Agjencia Zhurnal.mk.

A do të arrijnë 18,000 denarë t’i bindin të rinjtë të kthehen në vendlindje?

Shkup, 10 shkurt – Rreth 80,000 punëtorë në vendin tonë do të marin nga 18,000 denarë pagë minimale e cila më tepër se dyfish është rritur në krahasim me vitin 2014 kur kjo shifër shënonte 8800 denarë.

Kështu njoftoi me plot gëzim kryeministri i ri i vendit Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së kompanisë së tekstilit “Tekstil Solution” në Shkup, shkruan Zhurnal.

Kryeministri Kovaçevski konstaton se Qeveria do të vazhdojë të ndihmojë ekonominë dhe ët krijojë kushte për rritje të pagave, ndërsa ekonomia ka qenë në agjendën primare që në ditën kur u paralajmërua dhe u zgjodh si kryeministër.

Në këtë kompani, Polik Avdiu punon si rrobaqepës ndërsa në të kaluarën ka punuar edhe në Gjermani. Ai shprehet se paga prej 18 mijë denarëve është e mjaftueshme për një jetë normale në Maqedoni, ndërsa ai ka braktisur Gjermaninë për të punuar dhe jetuar në vendin tonë.

Qytetarët nëpër rrjetet sociale filluan disi të tallen me rastin në fjalë, duke thënë se “Gjermanët kërkojnë rritjen e pagave në Gjermani përshkak se do të ngelin pa punëtorë”, duke aluduar se të gjithë shqiptarët do të rikthehen në Maqedoni pasi paga minimale u rrit në 300 euro. Por a mund të ndodhë një gjë e tillë? A ka dikush që heqë dorë nga 1500-2000 euro për pagë minimale prej 300 eurove?

Publicisti Iljasa Salihu lidhur me rrobaqepësin Avdiu shprehet se ajo deklaratë më tepër ishte një propagandë, të mos thënë gënjeshtër, ngase rroga minimale në Maqedoni nuk mjafton as për dhjetë ditët e para të muajit e lëre me për tërë muajin.

Sipas tij, për rritjen e pagës minimale më tepër u gëzuan ata që marin paga maksimale, të cilët asnjëherë nuk janë në gjendje të veshin çizmet e një kryefamiljari i cili mer 18,000 denarë në muaj.

“Paradoksi tjetër qëndron në atë se për rrogën minimale më së shumti u gëzuan ata që marrin rroga maksimale, të cilët kurrë nuk janë në gjendje t’i veshin çizmet e një kryefamiljari që merr në muaj 18 mijë denarë. Sidomos, në këtë kohë ku çmimet janë astronomike, rroga minimale del të jetë edhe një përpjekje për ta ujitur mbijetesën”, shprehet Salihu për Zhurnal.

Ndërkohë edhe gazetari Berat Azizi është i të njejtit mendim. Ai për Zhurnal shprehet se Maqedonia e Veriut nuk mundet të krahasohet me Gjermaninë apo vendet tjera evropiane sepse Maqedonia ka një ndër mesataret më të ulëta të pagës minimale në rajon ndërsa në Gjermani, paga minimale është 1400 euro.

Sipas tij, deklarata e Avdiut nuk mund të nxitë rininë të mos e braktisin vendin tonë por inkurajimi siç shprehet, bëhet vetëm me hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e produktivitetit ekonomik, të performancës së prodhimit, të meritokracisë e kështu me radhë.

“Nuk mund të krahasohemi me Gjermaninë dhe vendet tjera evropiane kur të gjithë treguesit ekonomik neve na radhitin në vendet e fundit me pagë më të ulët dhe mesataren më të ulët në rajon. Standardi i jetesës në një vend varet nga të gjitha premisat ekonomike dhe nga shporta shpenzues mujore. Në Gjermani paga minimale 1400 euro ndërkohë që çmimet janë pothuajse të njëjta me vendin tonë dhe kjo bie ndesh me deklaratën e një qytetari. Nuk mund të ndërtosh qëndrim dhe të inkurajosh rininë të mos braktis vendin me deklarata të tipit komik”, shprehet Berat Azizi për Zhurnal.

Paga minimale dhe parandalimi i migrimit në vendet perëndimore

Të rinjtë të cilët kanë vendosur për të marë rrugë të gjatë drejt vendeve perëndimore, për ta me siguri nuk luan rol nëse paga minimale rritet për 45 euro, apo edhe për 100 euro sepse dallimi nga Maqedonia në Gjermani është rreth 1100-1300 euro. Nëse një lëmi në Maqedoni paguhet 400 euro, në Gjermani e njejta paguhet 1600-1800 euro. Andaj, vështirë se paga e rritur minimale do t’i inkurajojë ato djem të kthehen në vendlindje, shkruan Zhurnal.

Sa i përket migrimit të të rinjëve dhe mekanizmave si mund të kthehen, Iljasa Salihu për Zhurnal shprehet se ato të rinjë vështirë të magjepsen nga premtimet folklorike nga pushteti sepse shumica prej tyre kanë migruar për të mos u kthyer më.

“Migrimin e të rinjve, as rroga minimale dhe as ajo mesatare nuk e ndalë, ngaqë përpos papunësisë dhe rrogave të ulëta, ata po ikin (nuk po shkojnë, por po ikin nga vendlindja) për një jetë më të mirë, ku ka drejtësi, ekonomi, mjedis të pastër e përgjithësisht rregull e rend. Brezin e sotëm lirisht mund ta quajmë brez pragmatik, që nuk është në gjendje të durojë në pakufi, as të magjepset me fjalime e premtime folklorike, ndaj në pamundësi që t’i largojnë nga pushteti ata që e mjeruan vendin, ata po largohen nga vendi për t’i dhënë përparësi jetesës në vend të vendlindjes, ose vendjetesës në vend të vendlindjes”, shprehet Salihu.

Gazetari Berat Azizi ndërkohë shprehet se inkurajimi mund të bëhet vetëm me hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e produktivitetit ekonomik, të performancës së prodhimit, të meritokracisë , të shpërndarjes së barabartë të investimit në të gjitha rajonet dhe krijimin e një barazie ekonomike.

Por sipas tij edhe kjo është e vështirë sepse ikja e tyre nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë.

“Inkurajimi mund të bëhet vetëm me hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e produktivitetit ekonomik, të performancës së prodhimit, të meritokracisë , të shpërndarjes së barabartë të investimit në të gjitha rajonet dhe krijimin e një barazie ekonomike. Diferencat e larta në paga në sektorin shtetëror dhe mungesa e një strategjie për harmonizimin e pagave kanë çuar rininë që të braktis vendin. Ikja e të rinjve nuk do të ndalet sepse është një trend që nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë por ka të bëjë edhe me infrastrukturën arsimin, shëndetësinë, drejtësinë”, ka deklaruar Azizi për Zhurnal.

Ashtu siç cekëm edhe më lartë, Maqedonia e Veriut ka ndër mesataret më të ulëta të pagës minimale në rajon. Ikja e të rinjëve nga vendi nuk shqetëson vetëm Maqedoninë. Ky është një problem që tangon edhe vendet tjera të rajonit dhe më gjerë.

Kroacia duke patur parasysh se është një vend evropian, ka mungesë të fuqisë punëtore, dhe po përballet me migrim masiv.

Madje, për të parandaluar këtë, Qeveria e Kroacisë ka ofruar për çdo kë që kthehet në vendlindje, një shumë prej 26,500 eurove bonus por ajo që habitë në këtë rast, është se për një muaj vetëm 1 person ka pranuar këtë ofertë dhe është kthyer në Kroaci. Kjo edhe njëherë dëshmon mos dëshirën për të kthyer kokën prapa për ata që kanë marë rrugët e perëndimit. Siç thonë edhe më të vjetërit tanë, ai që pi ujin e kurbetit, uji i vendlindjes më nuk i duket i mirë.

Gjatë viti 2020 dhe 2021, pandemia e shkaktuar nga Covid e pengoi paksa migrimin e qytetarëve drejt BE-së dhe madje ka detyruar disa prej tyre të kthehen.

Kështu sipas statistikave të ESHS-së, gjatë vitit 2020 gjithsej 1082 persona kanë braktisur vendin, ndërsa 1848 janë rikthyer./Zhurnal.mk

Related posts

Një termet i shqetësoi qytetarët e Dibrës, epiqendra në Shqipëri, me fuqi prej 4,8 ballësh

D V

Paga minimale/ Maqedonia e Veriut e parafundit në rajon, në krye qëndron Mali i Zi

Xh M

Kovaçevski: Bëj thirrje për vaksinim por nuk jam për zgjidhje me presion

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More