Shkup, 5 korrik – Kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga përfaqësuesit e fraksionit të BDI-së, Visar Ganiu, ka theksuar se informacionet për një fraksion të brendshëm në mes të të ashtuquajturve “Grupi i zjarrit” i ka mësuar përmes mediave.
Ai për Makfax deklaroi se personat nga fraksioni i BDI-së janë me pushime, ndërsa pardje ka kontaktuar me Bexhetin dhe se bashku kanë koordinuar situatën.
Një deklaratë e tillë vjen pasi këto ditë në opinion qarkulluan informacione se drejtuesit e këtij fraksioni Izet Mexhiti dhe Blerim Bexheti kanë mosmarrëveshje dhe janë ndarë sepse i pari mendon që duhet formuar subjekt politik, ndërsa i dyti që të vazhdoj fraksioni për reformimin e brendshëm të BDI-së.
I pyetur nëse fraksioni ka në plan të hapë një parti të re, Ganiu është përgjigjur se nuk ka qenë asnjëherë plani i tyre, por qëllimi i tyre është të veprojnë si fraksion dhe të funksionojnë nga brenda BDI-së.
Zgjedhjet e brendshme partiake të BDI-së, të cilat u zhvilluan fundjavën e kaluar, sipas Ganiut janë jolegjitime.
“Për ne është e paligjshme, kemi nga shtatë anëtarë dhe të gjithë së bashku kemi konstatuar se është jashtë statutit. Statuti nuk parashikon një anëtar – një votë. Ai vlen vetëm për kryetarin e partisë dhe nuk vlen për të tjerët. Partia nuk mblodhi Këshillin Ekzekutiv dhe vazhdoi të funksiononte pa miratimin e organeve të brendshme, të cilët aluduan se kjo ishte antikushtetuese. Ne nuk morëm pjesë në këtë sepse gjithçka ishte e inskenuar. Kanë shpallur dy deri në tre mijë vota dhe nuk e dimë nëse kanë dalë rreth 400. Kjo tregon se procesi është fiktiv, jo i natyrshëm”, theksoi Ganiu.(INA)