Agjencia Zhurnal.mk.

​1 vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, sfidë zbatimi i saj

Një vit pas arritjes së Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, implementimi i saj po vazhdon të shihet si vështirë i arritshëm. Njohësit e procesit të dialogut, thonë se ky proces ka hyrë në një ngërç të ri, derisa kritikojnë ndërmjetësit se nuk kanë qasje serioze në dialog. Sipas tyre, pavarësisht miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian, ku kërkohet dinamikë dhe qasje e re në dialog, zbatimi i ujdisë së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, nuk pritet të ndodh gjatë këtij viti, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet në Bashkimin Evropian.

Politologu, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress, se Bashkimi Evropian ka hyrë në një qorrsokak dhe nuk po ka një qëllim si të shkohet tutje në dialog. Megjithatë, ai thekson se Kosova duhet të avancojë në integrimet evropiane, ku forma më e mirë është që jetëson këtë marrëveshje dhe të thyhet izolimi ndërkombëtar i vendit.

“Vështirë të shohim implementimin e marrëveshjes së Brukselit, respektivisht aneksit të Ohrit. Palët janë të fortifikuara në qëndrimet fillestare, pavarësisht çka ka ndodhur pas asaj marrëveshje, unë mendoj se palët nuk janë të gatshme. Kosova po kërkon sekuencimin, Beogradi po kërkon diçka tjetër, ndërkaq BE-ja, është në mes të këtij zjarri pa një qëllim sesi të shkohet tutje. Mendoj se duhet të thyhet izolimi i Kosovës. Kosova duhet të avancohet tutje në integrime dhe besoj se kjo do të ishte forma më e mirë që kjo marrëveshje të jetësohet dhe të thyhet komplet izolimi. Në këtë formë mund të ketë një ecje përpara të dialogut, pasi përndryshe e shoh shumë të cunguar, të kufizuar dhe pa ndonjë qasje serioze”, thekson ai.

Skeptik për zbatimin e ujdive të Brukselit dhe të Ohrit është analisti politik, Arbnor Sadiku, i cili thotë se e njëjta do të implementohet vetëm pas zgjedhjeve në BE, madje sipas tij, edhe pas zgjedhjeve në Kosovë.

“Miratimi i rezolutës nga ana e Parlamentit Evropian për Kosovën është një ultimatum që të zbatohet dialogu i Brukselit dhe të njëjtën kohë të kemi një implementim të shpejtë të marrëveshjes bazë. Sa i përket implementimit të kësaj marrëveshje konsideroj se kjo nuk mund të implementohet jo vetëm pas zgjedhjeve që do të mbahen në BE, por edhe pas zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë, pasi dihet se ky është vit zgjedhor dhe praktikisht deri në viti 2025 s’do të ketë zbatim të marrëveshjes”, deklaron Sadiku.

Në anën tjetër, politologu, Arifi konsideron se si mundësi për të pasur diçka konkrete në dialog është fundi i muajit mars. Siç thotë ai, nëse deri në këtë periudhë nuk ka diçka konkrete, sidomos në themelimin e Asociacionit, do të jetë e pamundur të zbatohet marrëveshja gjatë këtij viti.

“Deri në fund të marsit nëse s’ka lëvizje me draft-statutin s’do të ketë këtë vit (zbatim) të marrëveshjes. Koha është aq shumë e kufizuar dhe për implementuar diçka, saqë e shoh të pamundur, duke ditur se që nga fundi i marsit të gjitha institucionet e BE-së janë në zgjedhje apo rizgjedhje, pasi në qershor janë zgjedhjet për parlament, pastaj derivon komisioni dhe kështu me radhë. Kështu që e shoh të pamundur që të realizohet diçka në këtë afat kohor”, thotë ai.

Parlamenti Evropian më 29 shkurt ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkon qasje të re në procesin e dialogut dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës./kp

Related posts

Dëshmitari tregon se çfarë dëgjoi sa ishte në mal ditën kur ndodhi vrasja e trefishtë në Gllogjan

Xh M

UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

D V

Haradinaj bën homazhe në Sllup, Hereq dhe Dujakë: Përulemi përjetësisht para veprës së heronjve

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky