Takimi Vucis - Dimitrov: Marrëveshja e Prespës e hapi rrugën për miqësi dhe bashkëpunim mes dy vendeve
maqedonia
Takimi Vucis - Dimitrov: Marrëveshja e Prespës e hapi rrugën për miqësi dhe bashkëpunim mes dy vendeve

Takimi Vucis - Dimitrov: Marrëveshja e Prespës e hapi rrugën për miqësi dhe bashkëpunim mes dy vendeve

Athinë, 15 mars – Marrëveshja e Prespës e hapi rrugën drejt miqësisë, aleancës dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat, rrugë nëpër të cilën tashmë hapërojnë dy vendet fqinje, është porosia që e dërguan Kryetari i Parlamentit grek, Nikos Vucis dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov gjatë takimit të tyre të sotëm, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Para fillimit të takimit në fjalimin drejtuar mediumeve, Vucis dhe Dimitrov folën për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, si për të dy vendet, ashtu edhe për të dy popujt. Kryetari i Parlamentit grek tha se marrëveshja ka karakter historik “jo vetëm që jep mundësi të kthejmë faqe tjetër, por është edhe shembull ndërkombëtar për zgjidhje të problemeve”, përderisa, ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme theksoi se “ndodhemi në anën e duhur të historisë”.

“Marrëveshja e ratifikuar e Prespës në përmbajtjen dhe frymën i ka të gjitha dispozitat për ta hapur rrugën nëpër të cilën tashmë hapërojmë në mënyrë që të ekzistojë miqësia, bashkëpunimi, aleanca dhe partneriteti mes dy vendeve dhe mes popullit grek dhe popullit nga Maqedonia e Veriut”, tha Vucis.

Ai u përqendrua në parlamentin si hapësirë në të cilën u zhvilluan diskutimet për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Protokollit për anëtarësim në NATO, vend para të cilit u mbajtën protesta, por edhe vend ku do të formohen komisione mes parlamenteve të të dy vendeve.

“Parlamenti grek në të njejtën kohë është edhe vend ku së shpejti mund të bëhen hapa për formimin e komisioneve parlamentare të miqësisë mes deputetëve nga të dy parlamentet, ku, gjithashtu, mund të bëhen të gjitha hapat që kanë të bëjnë me përpjekjet nëse për finalizimin e procesit të anëtarësimit të vendit tuaj në NATO, nëse për hapat në vitet e ardhshme që kanë të bëjnë me integrimin e të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor, por edhe vendit tuaj në BE. Ato janë hapat tuaj, ju do të lëvizni, por ne, do të ndihmojmë aq sa mundemi”, theksoi kryetari i Parlamentit grek.

Ministri i Punëve të Jashtme potencoi se me Marrëveshjen e Prespës u hap potencial i madh në raportet mes dy vendeve dhe theksoi se është me rëndësi të bindet secili qytetar, edhe në Greqi edhe në Maqedoni të Veriut, “se kjo ishte gjëja e duhur dhe se jemi aleatë natyror”.

“Do të duhet kohë, maturi dhe lidership, por mendoj se duke shikuar prapa Marrëveshjen e Prespës, të gjithë do të jemi krenarë, madje edhe kundërshtarët e Marrëveshjes. Dhe do t’i bindim të gjitha partitë politike dhe mendimin publik nga të dyja palët dhe nuk kam kurfarë dyshime rreth asaj”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, transmetoi MIA.

Ai sqaroi se ndryshimet janë të vështira sipas definicionit, siç është e vështirë edhe beteja me tabutë, me stereotipet, me paragjykimet.

“Por, unë me të vërtetë ndihem se jemi në anën e duhur të historisë. Mendoj se krijuam një pjesë të Evropës, në pjesën tonë të Evropës, kur Evropa po lufton për miqësi, për shpresë, për optimizëm, kundër stereotipeve, kundër trendeve të vjetra”, tha Dimitrov dhe shtoi se të gjithë janë krenarë për historinë në rajon”, “por nuk kemi mjaft të ardhme”.

Ministri i Punëve të jashtme dhe nikoqiri i tij, kryetari i Parlamentit grek folën edhe për vizitën e ardhshme të Aleksis Ciprasit në Shkup.

“Tashmë po punojmë për vizitën e kryeministrit Aleksis Cipras. Kjo, gjithashtu, do të jetë hap historik”, tha Dimitrov.

“Jam i bindur se pas kontakteve dhe vizitës së kryeministrit dhe delegacionit të madh nga ana greke në periudhën e ardhshme, në të cilën punojnë të dyja palët, do të përshpejtohen të gjitha aspektet e bashkëpunimit. Në sferën ekonomike, tregtare, turistike dhe ndërlidhjen”, theksoi Vucis, transmetoi MIA.

Në fillim të deklaratave, para takimit, Vucis dhe Dimitrov shprehën keqardhje për masakrën në Zelandë të Re.

© ZHURNAL 15.03.2019, 15:38 | Z.H. | 692 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."