Ivanovi vazhdon të kthejë ligjet e miratuara nga Kuvendi
maqedonia
Ivanovi vazhdon të kthejë ligjet e miratuara nga Kuvendi

Ivanovi vazhdon të kthejë ligjet e miratuara nga Kuvendi

Shkup, 15 mars - Presidenti Gjorge Ivanov vazhdon të kthejë të padekretuara ligjet e miratuara nga Kuvendi për shkak të mbishkrimeve me emrin e ri të ligjvënësit, pas ndryshimit të emrit të shtetit. Numri i ligjeve ka arritur në 15, tre prej të cilëve janë miratuar me shumicë prej 2/3. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se për ligjet e miratuara me 2/3 procedura konsiderohet e përfunduara dhe ata do të hynë automatikisht në fuqi, kurse ligjet e miratuara me shumicë të thjeshtë do të rikthehen në seancë plenare, me shumë gjasë më 27 mars.

"Rezulton që afati i parë i mundshëm është 28 marsi që të mund të jemi në korniza të ditëve nga dita e miratimit të ligjeve të para. Kjo korrespondon me ditën kur duhet të jetë seanca për pyetjet e deputetëve kështu që një ditë përpara është e pritshme që në seancë të re të vendosen edhe këto ligje që kanë kaluar më 28 shkurt" , tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Në po të njëjtën seancë, sipas Xhaferit, nuk përjashtohet mundësia që të futen edhe ligjet e miratuara disa ditë më vonë dhe të kthyera nga Ivanovi si dhe të gjithë ligjet që do të kthehen deri para fillimit të fushatës zgjedhore. Kuvendi nuk do të punojë gjatë fushatës. Për t’u respektuar afatet ligjore të rikthimit të ligjeve në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të parë, mjafton që seanca për to të konvokohet.

"Kjo situatë nuk parashikon edhe nevojën e patjetërsueshme që parlamenti të punojë edhe gjatë muajit prill, gjatë procesit zgjedhor, gjegjësisht fushatës parazgjedhore. Obligim është që në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të rikthehen. Nuk mund të parashikohet që procesi i rivotimit të ligjeve të mbyllet në një ditë", u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Xhaferi tha se pas zgjedhjeve presidenciale do të ketë situatë të re dhe do të tejkalohet gjendja aktuale. Ai nuk beson se vonesat në fuqizimin e këtyre ligjeve do të ndikojnë në vlerësim negativ nga ana e BE-së në prag të marrjes së datës për fillim të negociatave, sepse, siç shtoi, ndërkombëtarët tashmë e njohin sjelljen e Ivanovit.

© ZHURNAL 15.03.2019, 15:33 | Xh.I. | 1,974 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."