Agjencia Zhurnal.mk.

A e duan shqiptarët e Kosovës Enver Hoxhën?

NGA: GANI MEHMETAJ

 

Pjesa dërmuese e shqiptarëve në ish-Jugosllavi nuk e kanë dashur Enver Hoxhën. E kanë urrejtur edhe afrinë e tij me partizanët e Josip Broz Titos dhe komunizmin. Brezi i prindërve tanë deri sa kanë vdekur e kanë mallkuar Enver Hoxhën që i tradhtoi, i la në mëshirën e partizanëve jugosllavë që vranë e masakruan mbi 50.000 shqiptarë në ish-Jugosllavi. Brezi im shihnin se ai po e shpie në humnerë Shqipërinë me izolim, diktaturë dhe me varfëri të skajshme. Ndërkaq, Televizioni Shqiptar me pamje e intervista na e paraqiste dashurinë e paskajshme të popullit shqiptar ndaj diktatorit. Nuk ishin ato pamje të sajuara, ishin pamje reale të dashurisë delirante të popullatës shqiptare ndaj Enverit.

Por është e habitshme që urrejtja e prindërve tanë ndaj Enver Hoxhës, na ndjek si mallkim. Shqiptarët përtej Drinit e kanë përsëritur derisa e kanë bindur vetën se kinse ne e duam diktatorin e tyre. “Kosovarët e donin Enverin”, ta thonë shpesh e pa u ndalur edhe kur ti u thua se kjo nuk është e vërtete. Nisën nga një grusht të rinjsh patriotë, që sapo kishin nisur dikur studimet në vitin e parë a të dytë të universitetit, ishin të varfër e të painformuar, ndërsa fatkeqësisht Hoxhën e Gjirokastrës e identifikuan me shpëtimtarin e kombit. Torturat e UDB-së i bënë heronj, por sado që vuajtën e pësuan, nuk e zgjeruan rrethin. Me Enver Hoxhën nuk mund të shkonin larg. Mbetën pakicë edhe më vonë, por militantë e agresivë mu si islamikët.

Antienveristi i parë me emër kumbues ishte Ibrahim Rugova. E donin pjesa dërmuese e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në territoret tjera shqiptare.

“Kosovarët” e donin më pak Enver Hoxhën se sa çdo krahinë tjetër shqiptare përtej Drinit. Më pak e duan edhe sot, por prapë na e kanë varur në qafë. Natyrisht nuk është e paqëllimtë shpifja për “dashurinë kosovare” ndaj diktatorit gjirokastrit.

Related posts

Mërgata dhe roli i shteteve shqiptare në Ballkan! Një histori që ka nevojë të ndryshojë

D V

Lum ai që e mbron idealin, njerëzinë dhe burrninë e vet!

D V

Kandidatët shqiptarë si djalli bardhë dhe djalli i zi!

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More