Agjencia Zhurnal.mk.

A e tradhtoi PDK-ja, familjen Jashari?

NGA SKENDER MUSLIU

 

Në zgjedhjet komunale të 17 Tetorit, PDK-ja duke kandiduar Fadil Nurën si kundërkandidat të Bekim Jasharit për garën e kryetarit të Skenderajt, shkaktoi një tërmet duke lëkundur themelet e vlerave të vërteta të luftës, të Adem Jasharit, komandantit legjendar dhe familjes Jasharaj.

A thua, është dashur të priten zgjedhjet e 17 Tetorit 2021 për t’i nxjerrë në shesh manipulimet, mashtrimet dhe keqpërdorimet e PDK-së, që janë bërë në emër të familjes Jashari?! PDK-ja në këto zgjedhje nuk e përkrahi kandidaturën nga iniciativa qytetare të Bekim Jasharit për kryetar të Skenderajt, por propozoi kandidatin e PDK-së Fadil Nura, edhe pse në mandatin e kaluar Bekim Jashari u kandidua me insistimin e vazhdueshëm të PDK-së.

A thua bëhet fjalë për plasaritje në PDK? Jo, nuk është plasaritje, por kjo tregon fytyrën e vërtetë të PDK-së, gjeneralëve dhe komandantëve të vetshpallur, sepse pikërisht ata që më së shumti përdorën emrin e familjes Jashari, duke mos patur më nevojë për te, po ia kthejnë shpindën. Këta janë po të njejtit ata që gjatë luftimeve në Prekaz me ushtrinë dhe policinë serbe, kur u shua e tërë familja Jasharaj,që ndërgjegjësoi botën, i lan të vetëm pa ju ofruar ndihmë. Ashtu siç nuk i ofruan ndihmë familjes Jashari në Prekaz, edhe tani PDK-ja e shpërfilli kandidaturën e Bekim Jasharit, fatkeqësisht sikur historia po përsëritet. PDK-ja, bizarisht, ende udhëhiqet nga « krahu i luftës » përmes kryetarëve kukulla.

Deklarata e kryetarit të PDK-ës, Memli Krasniqit, se PDK-ja është ADN-i dhe shtëpia e UÇK-së, po del se paska qenë fallso, sepse që nga paslufta e deri tani, kjo parti, gjeneralët dhe komandantët e vetshpallur, vazhdimisht janë thirrë dhe kanë përdorë emrin e familjes Jasharaj për interesa partiake dhe personale, e jo atdhetare. Madje shumë politikan të kësaj partie, janë shtyer me « bërryla « për të dëshmuar se kush prej tyre ka qenë më i afërt me Adem Jasharin.

PDK-ja, duke keqpërdorur emrin e familjes Jasharaj, për dy dekada,dominoi skenën politike të Kosovës duke mos bërë asgjë për këtë familje, e as për vlerat e UÇK-së. Përveç tjerash, nga fakti, se Kompleksi memorial i Jasharajve mbeti në mëshirën e kohës duke u shëndrruar në objekt që rrezikon jetën e vizitorëve. Madje edhe varrezat e kësaj familje të shenjtë, nuk i ndërtoi PDK-ja e gjithëpushtetshme edhe pse e kishte obligim moral, por një biznismen turk. PDK-ja, që veten e konsideron « trashigimtare » të UÇK-së, fatkeqësisht edhe në tenderat e varrezave të dëshmorëve ka vjedhur buxhetin e Kosovës.

Se PDK-ja ka përdorë emrin e familjes Jashari dhe Ademin në mënyrë fallso, vërtetojnë edhe përgjimet e aferës « Pronto », me ç’rast dy zyrtarë të lartë të PDK-ës, në kontekst të bisedës, përdhosin rëndë familjen Jashari.

Se PDK-ja ka banalizuar me vlerat e luftës, tregon numri i veteranëve të luftës. Kjo parti e asistuar edhe nga AAK-ja, për përfitime personale dhe korruptive kanë rritur numrin e veteranëve të luftës në 60 mijë, kur mirëfilli dihet se maksimumi i maksimumit kanë qenë 18 mijë. Mirëpo me drejtësinë e kapur, nga vet këta, ky proces ka përfunduar në mënyrë skandaloze.

Tani merreni me mend, se sa do të ishte i lartë pensioni i veteranëve të merituar sikur buxheti i 60 mijë veteranëve t’iu ndahej 18 mijë veteranëve të vërtetë. Llogartia është e thjeshtë, pensioni i veteranit do të ishte tri herë më i lartë. Nga këto keqpërdorime të PDK-së me statusin e veteranëve, sot në Kosovë ka shumë veteranë që jetojnë në varfëri të skajshme, pa kulm mbi kokë, janë shpërngulur jashta vendit dhe më e keqja është se shumë nga ata nga situata e vështirë kanë bërë vetvrasje. Kjo është sa e turpshme po aq e papranueqshme nga këta politikan të korruptuar dhe të papërgjegjshëm. PDK-ja në vend që t’i mbrojë vlerat e luftës, ajo i ka degraduar dhe denigruar ato tejmase për përfitime personale. Nuk është e rastit se pikërisht gjeneralët dhe komandantët e vetshpallur u bënë milionera në Kosovës e pasluftës.

Prandaj rasti i Bekim Jasharit – Fadil Nurës ( PDK-së), është moment reflektimi për elektoratin e PDK-së, mbi vlerat e vërteta të kësaj partie, duke i rishikuar ato, sepse ky rast, PDK-në e nxjerri lakuriq nga patriotizmi dhe vlerat e luftës, që ajo, pat të drejtë, në vazhdimsi thirret.

Vetëm për shkak të respektit ndaj familmjes Jasharaj dhe komandantit legjendar, Adem Jasharit, si simbol i rezistencës dhe lirisë, me të cilët identifikohet e tërë Kosova, PDK-ja në asnjë rast nuk është dashur t’a sfidojë Bekim Jasharin, përkundrazi është dashur t’i jep përkrahje të parezervë.

Me këtë rast vlenë të përshëndetet gjesti i partive politike, që në respekt të familjes Jashari, nuk propozuan kundërkandidat ndaj Bekim Jasharit.

A thua këto qenkan vlerat e PDK-së, dhe jo vetëm, në cilat ata thirren?!

Related posts

Aleati më i madh i korrupsionit është mbipushteti politik

D V

I gjithë pushteti, talebanëve

D V

VARI-i poli(e)tik: Targat që ngrijnë dialogun dhe mërdhijnë duart

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More