Agjencia Zhurnal.mk.

Ahmeti për Vecernji: UÇK-së ishte e pastër dhe e njejta është vërtetuar në shumë procese ndërkombëtare

Shkup, 18 dhjetor – Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duke folur në një intervistë për të përditshmen kroate Vecernji, ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e njejta është vërtetuar në shumë procese ndërkombëtare.

 

Lufta e UÇK-së ishte e pastër, çlirimtare dhe respektuese e konventave ushtarake dhe kjo është vërtetuar në disa gjykime ndërkombëtare deri më tani. Unë kam bashkëpunuar plotësisht me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare në interes të së vërtetës dhe pres që e vërteta të dalë në shesh. Ngjarjet në Kosovë mbi 20 vjet janë përcjellë nga afër nga të gjitha institucionet dhe tashmë ka pasur disa procese gjyqësore që kanë të bëjnë me luftën çlirimtare të Kosovës. Thaçi, Veseli, Jakupi dhe Selimi kanë treguar përgjegjësi të madhe individuale dhe respekt për sundimin e ligjit dhe besoj se pafajësia e tyre në këtë proces do të dëshmohet në një proces transparent, ka theksuar kështu kryetari i BDI-së Ahmeti.

I pyetur se herë pas here hapet tema e krijimit të Shqipërisë së Madhe dhe a beson se mund të ketë ndonjëherë një Shqipëri të Madhe ku të gjithë shqiptarët do të jetonin në një shtet, Ahmeti ka shtuar se tashmë flitet për një standard më të mirë jetësor, nga Stokhomi në Athinë.

Po flasim për Europën pa kufij, nga Stokholmi në Athinë pa kufij, po flasim për Europën në shtëpi, po flasim për lëvizje të lirë të qytetarëve, një standard më të mirë jetese, shëndet më të mirë, arsim… etj. Besoj se me integrimin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane, rrallë do të përballemi me dilema të tilla në të ardhmen. Në një Europë të madhe dhe të bashkuar, ne të gjithë do të jemi të mëdhenj, ka theksuar kështu Ahmeti.

Gazetari: Keni qenë një nga udhëheqësit e demonstratave në Kosovë në vitin 1981 për çka edhe keni qenë i burgosur. Po ashtu, që nga viti 1984-86 keni qenë të kyçur në rekonsolidimin e lëvizjes studentore në Kosovë. Nga viti 1988-89 keni qenë një nga udhëheqësit e lëvizjes studentore dhe të minatorëve kundër qeverisë së Millosheviçit, nga viti 1989 deri në vitin 1990, një nga protagonistët kryesorë të protestave të diasporës shqiptare në Europë.

“Unë ia kam kushtuar jetën lirisë së popullit tim. Edhe po të jetoja më shumë një jetë, nuk do të ndryshoja asgjë në jetën time, do të bëja përsëri të njëjtën gjë. Jam i përkushtuar për të drejtat e njeriut, për lirinë, për barazinë, për ëndrrën euroatlantike. Aktivitetin tim e kam filluar me protestat e vitit 1981 në Prishtinë, Kosovë, për të vazhduar organizimin e rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi, deri në Kosovën e pavarur, barazinë në Maqedoninë e Veriut dhe anëtarësimin në NATO. Jam krenar për rolin dhe kontributin tim modest së bashku me miqtë e mi idealistë” – ka theksuar kështu Ahmeti.

Duke folur më tej për raportet me vendet fqinje, kryetari i BDI-së Ahmeti për të përditshmen kroate Vecernji ka thënë se marrëdhëniet me vendet fqinje janë konstruktive.

I pyetur se si i vlerëson raportet me Kosovën, Malin e Zi, Serbinë…? Ahmeti ka thënë se synimi i rajonit është BE dhe NATO.

Marrëdhëniet tona me fqinjët janë konstruktive, duke përfshirë edhe Malin e Zi. Synimi ynë është që rajoni i Europës Juglindore, Ballkani Perëndimor, të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO. Dialogu, bashkëpunimi, paqja, stabiliteti, siguria dhe integrimi janë parimet mbi të cilat duhet të ndërtojmë marrëdhëniet tona. Pres që mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet me njohje reciproke dhe pranim të realitetit, ka shtuar kështu në këtë intervistë Ahmeti.

Related posts

Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndryshme sa i përket ribalancit të buxhetit

Z.H

Karvani ekonomiko-diplomatik në Rajonin Planor Jugperëndimor

Z.H

Në UEJL u mbajt konferencë shkencore me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkthimit

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More