrjen e presidencës evropiane nga Çekia, thonë diplomatët evropianë. Ish-ministri çek Jakub Kulhanek, ashtu si shumë vende të tjera të BE-së, konsideron se “bllokimi i aspiratës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor është dritëshkurtër, sidomos kur forcohen vlerësimet se Evropa nuk mund të lejojë luksin të ketë një vakum gjeopolitik dhe një vrimë e zezë në Ballkan, e cila më vonë do të mbushet nga aktorë të tjerë”. Në atë drejtim është edhe deklarata e fundit e Janez Janshës, i cili tha se “nëse BE-ja nuk zgjerohet në Ballkan, do të zgjerohen edhe të tjerat”.
Ish-zëvendëskryeministri maqedonas për integrime evropiane dhe ambasadori Ivica Bocevski thekson faktin se “mungesa gjithnjë e më e dukshme e perspektivës evropiane në Ballkanin Perëndimor është për shkak të klisheve në të cilat kanë rënë politikat e BE-së për rajonin”, transmeton Zhurnal.
- Integrimi evropian i vendeve të rajonit është sjellë realisht në një gjendje të mungesës së perspektivës. Historia e Maqedonisë me datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE është bërë groteske. Negociatat mes Serbisë dhe Malit të Zi sillen në rreth… Nuk ka konsistencë në politikat e BE-së ndaj të gjitha vendeve kandidate për anëtarësim në rajon. Dikush pritet të bëjë një gjë, dhe në të tjerat po detyrohet diçka krejtësisht e kundërt. “Vetë BE vazhdon të inkurajojë stereotipet rreth viktimave dhe agresorëve,” tha Bocevski.
Vetë BE-ja duhet të dalë nga klishe të tilla dhe t’i qaset rajonit me ndershmëri dhe pa paragjykime. BE-ja nuk mund ta perceptojë rajonin me optikën e 30 viteve më parë dhe të kushtëzojë integrimin evropian sipas një perceptimi të tillë. Të gjitha vendet kanë çështjet e tyre legjitime, interesat e tyre legjitime në momentin aktual (gjeo) politik dhe BE-ja duhet t’u qaset sfidave të tilla në negociatat me vendet kandidate me një perspektivë të ndryshme dhe natyrisht, me respekt. Sipas Ivica Bocevskit, politikat e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të rivendosen dhe Bashkimi duhet të angazhohet për negociata, në përputhje me specifikat dhe çështjet e secilit vend kandidat.///Zhurnal.mk