Dy filma nga Kosova në Tiranë me thirrjen kundër dhunës ndaj grave
kulture
Dy filma nga Kosova në Tiranë me thirrjen kundër dhunës ndaj grave

Dy filma nga Kosova në Tiranë me thirrjen kundër dhunës ndaj grave

Kinemaja “Millennium” në Tiranë do të jetë vendtakim i filmave sensibilizues për parandalimin e dhunës ndaj grave, që nga data 8 deri më 11 mars në kuadër të “Women International Film Festival”, që realizohet për herë të parë edhe në Shqipëri në partneritet të “UN Women” dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Në mesin e gjashtë filmave sa do të shfaqen gjithsej për publikun janë edhe dy filmat nga Kosova “Tri dritare dhe një varje” i regjisorit Isa Qosja dhe “Ajo” i regjisores More Raça. Filmat e tjerë të huaj janë “Die Fremde”, “Jaha’s Promise”, “ Netizens” dhe “Ivan”.

“Ajo”, filmi i shkurtër kosovar i regjisores More Raça, që ekranizon dhunën dhe jep mesazhe shprese, do të shfaqet më 9 mars. Në këtë film, produksion i vitit të kaluar, portretizohet një vajzë, e cila e shpëton nënën e saj duke ikur bashkë me të nga dy burrat e familjes, të cilët e arsyetojnë dhunën. Po atë natë do të shfaqet edhe filmi artistik i metrazhit të gjatë “Tri dritare dhe një varje” i vitit 2014. Në këtë film shpërfaqet jeta e viteve 2000, kur njerëzit kishin filluar ta rindërtonin jetën e tyre dhe mësuesja Lushja (Irena Cahani) vendos të japë një intervistë për një gazetare ndërkombëtare duke i treguar se edhe tri gra nga fshati i saj ishin përdhunuar nga forcat serbe. Nga kritika ky film është përshkruar si portret inteligjent i një fshati patriarkal, me mungesë të theksuar të barazisë gjinore dhe lirisë së shprehjes brenda bashkësisë mashkullore.

Në përshkrimin e festivalit në ueb-faqen zyrtare, shkruhet se 1 në 2 gra shqiptare kanë përjetuar dhunën qoftë fizike, psikike apo seksuale gjatë jetës së tyre.

© ZHURNAL 07.03.2019, 14:32 | L.E. | 2,676 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."