Strugë, 12 gusht – Duke qenë se sezoni veror është i mbushur me turistë dhe lëvizje të shumta, miërmbajtja e higjienës në qytet dhe plazhet e Strugës është më e vështirë.
Prandaj me iniciativën e gazetares dhe aktivistes strugane Shefkije Alasani Dika, sot u realizua një aksion pastrami në qytetin e Strugës.
Për TVM2 ajo tha se aksioni nuk ka për qëllim vetëm pastrimin e qytetit, por edhe ngritjen e vetëdijes tek qytetarët dhe të gjtihë ata që vizitojnë Strugën, që qyteti të mirëmbahet dhe mos të hidhen mbeturina.
“Kjo është një iniciativë vullnetare për ta pastruar qytetin, por në njëjtën kohë edhe për ta ngritur vetëdijen e qytetarëve dhe turistëve të huaj që kalojnë kohë në Strugë, të kenë më shumë kujdes se si sillen në natyrë. Arsyeja pse pikërisht sot, është se sot është dita ndërkombëtare e rinisë sipas Kombeve të Bashkuara dhe tema e kësaj dite është ‘Aftësitë e gjelbërta për rininë’, që d.m.th rinia duhet të përfshihet më shumë në transformimin e gjelbërt të planetit. Kjo është një tjetër arsye pse pikërisht sot kemi vendosur ta realizojmë këtë aksion që ti vetëdijësojmë njerëzit për rëndësinë dhe rolin që e kanë të rinjtë për të ardhmen sa më të gjelbërt dhe ekologjike.“ – tha gazetarja dhe aktivistja, Shefkije Alasani Dika.
Aksione të tilla janë organizuar kohë pas kohë nga aktivistët e Strugës, megjithatë kjo e sotshmja kishte një rëndësi të veçantë për shkak se aksionit iu bashkangjitën edhe një numër i madh i mërgimtarëve, të cilët kanë ardhur për pushime në vendlindje por edhe turistë.
“E dashura ime është nga Struga dhe ajo më tha se do të ketë një aktivitet për të pastruar qytetin dhe unë mendoj se nuk duhet të jetë vetëm për Strugën por për të gjithë planetin për ta pastruar, sepse duhet ta ruajmë planetin, prandaj vendosa që të vijë“ – tha një turist.
“Edhe pse vijmë në pushime, është vendi jonë, dhe mendoj që duhet të kontribuosh diçka, vijmë për plazh, për dasma, dhe pse jo të bësh diçka edhe për qytetin. Duhet më tepër të ketë se duhet edhe kulturën ta marim që ta mirëmbajmë vendin tonë dhe mendoj që rinia mund të ndryshoe diçka këtu“ – u shpreh Nora Aliu, mërgimtare.
“Mendoj që aktiviteti është më i rëndësishëm se sa gjithë aktivitetet që ndodhin në sezonin veror në Strugë, për arsye se qyteti është i joni dhe i gjeneratave të ardhshme dhe jemi ne që mund të bëjmë diçka për të mbajtur qytetin në nivelin që duhet të jetë, duke pasur parasysh se kemi një liqen që është miliona vite i vjetër dhe nuk e meriton këtë sjellje dhe ndërgjejge të ulët.“ – deklaroi mërgimtari, Getoar Vejseli.
Aksioni u ndërmorr si iniciativë personale duke u lajmëruar në rrjete sociale, ndërsa thirrjes iu përgjigjën shumë të rinj por edhe fëmijë. Aksioni filloi në parkun e poezisë dhe më pas vazhdoi përreth lumit Drini i Zi dhe plazhit të qytetit. Ndërsa teksa të rinjtë pastronin në qytet, iu bashkangjitën edhe shumë kalimtarë të rastit dhe turistë të huaj.