Agjencia Zhurnal.mk.

33 vite nga themelimi i “Bashkësisë Kulturore Shqiptare”, kur të gjitha rrugët çonin drejt Shipkovicës (Foto)

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Nga fillimi i vitit 1990, në Kosovë, Maqedoni dhe kudo në viset shqiptare, me hapjen e proceseve demokratike filluan të mbahen tubime popullore, me qëllim të forcimit të unitetit mes shqiptarëve dhe homogjenizimit të tyre përballë represionit, okupimit dhe kërcënimit nga regjimi serb. Këto tubime organizoheshin në raste të ndryshme si, pajtimi i gjaqeve, shënimi i ngjarjeve nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar dhe raste të tjera. Një manifestim i rëndësishëm në atë kohë u mbajt edhe në Shipkovicë të Tetovës.
Më 19 gusht të vitit 1990 u mbajt Kuvendi themelues i Bashkësisë Kulturore Shqiptare. Pse ky kuvend u mbajt në Shipkovicë e jo në ndonjë qendër kulturore është e kuptueshme dhe nuk ka nevojë për më tepër sqarime.
Sipas informatave të organeve kompetente, në këtë Kuvend kanë marrë pjesë më tepër se 10.000 shqiptarë, ndërsa sipas vlerësimeve të organizatorit dhe të mediumeve shqiptare të asaj kohe, numri i pjesëmarrësve ka qenë mbi 30.000 njerëz, të ardhur nga Tetova, Shkupi, Gostivari, Dibra, Kumanova, Prishtina, Ferizaj, Gjilani, Kaçaniku dhe vise të tjera të Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa për herë të parë në një tubim publik kishte pjesëmarrës edhe nga Tirana, Republika e Shqipërisë.

Kuvendin themelues e hapi Ejup Ajdini, ndërsa fjalë rasti në emër të Këshillit nismëtar për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare mbajti Abdulla Mehmeti, me urime për mirëseardhje të pranishmëve dhe falënderime për pjesëmarrjen madhështore. Në mënyrë të veçantë i përshëndeti mysafirët nga Kosova heroike dhe e pamposhtur, si dhe inteligjencien përparimtare dhe rininë revolucionare, të patrembur dhe heroike.
Punimet e këtij Kuvendi i drejtoi Kryesia e punës, në përbërje: Zeqir Kadriu, kryesues, Kadir Shabani, Enver Berisha, Halim Halimi dhe Shefije Iljazi, anëtarë, ndërsa Programin e kësaj organizate në emër të Këshillit nismëtar e paraqiti Shaip Emërllahu.
Përfaqësuesi i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, duke e përshëndetur tubimin nënvizoi se populli shqiptar u është nënshtruar represioneve të ndryshme, ndërsa kryetari i Bashkimit të Rinisë Demokratike, në Tetovë, me duar të ngritura lartë, ju drejtua të pranishmëve me fjalët: ,,Ju përshëndes në shenjë të fitores, sepse fitoren e kemi afër”. Tubimin e përshëndetën edhe kryetari i Shoqatës së arsimtarëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Vehbi Bexheti, veteranët e çështjes kombëtare, Mehmet Gega, Rahim Neziri etj.
Në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të Partisë për Prosperitet Demokratik dhe të Partisë Demokratike Popullore, me seli në Tetovë, me në krye kryetarin e saj, dr. Jusuf Rexhepi.

Në këtë tubim foli Drita Statovci, përfaqësuese nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, e cila shprehu admirim për pjesëmarrjen masovike në këtë tubim, me çka edhe njëherë, sipas saj dëshmohet heroizmi i madh i popullit shqiptar, ndërsa një referat më të gjerë për rëndësinë e kulturës dhe studimeve të saj e paraqiti Mehmeti Halimi, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Me këtë rast, referat paraqiti Fadil Sulejmani, doktor i gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ai, ndër të tjera theksoi se, kjo organizatë nuk është politike, por subjekt i pavarur kulturor dhe shprehu hapur kritika ndaj pushtetit të atëhershëm të Maqedonisë, duke e cilësuar si shtet burokratik, i cili ushtron terror, gjenocid dhe etnocid mbi popullatën shqiptare. Ai, gjithashtu, RSM-në e fajësoi me këtë rast për prapambetjen kulturore të këtij populli, se i ka mbyllur paralelet në shkollat fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe, ka montuar shumë procese politike, ka larguar nga puna afër njëmijë intelektualë dhe punonjës të arsimit, i ka ndaluar librat dhe literaturën në gjuhën shqipe në shkolla dhe biblioteka, nuk ka lejuar mbajtjen e programeve në gjuhën shqipe në radiotelevizion, e ka ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar dhe përdorimin e gjuhës shqipe në administratë etj.

Nga ky tubim u lexua telegram nga një grup qytetarësh shqiptarë nga Shipkovica, me punë të përkohshme në Hamburg të Gjermanisë, përmes së cilit i jepnin përkrahje të madhe këtij tubimi, kurse gjimnazistja Afërdita Ceka e lexoi Protestën me të cilën nga ky tubim dënohej terrori i paparë që ushtronte okupatori serb mbi popullatën e pafajshme të Kosovës, kurse nga organet më të larta në RS të Maqedonisë u kërkua që shqiptarëve të Maqedonisë t’u njihen të drejtat kombëtare legjitime.
E gjithë ajo që ndodhi në këtë tubim, u shoqërua me brohoritje të mëdha të mbi 30 mijë të pranishmëve, të cilët shpeshherë ngriheshin në këmbë, me dy gishtërinj të ngritur në shenjë të fitores.
Në fund, Shoqëria kulturore artistike ,,Rexhep Voka” nga Shipkovica mbajti një program të pasur kulturor artistik, me këngë dhe recital, në të cilat dominoi shpërthimi i ndjenjave kombëtare, atdhedashuria, lartësimi i figurave kombëtare, si dhe lartësimi i figurave historike, përmendja me respekt e simboleve kombëtare dhe shqiponjës dykrenore, ndërsa përmes disa përmbajtjeve, fjalimeve dhe përmbajtjes së recitalit të paraqitur me atë rast, bëhej thirrje edhe për Revolucion. Me shumë ndjenja të thella u këndua për ngjarjet në Kosovë dhe për luftën e shqiptarëve, të cilët janë të gatshëm ,,nëse e do nevoja edhe me gjak ta fitojnë lirinë”, edhe pse është derdhur shumë gjak dhe janë bërë aq shumë sakrifica që t’i realizojnë aspiratat e tyre. Me këtë rast, poetët nga Tetova, Abdylazis Islami, Ramadan Sinani, Ejup Mahmuti dhe të tjerë recituan poezi të zgjedhura nga krijimtaria e tyre.

Këshilli nismëtar për themelimin e BKSH, si dhe Këshilli organizues i Kuvendit themelues, para dhe gjatë mbajtjes së këtij tubimi kanë qenë të kërcënuar dhe shantazhuar nga pushteti i asaj kohe dhe nga vetë politikanët shqiptarë. Vetëm një ditë para mbajtjes së këtij tubimi, organet e pushteti na e ndërruan datën e mbajtjes së Kuvendi themelues, nga data 18 gusht, në 19 gusht, me qëllim që të dështojë mbajtja e këtij tubim, por disa grupe djemsh nga Shipkovica u mobilizuan dhe brenda natës shkuan dhe i ndryshuan datat e shpalljeve publike, nga Prishtina deri në Strugë.
Një natë përpara mbajtjes së këtij Kuvendi, pushteti dërgoi një grup udhëheqësish politikë nga selitë e partive shqiptare të sapoformuara, që ta bindin organizatorin për anulimin e mbajtjes së tij, me arsyetim se paraqet rrezik të shkallës së parë për qytetarët! Edhe kjo përpjekje u shkoi huq, sepse udhëheqja e këtyre aktiviteteve ishte në duart tona të sigurta, dhe ishim më të informuar se të gjithë ata që përhapnin panik, mbillnin frikë dhe e shantazhonin mbajtjen e këtij Kuvendi. Në shtëpinë e Tasin Vokës dhe shumë shtëpi të tjera kishin ardhur një natë përpara shumica e ish të burgosurve politikë nga Kosova dhe Maqedonia. Që nga mëngjesi asaj dite, policia kishte vendosur kordonë të policisë në të gjitha rrugët që nga Tetova çonin në Shipkovicë për ta pamundësuar ardhjen e njerëzve dhe më vonë dërgoi edhe njësi speciale të armatosura për ta frikësuar popullatën dhe pjesëmarrësit në këtë Kuvend, ndërsa në gjysmë të programit e ndërpreu edhe rrymën elektrike që të dështojë ky tubim. Falë vigjilencës së organizatorit, rryma ishte siguruar në rrugë alternative, përmes agregateve për prodhimin e rrymës elektrike të vendosur në objektin më të afërt ku mbahej ky Kuvend, në godinën e komunës së dikurshme, dhe as me këtë rast nuk arritën ta pengojnë mbajtjen e tij deri në fund, siç edhe ishte planifikuar.

Pas përfundimit të këtij manifestimi, banorët e Shipkovicës organizuan pritje gati në secilën shtëpi të këtij fshati dhe shtruan drekë për mysafirët, pjesëmarrës në këtë Kuvend. Gjatë përcjelljes së mysafirëve nga Shipkovica, një grup të rinjsh nga ky fshat, mysafirët i përcollën me brohoritje: ,,Fitoi Shqipëria! Këtu është Shqipëri…”.

(Teksti është shkruar më 19.08.2016)

Related posts

“Kur po ndahej me Pandeli Evangjelin dhe kryeministrin, Mbreti u tha: Unë preferoj vdekjen time dhe fronin, se të tradhtoj vendin e popullin”

Redaksia

Gazeta franceze (1822)/ Përkthimi fjalë për fjalë i shkresës bashkëngjitur poshtë kokës së prerë të Ali Pashë Tepelenës

Redaksia

Kongresi i Përmetit 24 maj 1944

Redaksia