“Pranvera e dinjitetit”, përkujtohet e kaluara me mesazhe për të ardhmen
maqedonia
“Pranvera e dinjitetit”, përkujtohet e kaluara me mesazhe për të ardhmen

“Pranvera e dinjitetit”, përkujtohet e kaluara me mesazhe për të ardhmen

Tetovë, 14 mars - Pranvera e Dinjitetit për 18 vite me radhë kujton krismën e parë në këto vise kundër atyre që mohonin të drejtat e shqiptarëve me shekuj, si dhe dëshmorët e rënë të vitit 2001. Ish luftëtarët përkujtuan atë që është arritur dhe punët që ende duhen bërë edhe 18 vite pas mbarimit të luftës, për të çuar në vend amanetin e dëshmorëve.
 
“Është e vështirë të flasësh para jush pas kaq vitesh kur ne jemi ndarë nga ato ngjarje madhështore të cilat i bëmë vetë, por është ende më e vështirë të flasësh pas kaq kohësh përballë njerëzve për të cilët duhet të japim llogari  për arritjet, përjetësimin e të gjitha atyre vlerave për të cilat u flijuam, luftuam, sakrifikuam deri sa shumë prej shokëve tanë dhanë edhe jetën për një ditë më të mirë”,- deklaroi ish komandanti i Brigadës 112 Mujdin Aliu, Hazbi Lika.
 
“E kaluara jonë, sa lufta i kemi fituar kurse i kemi humbur në tavolinë, kemi humbur edhe atë çka e kemi fituar me luftë. Unë nuk dua të besoj në këtë dhe jemi dëshmitarë se çka ndodh në Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoni, elitat politike nuk flasin me një zë. Elitat politike duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për interesa kombëtare”,- tha ish komandanti i brigadës 115, Rafiz Aliti.
 
“Ju që 365 ditë luftonit me shat dhe lopatë dhe me gjitha veglat e punës sikur të ishit në luftë, ju e ndërtuat këtë kala, e cila është e para në të gjitha hapësirat shqiptare, më e mira. Ju na ndihmuat në kohën e luftës dhe na shtruat bukën, ju ishit mburoja jonë dhe pararoja jonë, meritoni shumë e më shumë se sa një orë që ne e kalojmë me Ju”,- tha kryetari i ShVL-UÇK, Fazli Veliu.
 
Të pranishëm së bashku me familjarët e dëshmorëve, bashkëluftëtarët nga vendi, Kosova dhe Shqipëria bënë homazhe dhe vendosën lule tek varrezat e dëshmorëve në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprat e tyre.
© ZHURNAL 14.03.2019, 19:08 | T.E. | 3,816 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."