Vrau gruan për bukën, babai i kërkon falje fëmijëve!
shqiperia
Vrau gruan për bukën, babai i kërkon falje fëmijëve!

Vrau gruan për bukën, babai i kërkon falje fëmijëve!

“U kërkoj ndjesë fëmijëve të mi për këtë që kam bërë, por nuk dua ta kujtoj këtë ngjarje”, ishin këto fjalët e vetme të Sami Metushit, i cili po gjykohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Sose Metushi, në nëntor të 2017-ës në Kavajë.

Gjatë seancës së djeshme, Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar të merrte dëshminë e tij, por ai nuk ka pranuar të flasë, duke e lënë sallën e gjyqit. Më tej, Prokurori vazhdoi me leximin e provave të tjera shkresore për dosjen, ndërsa seanca u shty për në datën 25 mars, kur edhe do të merren dëshmitë e disa personave.

Ndërkohë, në sallë, Metushi nuk kishte asnjë të afërm, të cilët, pas ngjarjes së rëndë, e kanë braktisur. Gjykata për Krime të Rënda ka nisur gjykimin ndaj Metushit, në dhjetor të 2018-ës, ndërsa procesi është në fazën e marrjes së provave të akuzës.

I pandehuri akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, akuzë kjo që parashikon nga 35 vite deri në burgim të përjetshëm, në rast të shpalljes fajtor. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Karpen të Kavajës, rreth orës 10:30, pas një sherri që ka nisur mes çiftit, i cili shumë shpejt ka përfunduar në mënyrë tragjike.

Çifti Metushi banonte në një shtëpi të vogël njëkatëshe dhe nga martesa e tyre, kishin sjellë në jetë 5 fëmijë. Ngjarja e rëndë është njoftuar në Policinë e Kavajës nga fqinjët, të cilët kanë mësuar shumë shpejt se çfarë ka ndodhur në banesën e Sami Metushit. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka vënë në pranga autorin, i cili nuk ka bërë rezistencë apo tentativa për t’u arratisur.

Çifti Metushi kishte disa vite që ishte vendosur në fshatin Karpen, pasi më parë kanë jetuar në Elbasan. Edhe në Polici, Sami Metushi ka pranuar krimin, ndërsa është bërë e ditur se çifti kishte konflikte të shpeshta. Sipas burimeve, mësohet se sherri ditën e ngjarjes kishte nisur, pasi burri e kishte akuzuar gruan se nuk i kishte bërë rrobat dhe bukën gati. Sherri ka agravuar dhe burri e goditi me thikë disa herë Sose Metushin, e cila nuk arriti t’u mbijetonte dot plagëve të marra.

Samiu dhe Sosja ishin prindër të pesë fëmijëve, 3 djemve dhe dy vajzave, të cilat, pas divorcit, ishin kthyer në shtëpinë e prindërve, duke i shtuar më shumë hallet. Sipas dëshmive të marra nga njerëzit që i njihnin, mësohet se ata mundoheshin shumë për të siguruar sa më shumë të ardhura nga bujqësia dhe blegtoria. Përveç rritjes së gjelave të detit, siç dëshmojnë të afërmit, kishin edhe një serë afër banesës, me fitimet e së cilës përballonin jetesën.

© ZHURNAL 14.03.2019, 22:03 | T.E. | 3,138 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."