Agjencia Zhurnal.mk.

Fundi i një epoke te Feronikeli: Për 10 vite fiton tetë trofe, por tani janë buzë rënies nga elita e futbollit kosovar

Feronikeli është njëra nga skuadrat më të suksesshme viteve të fundit në futbollin kosovar.

Skuadra nga Drenasi u rikthye në elitën e futbollit kosovar në edicionin 2010/11 dhe që nga ajo kohë nuk ka rënë asnjëherë nga Superliga.

Por, fundi i një epoke të suksesshme te Nikli po vije, pasi është duke kaluar periudhën më të errët në dekadën e fundit.

‘Industrialistët’ janë në probleme të mëdha financiare dhe pas 19 xhirove kanë grumbulluar vetëm 11 pikë dhe janë të fundit në renditje në BKT Superligë.

Në afatin kalimtar të janarit shumë futbollistë u larguan nga Feronikeli dhe skuadra mbeti thuajse pa asnjë lojtar nga ekipi i parë.

Aktualisht të gjithë futbollistët e klubit janë nga qyteti i Drenasit dhe kanë vendosur të qëndrojnë në klub pa u paguar vetëm e vetëm për ta përfunduar edicionin 2021/22 në BKT Superligë.

Nikli në ndeshjen e parë të edicionit pranveror u mposhtë me rezultat të thellë 7-0 nga Drita, që ishte humbja më e thellë në histori të klubit në Superligë, shkruan Telegrafi.

Futbollisti më i vjetër në këtë takim për Niklin ishte kapiteni Endrit Kastrati me vetëm 24 vite, derisa në formacionin titullar ishin edhe dy futbollistë të lindur në vitin 2004.

Mosha mesatare e formacionit startues ndaj Dritës ishte 19 vjeç, që është mosha mesatare më e re që një skuadër ka luajtur në Superligë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Telegrafi Sport (@telegrafisport)

Kanë pranuar të luajnë për ta ndihmuar klubin: Jemi të zhgënjyer me rezultatin, por krenar me angazhimin

Feronikeli pësoi humbje 7-0 nga Drita, në një takim ku ishin shumë futbollistë të ri në formacionin bazë dhe vështirë për t’i bërë ballë një gjiganti të futbollit kosovar siç është Drita që në radhët e veta ka futbollistë me përvojë e me emër të madh në futbollin vendor e më gjerë.

Megjithatë angazhimi nga futbollistët e rinj të Niklit nuk mungoi, përkundër humbjes së thellë e cila ishte më e larta në histori të klubit në BKT Superligë.

Pesë futbollistë startues ishin të lindur në vitin 2002, dy të lindur në vitin 2003 dhe dy të tjerë në 2004. Një tjetër ishte i lindur në vitin 2001 dhe kapiteni në vitin 1997.

Ardi Qorri ka thënë për Telegrafin se e kuptojnë gjendjen e vështirë financiare të klubit dhe dëshira e tyre është ta ndihmojnë klubin.

“Klubi është në gjendje të vështirë financiare dhe ne e kuptojmë atë. Të gjithë futbollistët jemi të rinj dhe jemi djem të këtij qyteti dhe duam ta ndihmojmë klubin tonë në këto ditë të vështira”.

“Ne i mbrojmë me krenari ngjyrat e klubit të qytetit dhe pas çdo ndeshje do të rritemi dhe komponohemi më shumë pasi jemi të rinj dhe shumica për herë të parë po luajnë në Superligë”, tha Qorri për Telegrafin.

20-vjeçari e di se qëndrimi në Superligë është shumë i vështirë, por ata do ta japin maksimumin në çdo ndeshje.

“Mbetja në Superligë është shumë e vështirë, por ne do ta japim maksimumin për fanellën e Niklit në çdo ndeshje që futemi”, deklaroi Ardi Qorri.

Tutje mesfushori i talentuar thotë se ndaj Dritës pësuan humbje të thellë, por skuadra do të paraqitet shumë më mirë në ndeshjet e ardhshme, sapo të kompnohet ekipi.

“Ndeshja ndaj Dritës nuk ishte tregues real i talentit që kanë këta futbollistë. Kjo ishte ndeshja e katërt që e luajmë së bashku dhe natyrisht nuk jemi kompnuar ende si ekip”.

Qorri që është futbollisti i dytë më i vjetër në ekip, thotë se janë të lumtur me angazhimin e madh të lojtarëve të rinj, pa marrë parasysh që kishin përballë një skuadër të fortë.

“Nuk jemi të lumtur me rezultatin, por të gjithë jemi të lumtur dhe krenar me angazhimin që kanë dhënë gjithë lojtarët në fushë, përkundër që kishim përballë një gjigant të futbollit kosovar me emra të mëdhenj brenda 11shes së parë”, u shpreh Qorri.

Fituan gjithçka në futbollin kosovar dhe luajtën në Evropë

Feronikeli në vitet e fundit ishte njëra nga skuadrat më të forta në futbollin vendor, pasi ka arritur të fitojë edhe shumë trofe.

Nga sezoni 2013-14 kur trofeu i parë erdhi në Drenas, kjo skuadër ka fituar gjithsej tetë trofe, kampionatin, kupën e superkupën.

Në edicionin 2013/14 fituan Kupën e Kosovës, derisa një vit më vonë fituan të gjithë trofetë, titullin e parë në histori, Kupën dhe Superkupën.

Nikli vazhdoi dominimin edhe në edicionin 2015-16 duke fituar kampionatin, derisa titulli i fundit erdhi në edicionin 2018-19, ku këtë vit fituan edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës.

‘Industrialistët’ luajtën edhe në arenën ndërkombëtare, ku arritën rezultate mjaftë të mira si në garat kualifikuese për në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në Ligën e Evropës.

Në edicionin 2019-20, Nikli kaloi raundin preliminar në Ligën e Kampionëve pas dy fitoreve 1-0 ndaj Lincoln Red Imps dhe 2-1 ndaj Santa Coloma.

Në raundin e parë të Championsit, Nikli u eliminua nga TNS përkundër se pati një paraqitje të mirë në dy takime, ku barazoi në Uells 2-2 dhe humbi në Kosovë 0-1.

Kjo skuadër do të mbahet në mend edhe për ndeshjen miqësore me gjigantin italian Milan që u zhvillua në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Nikli pësoi humbje nga Rossonerët 0-2, por do të mbetet gjithmonë skuadra e parë që solli gjigantin italian në tokën e Kosovës.

Qëndrimi i tyre këtë edicion në elitën e futbollit kosovar duket shumë i vështirë, por sigurisht që rikthimi i tyre do të ndodhë, pasi Feronikeli tanimë ka fituar respektin dhe simpatinë e gjithë adhuruesve të futbollin në vendin tonë.

Related posts

Strik: Do të pastrojmë procesin eurointegrues nga çështjet dypalëshe dhe historike

Xh M

FFK fillon ciklin e ri të seminareve kundër dukurive negative në futboll

Redaksia

Kuvendi e përfundoi debatin për ndryshimet e ligjeve për mbrojtje sociale dhe për nëpunës të administratës

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More