Pianisti Ivo Kahanek dhe flautist Mario Mesany tandemi që solli muzikën çeke në Prishtinë
kulture
Pianisti Ivo Kahanek dhe flautist Mario Mesany tandemi që solli muzikën çeke në Prishtinë

Pianisti Ivo Kahanek dhe flautist Mario Mesany tandemi që solli muzikën çeke në Prishtinë

Pianisti Ivo Kahanek dhe flautist Mario Mesany kanë sjellë një bashkëpunim të veçantë mbrëmë në Prishtinë për ndjekësit e festivalit “Tingujt e Flautit”, shkruan KultPlus.

Ivo Kahanek dhe Mario Mesany janë të njohur në vendin e tyre në Republikën Çeken, që të dy zotërojnë shumë mirë instrumentet të cilave iu bien dhe janë fitues të disa çmimeve ndërkombëtare. Së bashku Kahanek dhe Mesany ligjërojnë edhe në Akademinë e Arteve Performuese në Pragë mirëpo Prishtina është ajo e cila i bëri që të interpretojnë për herë të parë së bashku. Kjo mundësi e ofruar është mirëpritur shumë mirë nga flautisti Mario Mesany i cili për KultPlus ka treguar se pret me padurim ditët në vazhdim dhe masterklasat me nxënësit të organizuara në kuadër të festivalit.

“Ishte një surprizë shumë e mirë. Njerëzit në Kosovë janë shumë mikpritës dhe reagimet e tyre gjatë koncertit ishin shumë mbresëlënëse”, theksoi flautisti Mesany.

Për këtë koncert flautist dhe pianistin kishin zgjedhur një program i cili vinte në pah aftësitë e tyre si një duo por edhe si solistë. Së bashku sollën “Flaute Concerto in E minor” të kompozitorit Franz Benda si dhe “Sonatina for flaute and piano” nga Eldin Burton. Mesany po ashtu solli edhe “Syrix për flaut” nga Claude Debussy. Në anën tjetër pianisti Ivo Kahanek pati pika më të gjata, si solist ai solli për të pranishmit “Sherzo in E major” të Fryderyk Chopin si dhe “Sonata 1.X. 1905 From the Street” nga Leos Janacek.

Një përzgjedhje e tillë sipas pianistit Kahanek është bërë për të sjellë para publikut një program i cili do të përfaqësonte dy instrumentet të cilat ata i luajnë por edhe që do të prezantonte para publikut muzikën çeken. Sa i përket bashkëpunimit me pianistin Mesany ai u shpreh se kjo është hera e parë mirëpo shpreson që të mos jetë e fundit.

“Besoj që çdo bashkëpunim është një ide e mire, flas këtu për bashkëpunimin me Mesany por edhe me festivalin. Ne dëshirojmë që të jemi sa më shumë të hapur ndaj mundësive të tilla. Po presim me padurim masteklasat pasi që besojmë që do ketë studentë mjaft të zot dhe dëshirojmë që të shohim se çfarë kanë për të treguar”, u shpreh pianisti Kahanek për KultPlus.

Festivali ka filluar që nga janari dhe do të vazhdojë deri në muajin maj duke sjellë për publikun koncerte, masterklasa por edhe diskutime me instrumentist, kompozitorë dhe figura të tjera të rëndësishme të muzikës. Drejtoresha e festivalit Erëmira Çitaku tregoi se deri tani çdo gjë është duke shkuar mirë edhe pse janë detyruar që të ndryshojnë lokacionin e disa ngjarjeve.

“Të dy muzikantët që i patëm sonte ishin të shkëlqyer, edhe veprat që ata sonte sollën ishin të vendeve të ndryshme si çeke, franceze dhe amerikane. Vepra e fundit amerikane ishte një premierë për publikun kosovar duke përfshirë edhe disa pjesë të tjera. Besoj që kjo ka qenë edhe një kënaqësi për ne si organizatorë por edhe për publikun i cili ishte sonte”, u shpreh Çitaku për KultPlus.

Në kuadër të festivalit “Tingujt e Flautit” do të mbahen edhe aktivitete të tjera, i ardhshmi do të jetë një prezantim dhe debat me Momchill Georgiev më 19 shkurt duke filluar nga ora 13:00, në Kino Armata./ A.H. KultPlus.com

© ZHURNAL 07.02.2019, 14:53 | E.D. | 3,539 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."