Agjencia Zhurnal.mk.

A rrezikohet identiteti maqedonas

Nga Leonidha Mërtiri

 

Propozimi i fundit francez, i cili ka turbulluar ujërat mes forcave politike maqedonase, kërkon të zgjidhë ngërçin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pavarësisht shtatë artikujve që përfshihen në këtë propozim, ajo çka tërheq më tepër vëmendjen në dallimet midis dy palëve është problemi i gjuhës dhe identitetit maqedonas. Ka rreth dy vjet që Bullgaria i ka mbyllur derën Maqedonisë së Veriut për të nisur udhën e pranimit në BE. Ajo e motivonte këtë me kërkesat e njohura për gjuhën dhe identitetin. Mosmarrëveshjet kanë qenë shtrirë dhe më gjerë, si, droja nga pretendimet territoriale ndaj Bullgarisë apo ato çka lidhen me ngjarje të historisë, identitetin e figurave historike, ku secila palë i konsideron të vetët. Sipas pretendimeve të saj, gjuha maqedonase kërkohet të vlerësohet si dialekt i gjuhës bullgare dhe se Maqedonia e Veriut duhet të pranojë gjithashtu ekzistencën e pakicës bullgare në vend. Në Kushtetutën e saj nuk përmenden bullgarët, krahas popullsisë shqiptare, pakicave turke, serbe, boshnjake, romëve. Sipas bullgarëve, në këtë republikë jetojnë mbi 110 mijë bullgarë, ku në këtë numër llogariten mjaft shtetas të Maqedonisë së Veriut, të pajisur me letër njoftimi bullgare. Regjistrimi i fundit numëron 3500 bullgarë. Por, loja me shifrat për ballkanasit njihet si më joshësja.

Pavarësisht kontakteve dypalëshe, pala bullgare ka këmbëngulur në të sajën. Edhe pse në dukje mosmarrëveshjet e njohura të tyre kishin mbetur të zbehta, ato dihej që ishin po aty, sikurse janë vërejtur edhe gjatë kësaj periudhe, zgjuar, për t’u bërë të zëshme në momentin e duhur.

Zgjimi i herëpashershëm i tyre më kujtoi një ngjarje të vitit 1991. Ishte data 25 korrik. Kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Klusev, së bashku me disa anëtarë të kabinetit të tij të ministrave bëri një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë kthimit të delegacionit në Shkup, ai u ndal për një vizitë të shkurtër, sipas protokollit, në Liqenas, Pusteci i sotëm, fshat me popullsi maqedonase. Kryeministri, pasi u takua me banorët që e pritnin në mjedisin para shkollës së fshatit, i përshëndeti ata në gjuhën e tyre maqedonase. Kur mbaroi së foluri, njëri prej banorëve kërkoi të merrte fjalën. “Tri ditë më parë, tha ai, ishte te ne ambasadori i Bullgarisë në Tiranë. Po në këtë vend na u drejtua të gjithëve ne që e pritëm: “Të dashur vëllezër bullgarë”. Zoti Kryeministër Klusev- shtoi ky banor, a mund të na thoni, ju lutem, çfarë jemi ne në të vërtetë, maqedonas apo bullgarë?”. Komenti, mendoj se është i tepërt. Një problem ky që është shfaqur herë pas here në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe që nacionalizmat e mbajnë gjallë.

Në fillim të javës së fundit të qershorit, Parlamenti bullgar, duke iu referuar propozimit të presidencës franceze të Këshillit të BEsë, hoqi veton dhe miratoi propozimin e saj për fillimin e negociatave të pranimit në BE të Maqedonisë së Veriut. Kështu, më në fund, fqinjit tonë lindor iu hap drita jeshile, pas shumë vite pritjeje, ashtu sikundër i ndodhi dhe më parë me Greqinë, lidhur me emrin. Krijimi i besimit ndaj njëri-tjetrit nuk ishte i lehtë. Arritja në Marrëveshjen e njohur të Prespës, mbylli debatin e stërzgjatur. Një fitore kjo për të dyja vendet. Maqedonisë së Veriut iu hapën dyert për integrimin e saj në NATO dhe në BE, e vetmja alternativë për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj.

Tani, Maqedonia e Veriut është para një prove tjetër. Propozimi francez, i cili në veçanti nga opozita nuk u prit mirë, ndezi gjatë tërë këtyre ditëve zjarrin e protestave në Shkup dhe të thirrjeve antibullgare. Ky propozim u pa si mohim i gjuhës dhe historisë së tyre, ndaj njerëzit kanë kaluar dhe në akte vandale kundër policisë dhe institucioneve, të huaja këto për një shoqëri demokratike, që synon integrimin europian të vendit. Me një fjalë, hidh e prit. Ndaj dhe këto ditë Ministria e Jashtme Bullgare, nëpërmjet një note proteste, drejtuar homologes së saj maqedonase, shpreh shqetësimin për çka po ndodh në Shkup, duke e parë këtë notë si përgjigje edhe ndaj narrativës së përhapur antieuropiane kundër vendosjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.

Sot pritet që Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të diskutojë rreth informacionit më të plotë të Qeverisë rreth kornizës negociuese për negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Llajen do të sjellë zërin e BE-së lidhur me problematikën e njohur. Shpresohet që propozimi francez të miratohet. Së pari, në mbështetje të tij janë Lidhja Socialdemokrate(LSDM), BDI, PDSH, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët, që janë treguar më fleksibël, por dhe partnerë të tjerë të koalicionit të LSDM-së, si Lidhja Demokrate etj. Së dyti, propozimi francez nuk shihet të luaj me interesat kombëtare të maqedonasve. Sipas këtij propozimi, për shembull, pa u ndalur në artikujt e tjerë, gjuha maqedonase përcaktohet siç është, gjuhë maqedonase.

VMRO-DPMNE, ashtu sikurse njihet, vazhdon të luajë me kartën e nacionalizmit. Lideri i saj, Hristian Mickoski, edhe këto ditë u bën thirrje deputetëve të hedhin poshtë materialin e qeverisë për kornizën e negocimit të vendit në BE. Madje, për këtë bën ofertën se forca politike që drejton do të sigurojë si shpërblim mbijetesën e qeverisë dhe nuk do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Duke qenë Edhe kundër të debatuarit për këtë çështje, deputetët e saj mund të mos marrin pjesë dhe në mbledhjen e Kuvendit të sotëm.

Do të ishte me vend që deputetët e saj të bashkohen me ata të shumicës. Kompromisi europian nuk u hyn në hak maqedonasve, të përkrahur nga BE-ja dhe siç pohon kryediplomati i Shkupit, askush nuk e vë në pikëpyetje identitetin e tyre dhe se, me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, maqedonishtja bëhet një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian. Edhe SHBA, siç thekson ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes, mbështet propozimin francez dhe njeh rëndësinë e gjuhës dhe identitetit maqedonas, duke e parë këtë si një rrugë që “çon përpara. Dhe maqedonasit nuk mund t’i ndahen kësaj rruge, për të cilën kanë vite që kanë ëndërruar.

Related posts

Në Kumanovë edhe kur të nderojnë të nënçmojnë

Redaksia

Opinion / Etiketat e turpit

R Zh

Ariu ka hyrë në Bulevard, çfarë bën shteti?!

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More