Shkup, 31 mars – Deputetja Arta Bilalli, ditë më parë ishte shprehur se shqiptarët do të dalin 25%, dhe se pas rezultateve të regjistrimit Kushtetuta do të ndryshohet.
“Besoj se do të arrihet një kompromis nëse rezultatet e regjistrimit janë të pranueshme, sepse 74 deputet jemi vetëm nga LSDM-ja dhe shqiptarët, na nevojiten vetëm edhe 6 deputet për ta bërë këtë ndryshim”, ka thënë Arta Bilalli nga BDI-ja në një paraqitje televizive.
Mirëpo, tani pas publikimit të rezultateve ku shqiptarët rezident janë vetëm 24.30%, çfarë do të bëhet me fatin e këtyre banorëve, a do të vazhdohet ende me avazin e vjetër që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të identifikohen vetëm me 20%, shkruan Zhurnal.
Dhe dilema më e madhe është se tani ndarja e buxhetit të shtetit do të bëhet në bazë të numrit të qytetareve shqiptarë që janë rezident, pra 24.30%, apo duke i përfshirë edhe ata jo rezident 29.52%. Tendencat shihen në drejtim të asaj që politikat e brendshme do të zhvillohen dhe burojnë nga numri 24.30% shqiptarë, për dallim prej regjistrimit të vitit 2002, ku shqiptarët shqiptarët ishin 25.17%, pra 0.87% më shumë se tani në vitin 2022.
Ndërkaq, Zhurnal kontaktoi me deputeten Arta Bilalli Zendeli, e cila tha se jemi për ndryshime Kushtetuese, konkretisht largim të 20% nga Kushtetuta, mirëpo për atë se a do të ketë iniciativë nga grupi parlamentar i BDI-së për këtë çështje, Zendeli përgjigjet se do të ketë mirëpo kur dhe si nuk e dimë ende.
“Jemi të interesuar për ta larguar 20% nga Kushtetua, do të ketë edhe iniciativë, por kur dhe si nuk e dimë”, tha Zendeli nga BDI.
Në pyetjen mbi hutinë e krijuar në opinion se tani në burimin dhe zhvillimin e politikave të brendshme, do të merret në konsideratë numri 24.30%, apo 29.52% të shqiptarëve, Zendeli tha se 29.52% është numri real i shqiptareve.
“Unë mendoj se 29.52% do të merret në konsideratë, sepse ai është numri i përgjithshëm i qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë edhe diasporën. Edhe qëllimi ka qenë i tillë sepse edhe diaspora i përket këtij vendi”, deklaroi deputetja Zendeli për Zhurnal
Mbi dilemat se a mund të jenë të vërteta apo të manipuluara rezultatet e publikuara dje për regjistrimin e popullsisë, Zendeli tha se janë të pranueshme për BDI-në këto rezultate dhe qytetarët nuk duhet të ndjehen të manipuluar.
“Nuk ka manipulime, rezultatet janë të pranueshme, dhe qytetarët duhet të ndjehen të sigurt për këtë. Ata që bënin thirrje për bojkot të regjistrimit tani po i shohin pasojat e atyre thirrjeve. Ne si BDI kemi bërë thirrje gjatë gjithë kohës që të regjistrohen të gjithë qytetarët, edhe krahas përplasjeve që i kemi pasur me grupet e reja në Kuvend dhe me Aleancën për Shqiptarët, por ne sërish nuk jemi ndalur së apeluari për regjistrim të secilit qytetar në vend dhe në diasporë” përfundoi Zendeli.
Nga rezultatet e publikuara dje nga Enti i Statistikave të Maqedonisë së Veriut për regjistrimin e popullsisë, të realizuar vitin e kaluar nga 5-31 shtator 2021, sa i përket përqindjes së banorëve rezident në vend, 58,44 për qind janë maqedonas (1.073.299), 24,3 për qind shqiptar (446.245), 3,86 turq (70.961), 2,53 romë (46.433), 1,3 për qind serbë (23.847), 0,87 boshnjakë (16.047) dhe 0,47 vllahë (8.714).
Ndërsa për sa i përket përqindjes të banorëve jo rezident, 24,45 për qind janë maqedonas (63.731), 66,36 për qind shqiptar (172.942), 4,79 për qind turq (12.482), 1,02 për qind romë (2.671), 0,35 për qind serb (912), 0,81 për qind boshnjak (2.121) dhe 0,19 për qind vllah (494).
Kujtojmë se sipas të dhënave nga regjistrimi paraprak i popullsisë në vitin 2002, vendi numëronte gjithsej 2.022.547 banorë, ndërsa struktura etnike e popullsisë ishte: maqedonas – 1.297.981 (64.18 për qind), shqiptar – 509.083 (25.17 për qind), turq – 77.959 (3.85 për qind), romë – 53.879 (2.66 për qind) serbë – 35.939 (1.78 për qind), boshnjakë – 17.018 (0.84 për qind), vllahë – 9.695 (0.48 për qind), të tjerë – 20.993 (1.04 për qind).