Ministria e re kalon filtrin e parë në Parlament
maqedonia
Ministria e re kalon filtrin e parë në Parlament

Ministria e re kalon filtrin e parë në Parlament

Shkup, 14 mars - Propozim ligji për shuarjen e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe formimin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Midis Bashkësive, kaloi filtrin e parë në kuvend. Edhe pse ligji është mbështetur për LSDM, VMRO dhe deputetët e pavarur, deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë që përfaqësimi i drejtë të vlejë edhe për ta. Paralajmëruan edhe amendamente për përmirësimin e ligjit.

“Me ligjin e propozuar nuk janë saktësuar të drejtat e komuniteteve më të vogla në kuadër të ministrisë. Me emërtimin e ministrisë nuk është saktësuar se për cilat komunitete bëhet fjalë: etnike, fetare, LGBT-së. Nga ana tjetër nuk është saktësuar se për cilat bashkësi do të funksionojë ministria, se çfarë bëjmë me bashkësitë më të vogla”,- tha Enes Ibrahim nga Partia për Lëvizjen Turke.

“Për komunitetin boshnjak nuk është bërë mjaftueshëm në përfaqësimin e drejtë në administratë publike dhe arsim. Ka kuadër adekuat dhe cilësor në mesin e boshnjakëve të cilët mund të kryejnë funksionet më të larta në këtë shtet sikurse ministër, zëvendësministër, sekretar shtetëror në ministrinë që do të formohet etj”,- theksoi deputeti i pavarur, Zeqir Ramçilloviq.

Deputeti i BDI-së, Ejup Alimi, njëri nga propozuesit e ligjit, tha se ministria do të mbrojë interesat e të gjitha komuniteteve pa kurrfarë përjashtimesh, me të drejtën e krijimit të politikave të reja.

“Marrëveshja e Ohrit është për të gjitha etnitetet në vend, si për etnitetin maqedonas, shqiptar, turk, vlleh, rom, serb dhe të tjerë dhe realisht institucionet e shtetit të cilat vetëm kanë funksionuar deri më tani, në kuadër të propozim ligjit i cili propozohet, nuk parashikohet që të merren ingerencat e asnjë institucioni ekzistues. Kjo ministri do të ketë mundësi që të propozojë ligje para deputetëve”,- u shpreh Ejup Alimi nga BDI.

Ministria e re do të kryejë punët që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit politik, sigurimin e mbështetjes dhe financave nga qeveria për realizimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja kornizë, avancimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe garantimin e identitetit kulturor, gjuhësor si dhe fetar. Ndryshimet ligjore do të duhet të hyjnë në fuqi më 1 qershor.

© ZHURNAL 14.03.2019, 18:54 | T.E. | 2,458 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."