Qytetarët të kenë kujdes me “kreditë e shpejta”
ekonomi
Qytetarët të kenë kujdes me “kreditë e shpejta”

Qytetarët të kenë kujdes me “kreditë e shpejta”

Shkup, 4 shkurt - Secili shfrytëzues ka të drejtë që para kohe, kur të dëshirojë, ta kthejë tërësisht ose pjesërisht kredinë konsumatore bankare. Me këtë rast, sipas Ligjit për kredi konsumatore, dihet saktësisht se sa mund të “gjobisë” banka.

Por, në Organizatën e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) shumë shpesh mbërrijnë ankesa prej qytetarëve. Shprehen se bankat u arkëtojnë 30 për qind të shumës së tërë kredisë që kanë vendosur ta kthejnë para kohe, ndërsa sipas Ligjit “gjoba” maksimale është 0,5 deri një për qind.

– Shumë shpesh ndodh që bankat të arkëtojnë normë të madhe të gjobave me çka është dëmtuar drejtpërdrejt konsumatori. Sipas Ligjit, kreditori ka të drejtë të arkëtojë gjobë prej një për qind për kredi që ka më shumë se një vit, ndërsa 0,5 për qind për kredi që ka më pak se një vit. Nëse jeni në vitin e tretë të kthimit të kredisë suaj, ndërsa ju kanë mbetur edhe dy vite, banka guxon t’ju arkëtojë vetëm një për qindtë vlerës së përgjithshme të kredisë. Ne marrim ankesa se arkëtojnë 30 për qind të vlerës së përgjithshme të kredisë. Nëse bëhet fjalë për kredi të vogël prej 300 euro nuk është shumë para, por nëse bëhet fjalë për 100 ose 200 mijë denarë, atëherë është tashmë diskutabile, shprehet Stefan Momiq nga OKM-ja.

Sipas tij, problem tjetër, po ashtu shumë i shpesh është heqja dorë nga kontrata për kredi konsumatore.

Mund të hiqni dorë nga kredia konsumatore në afat prej 14 ditëve, ndonëse keni nënshkruar kontratë

– A ka drejtë konsumatori të heqë dorë nga kredia pa përmendur arsye? Po. Nëse nesër vendosni të shkoni në bankë për të marrë kredi, pasnesër mund ta pezulloni kërkesën. Njëjtë si te secili produkt. Është e drejta juaj, pa kurrfarë arsye të përmendur, në afat prej 14 ditëve të hiqni dorë nga marrja e kredisë. Por, sipas analizës tuaj, kjo normë është shumë shpesh e fshehur nga ana e kreditorit. Banka nuk e jep këtë opsion, nuk e përmend. Prandaj edhe konsumatori nuk është i vetëdijshëm se mund të heqë dorë nga marrja e kredisë. Praktikisht, shfrytëzohet mosinformimi i tij, thekson Momiqi.

Shoqata të sapokomponuara financiare i shfrytëzojnë qytetarët

Kohëve të fundit gjithnjë e më aktuale bëhen të a.q. kredi të shpejta. Për t’i mbrojtur konsumatorët, OKM-ja konkretisht për këtë segment nxiti ndryshime të Ligjit për kredi konsumatore.

– Ndryshimet janë reagim ndaj shoqatave të vogla, të sapokomponuara financiare që në të shumtën e rasteve janë me drejtues të huaj, ndërsa kanë ardhur nga ndonjë vend tjetër në Maqedoni dhe me këtë rast kanë gjetur vrimë në Ligjin. Tani e shfrytëzojnë edhe qytetarin e rëndomtë. Me kreditë e shpejta që i ofrojnë, nuk janë të përfshirë njerëzit me të ardhura të larta, por ata “të rëndomtët” të cilët nuk kanë kurrfarë njohurie lidhur me kreditë konsumatore. Për marrjen e kredive të këtilla nevojitet vetëm letër njoftim. Kërkohen edhe të ardhurat, por ka edhe të tillë që nuk kërkojnë. Vrima në ligjin qëndron në atë se për kredi deri 200 euro nuk nevojitet kurrfarë analize kreditore. Institucioni në rast të tillë nuk ka kurrfarë rreziku. Ai është i siguruar. Nga ana tjetër, ju ofron kredi me zero për qind interes, që është joreale. Por, në atë zero për qind interes, shpenzimet e përgjithshme në formë të provizionit dhe nënshkrimit të marrëveshjes, arrijnë 200 për qind të kredisë. Prandaj ne insistojmë në ndryshimin e këtij Ligji, sqaron Momiqi.

Me ndryshimet ligjore kërkohet të kufizohen këto shpenzime të përgjithshme, të mos mund të arrijnë 200 për qind, por të jenë maksimalisht 55 për qind.

Në rast të tillë, këtyre institucioneve të posakomponuara nuk do t’u shpaguhet të hyjnë në rrezik të këtillë. Tani, me 200 deri 300 për qind ato janë të siguruara dhe prej dhjetë njerëzve, dy t’ua mbulojnë këto mjete, mjaftojnë, shprehet Momiqi.

Qytetarët mund të kërkojnë ndihmë nga OKM-ja

Nëse konsumatori është i dëmtuar, ndërsa ka marrë kredi nga banka, duhet ta informojë Bankën Popullore, nëse kredia i është marrë nga ndonjë shoqatë financiare si këto për kredi të shpejta, duhet ta informojë Ministrinë e Financave, derisa nga ana tjetër, nëse kreditori është nga shoqata tregtare, gjegjësisht nga shitorja, atëherë duhet të informohet Inspektorati shtetëror i tregut.

– Më e arsyeshme është që secili konsumator t’i drejtohet OKM-së ku do të marrë këshillë falas, ku të drejtohet dhe cilat janë të drejtat e tij, në vend se të shpenzojë energji, duke u endur nëpër institucione, thekson Momiqi.

OKM-ja bën thirrje që para se të merret kredia të mendohet nëse është kjo me të vërtetë nevojë ose dëshirë. Nëse merret, të lexohen me kujdes kushtet dhe kontrata. Informon edhe se ekziston instrument, i a.q. Kalkulator financiar në të cilin mund të krahasohen të gjitha llojet e kredive nga të gjitha bankat dhe të përzgjidhet më adekuati, në vend se të shkohet nga banka në bankë dhe të pyetet.

– Më së miri është që asnjëherë të mos marrim borxh te ofrues joadekuat të kredive. Institucioni që jep kredi duhet të jetë i ngritur në treg, të ekzistojnë informacione për të, të ketë përvojë nga klientë tjerë. Nëse merrni kredi, atëherë është më së miri që kontratën ta keni në formë të shkruar. Insistoni në këtë, porositi Momiqi nga OKM.

© ZHURNAL 04.02.2019, 10:22 | Z.H. | 6,513 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."