EKSKLUZIVE: Kërkohet hetim për rektorin e UNT-së Aziz Pollozhani nga inspektorati i arsimit
maqedonia
Ekskluzive: Kërkohet hetim për rektorin e UNT-së Aziz Pollozhani nga inspektorati i arsimit

Ekskluzive: Kërkohet hetim për rektorin e UNT-së Aziz Pollozhani nga inspektorati i arsimit

Shkup, 15 Mars, Zhurnal.mk – Një kërkesë është bërë në fillim të këtij muaji tek Inspektorati Shtetëror për Arsim për të hetuar titullin ‘profesor i rregullt’ që rektori Aziz Pollozhani e mbanë në Universitetin Nënë Teresa (UNT) që nga viti 2016, mëson Zhurnal.mk.

Sipas ankesës (shih kopjen e dokumentit më poshtë, e arritur në redaksin tonë) të dorëzuar dhe të protokoluar tek inspektorati  më 4 Mars të këtij viti, nga tash për tash persona të panjohur, Pollozhani thuhet të ketë fituar titullin në fjalë në UNT në mënyrë jo të rregullt.

“Personi Aziz Pollozhani është emëruar me titullin akademik "Profesor i çrregullt" në Universitetin privat FON më 22.10.2015, titull i cili vlen vetëm për këtë institucion të lartë arsimor. Menjëherë pas marrjes së lejes për themelimin e Universitetit Nënë Tereza në shtator të vitit 2016, nga komisioni amë për themelimin e Universitetit, personi Aziz Pollozhani është emëruar si profesor i rregullt, madje kandidati Aziz Pollozhani nuk ka përmbushur asnjë nga rregullat ligjore për marrjen e këtij titulli akademik - profesor i rregullt (neni 136 nga Ligji për Arsim të lartë - 2016),” thuhet në ankesë.

“Personi Aziz Pollozhani gjatë emërimit si profesor i rregullt ka parashtruar titullin profesor i çrregullt nga Universiteti FON, që do të thotë se në momentin e emërimit si profesor i rregullt, personi i lartpërmendur nuk ka pasur asnjë titull profesor i çrregullt,” vazhdon më tutje ankesa.

Më tutje në ankesë kërkohet nga inspektorati që të niset një hetim për mënyrën se si Pollozhani e mori këtë titull në UNT dhe nëse kjo është në përplasje me ligjet në fuqi për arsimin e lartë, e në rast të konfirmimit të parregullsive të dyshuara që ai edhe të shkarkohet i rektorit në UNT.

“Kërkojmë nga Inspektorati arsimor shtetëror të ngritë procedurë për vërtetimin e gjendjes faktike për shënimet e lartpërmendura, dhe në rast të vërtetimit të shkeljeve ligjore të lartpërmendura të ndërmarrë masa për shkarkimin e personit Aziz Pollozhani nga funksioni Rektor i Universitetit Nënë Tereza, funksion i cili nuk mundet të fitohet pa u emëruar së pari profesor i rregullt,” thuhet në ankesë.

© ZHURNAL 15.03.2019, 15:40 | B.M. | 17,138 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."