Përgjysmohet Karadaku
maqedonia
Përgjysmohet Karadaku

Përgjysmohet Karadaku

Shkup, 23 mars - Numri i nxënësve në klasë të parë është përgjysmuar, ndërsa çdo ditë e më shumë të rinjtë mbushin autobusët drejt Evropës. Edhe toka, që dikur siguronte bukën e gojës, tashmë ka mbet shkretë. Likova vazhdon të zbrazet, ndërsa pengimi i kësaj dukurie duket larg, për të mos thënë nuk duket fare

Likova po zbrazet. Ashtu sikurse fshatrat tjerë të Karadakut, në Likovë tashmë mungojnë rreth 30 përqindëshi i të rinjve. Mungesa e infrastrukturës, e ardhmja e sigurt dhe papunësia në rritje çdo ditë e më shumë duket se po le shkretë këtë fshat me mijëra banorë.

Edhe numri i nxënësve në shkollën fillore “Dituria” po bie dukshëm. Nëse pas liberalizimit të vizave më 2009, Likova ishte qendër e vëmendjes me ikjet masive, tashmë shpërngulja vazhdon në heshtje. Investime të mëdha nuk janë zhvilluar as 18 vjet pas luftës së vitit 2001, ndërsa uji i pijshëm mungon edhe pse mbi fshat gjenden dy pendat që furnizojnë me ujë madje Kumanovën me rrethinë, shkruan gazeta KOHA.

Shaban Veseli, kryetar i Bashkësisë Lokale në Likovë, thotë se problemi kryesor është ikja të rinjve nga gjendja e rëndë ekonomike. “Problemin më të madh e kemi migracionin. Përafërsisht, sipas vlerësimeve jozyrtare, afër 30 për qind e rinisë është largua nga Komuna jonë. Shkaku kryesor i ikjes është situata ekonomike, por edhe politike. Shihet se njerëzit nuk kanë perspektivë, megjithëse aktualisht ka ndryshuar me investime… shumë objekte janë ndërtuar dhe shpresoj se edhe në të ardhmen do të investohet më shumë”, shprehet Veseli.

Dikur, për fshatarët e Komunës së Likovës, bujqësia ka qenë primare në sigurimin e jetesës, por me kalimin e viteve – punimi i tokës po zhduket dalëngadalë. Të paktë janë ata që sigurojnë bukën e gojës nga bujqësia.

“Dega kryesore ka qenë bujqësia, por tani nuk punohet toka. Shteti duhet të ndajë mjete për zhvillimin e bujqësisë, gjë që duhet ta marrin më seriozisht situatën në vendbanimet rurale. Përveç rritjes ekonomike, zhvillimi dhe investimet në bujqësi do të ndihmojnë në parandalimin e ikjes së të rinjve”, shprehet për KOHA, Veseli. Në infrastrukturë, kryetari i Bashkësisë Lokale thotë se gjërat kanë ndryshuar për të mirë, megjithëse akoma ka punë që duhet bërë. “U ndërtua gjimnazi ‘Ismet Jashari’, u rregullua shtrati i lumit, bekatonizim dhe asfaltim i rrugëve të fshatit, por edhe në fshatrat tjerë të komunës, hapjen e spitalit, ndërsa zgjidhja e problemit me ujin e pijshëm dhe është nga fundi…”.

Mungesa e shpresës për një jetë më të mirë dhe të sigurt financiarisht, thonë studentët, është arsyeja kryesore pse çdo ditë e më shumë braktiset vendlindja. Semra Mamuti, studente nga Likova, thotë se shteti ka vite që nuk ofron perspektivë për të diplomuarit, pasi politika tashmë ka partizuar çdo pore të shoqërisë. “Aktualisht, Maqedonia për studentët dhe të diplomuarit nuk ofron asgjë, gjithçka është partizuar. Kështu që, si shumë të tjerë, jam pesimiste se gjërat do të rregullohen”, shprehet Mamuti, ndërsa shton se, shumë të diplomuar, nuk kanë një vend pune të sigurt, ndërsa zgjidhja e vetme u mbetet braktisja e vendit.

Se Likova po zbrazet konfirmohet edhe nga rënia çdo ditë e më shumë e numrit të nxënësve, si në shkollat fillore, ashtu edhe në ato të mesme. Drejtori i shkollë fillore “Dituria”, Besnik Arifi, në një bisedë për gazetën KOHA, thotë se gjatë çdo viti ulet numri i nxënësve, ndërsa shpërnguljet – përveçse jashtë shtetit, po bëhen edhe në drejtimin fshat-qytet. Kjo po zbraz edhe fshatin në tërësi.

“Gjatë çdo viti kemi rënie të numrit nga 4-5 nxënës. Në vitin shkollor 2013/14, kemi pasur 41 nxënës në klasën e parë, ndërsa një vit më vonë (2014/15), vetëm 36 nxënës. Në 2015/16 kishim 33 nxënës, në 2016/17 – 34 nxënës, kurse në 2017/18 numri ka rënë në 20, do të thotë për 50 për qind u ul numri. Këtë vit shkollor (2018/19) kemi 38 nxënës, kjo do të thotë është një rënie e numrit të nxënësve. Këtu duhet theksuar se nxënësit nuk zhvendosen vetëm në shtetet perëndimore, por kemi shpërngulje edhe prej fshatit në fshat ose prej fshatit në qytet…”, tregon për KOHA, drejtori Arifi.

Likova në fakt është pasqyra e asaj çfarë po ndodhë edhe në fshatrat tjerë. Në këto fshatra, zor të gjenden punëtorë të rinj që do punonin në ndërtimtari apo edhe në biznese tjera të vogla. Të rinjtë nuk duken rrugëve apo lokaleve të fshatit. Mosha e mesme dhe ata më të moshuarit tashmë kanë mbetur vetëm. Në bisedë e sipër, në fshatrat e Likovës tashmë hapur flitet se, nga të rinjtë që kanë ikur, një komunë ndoshta më e madhe sesa është në Maqedoni, mund të themelohet në Evropë nga të rinjtë e Sllupçanit, Mateçit, Hotlës, Vaksincës, Llojanit, Orizares dhe nga fshatrat tjerë.

© ZHURNAL 23.03.2019, 18:02 | T.E. | 7,954 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Më të lexuar
 
Ziadin Sela "kryeministër" e Ali Ahmeti lider i opozitës, thotë anketa më e re ?!
Blerim Reka në vitin 2015 në Kongresin tematik të BDI-së: "Presidenti s'ka kompetenca dhe duhet të jetë konsensual"
Tërmet dridhë Maqedoninë e Veriut
Ekskluzive: Siljanovska e VMRO-së qëndron në shtabin zgjedhor të Blerim Rekës në Çarshinë e Shkupit
BDI përsëri mposht Aleancën dhe Besën në Dibër
LIVE: Ali Ahmeti: Unë ofrova kandidat të përbashkët shqiptar, Ziadini dhe Bilalli e refuzuan me përbuzje
Rexhepi-Zejd: Opozita shqiptare ka bërë dy mashtrime politike në zgjedhjet presidenciale
Editorial 79.915 vota, dështim apo sukses për Blerim Rekën, ASH-në e Lëvizjen Besa ?!
Spasovski: Humbën një kolegë të ndershëm