Gurëzaza, qyteti ilir me vlera historike dhe natyrë mbresëlënëse (Video)
kulture
Gurëzaza, qyteti ilir me vlera historike dhe natyrë mbresëlënëse (Video)

Gurëzaza, qyteti ilir me vlera historike dhe natyrë mbresëlënëse (Video)

Gurëzeza, qyteti ilir në Cakran të Fierit, aty ku historia e pasur takohet me natyrën është një nga destinacionet turistike më të veçanta.

I ndodhur në 17 km larg qytetit të Fierit arkeologët kanë vlerësuar se Gurëzeza, emri antik i së cilës mendohet të jetë Barbyli, është po aq e rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare sa Apolonia apo Bylysi.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi në një video të publikuar prezanton historinë dhe bukurinë e natyrës në këtë qytet ilir.

“Natyrë e bukur dhe histori e pasur. Gurëzeza ka plazhe spektakolare , ballkone natyrore , kodra plot gjelbërim, , shtëpi karakteristike, fruta të egra, natyrë të bukur, aromë mali, ngjitje plot aventurë 520 m mbi nivelin e detit. Një destinacion i veçantë dhe i bukur turistik”, shprehet Subashi.

Qyteti antik gjendet i vendosur në pozicionin gjeografik, i ekspozuar në shpatin e fshatit Cakran. Muri rrethues është i gjatë 2100 m dhe sipërfaqja e përgjithshme brenda murit rrethues është 23 ha, pothuajse e barabartë me Bylysin.

Nga zbulimet e deritanishme, rezulton se gjurmët e neolitit të mesëm gjenden pranë shkollës. Gjatë gërmimeve sipërfaqësore janë siguruar objekte dhe gjetje në Varibop, që i takojnë shekulli XII para Krishtit. Gjithashtu në këtë zonë janë gjetur objekte që i takojnë VIII-VI para Krishtit.

Kulmi i zhvillimit të qytezës antike ka qenë shekulli IV para Krishtit. Gurëzeza ka shërbyer si një qendër shumë e rëndësishme ekonomike, politike e shoqërore.

Këtë e dëshmon gjetja aty e një thesari prej 3500 copë monedhash bronzi dhe argjendi. Në bazë të këtyre gjetjeve mendohet se Gurëzeza ka shërbyer si qëndra e Mbretit Ilir Monuni. Historia thekson se ky qytet mund të jetë shkatërruar gjatë luftës së tretë iliro-romake, diku në vitin 167 p.k. Gërmimet në Gurezezë datojnë në vitin 1916-1918, kur arkeologu austriak, Camillo Praschniker, kreu ekspeditën e parë.

Më pas, ato do të vijonin në vitin 1963, nga arkeologët shqiptare. Nga ky vit, vendbanimi antik iu nënshtrua disa ekspeditave me karakter informues dhe gërmues.

Gjetjet e neolitit të mesëm janë të shumta dhe përfaqësojnë një fazë më vete të zhvillimit kulturor të kësaj periudhe në vendin tonë./A.T.SH

 

© ZHURNAL 03.02.2019, 09:57 | E.D. | 895 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."