Mashtrimi si kod Janë për keqardhje ata të cilët të vetmin sukses në jetë e kanë përkatësinë kombëtare
opinion
Mashtrimi si kod Janë për keqardhje ata të cilët të vetmin sukses në jetë e kanë përkatësinë kombëtare

Mashtrimi si kod Janë për keqardhje ata të cilët të vetmin sukses në jetë e kanë përkatësinë kombëtare

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Mospërfillja e realitetit dhe mosaftësia për të konstatuar se një veprim të cilin e bën populli yt,shteti yt ose partia politike të cilës i takon nuk mundë të jetë i mirë dhe njëkohësisht të jetë i keq nëse të njejtin e bën një popull , një shtet apo një parti tjetër politike, është karakteristikë e mendjes së ngurtë që në esencë e ka urrejtjen si shtytës.

Dhe, pikërisht në atë mënyrë funksionon truri i nacional shovenistëve të cilin e ushqen propaganda nacionaliste duke e falsifikuar dhe fshehur të vërtetën, duke nxjerrë deklarata nga konteksti e duke ua ndryshuar kuptimin . Një gjë e këtillë pastaj bën që të marrin hov përrallat mbi superioritetin e një populli mbi tjetrin, zotimet për hakmarje dhe luftë, premtimet dhe nxitjet për pushtime teritoriale. Për mendjen e këtillë, masat janë thjeshtë tufa delesh ose insekte të cilat mundë të orientohen përmes dozave të urrejtjes të cilat do juinjektohen sipas nevojës dhe sipas situatës.

Kështu disi funksionon nacional-shovenizmi, ky që po e shohim e po e përjetojmë në mesin tonë dhe rreth neve, ky që nuk po e duron gjuhën e njëri tjetrit, historinë dhe përkatësinë e tjetrit, ky që urrejtjen mes kombeve rregullisht po e bartë edhe në rrafshin fetar. Fakti që bartësit e kësaj urrejtjeje të përgjithshme rregullisht përpiqen që nacionalizmin e tyre të shfrenuar t’a maskojnë me patriotizëm, vetëm flet se ata kanë nevojë që destruktivitetit të tyre t’i japin një glazurë fisnikërie me të cilën, mendojnë ata, do e fshehin qëllimin dhe dhe synimin e tyre final.

Por, nacionalizëm shovenizmi dhe patriotizmi janë dy ide të ndryshme, biles vijnë në kundërshtim me njëra tjetrën.Kjo sepse patriotizmi përveç që në thelb ka dashurinë ndaj atdheut dhe popullit, ai edhe në aspektin kulturologjik, edhe në atë ushtarak nuk është invaziv dhe nuk synon t’i imponohet tjetrit. Ndërkohë, nacionalizmi dhe shovenizmi janë thellësisht vetëmashtrues, ato synojnë sa më shumë pushtet të cilin pastaj e shfrytëzojnë për të mobilizuar masat dhe për të derdhur frustracionet dhe urrejtjen,për të përhapur tezat e superioritetit fiktiv ndaj popujve më të vegjël ose ndaj bashkëqytetarëve të vetë të një përkatësie tjetër etnike e fetare.

Ka kohë që të gjithë ne po ndeshemi me format më të neveritshme të nacionalizmit i cili, me ose pa dashje po provokon kundër reagimin tonë që për,fat të keq, nuk po dallon shumë nga nacionalizmi i të tjerëve që aq shumë po na pengon. Dhe, gjithmonë kështu, në qarkun djallëzor po hyjmë të gjithë, të pavetëdijshëm se nacionalizmi duke qenë shprehje e një paranoje individuale dhe kolektive që drejtëpërsëdrejti buron nga frika e lakmia, në fakt po e sulmon rrezikshëm ndërgjegjen tonë individuale.

Duke e përcjellur dhe duke e analizuar këtë dukuri më shumë për shkak të implikimit të sajë në marëdhëniet ndërfetare, më duhet të them se nacionalistët dhe shovenistët, pra ata që urrejnë të tjerët për shkak të përkatësisë tjetërfare kombëtare e fetare, jashtë grupit të tyre dhe” gjirit të ngrohtë ideologjik” në të cilin strehohen, në fakt janë njerëz asocial dhe vlera e tyre në shoqëri është minore. Jashtë grupit, jashtë urrejtjes, akuzave, ofendimeve e sharjeve ndaj atyre që nuk janë sikur ata, vlera e tyre nuk është veçse një zero e madhe.

Dua të ritheksoj se nacionalizmi që ndoshta në periudha të caktuara na është dukur se ka një sharm që të bën për vehte, realisht është një ideologji e banalitetit që tubon rreth vehtes injorantë e horra, është një ideologji bajate që ka mashtrimin si kod të vehtin, që jeton e mbijeton duke ua mohuar të tjerëve të drejtën e të shprehurit të vetvehtes.

Pa vlera të njëmendëta kulturore, etike, morale e estetike, nacionalizmi tregon guximin vetëm kur është i fshehur në anonimitetin që e krijon turma. I margjinalizuar dhe i zhytur në margjinat e shoqërive që synojnë progresin, ai mbetet një plagë kancerogjene të cilën nuk është edhe shumë lehtë t’a eliminosh nga skena sepse ai eliminim nënkupton një proces të mundimshëm shoqëror e intelektual . Por, mbi të gjitha dhe para së gjithash ky proces nënkupton vetëdijësimin e njeriut të rëndomtë se nacionalizmi vetvetiu paraqet negativitet dhe shkakton përgjumje të vetëdijes. Urrejtja ndaj të tjerëve e zvetënon dashurinë e vërtetë dhe të sinqertë ndaj kombit, fesë,gjuhës e kulturës tënde.

Nacionalizmi është sikur sëmundje ngjitëse që sulmon fëmijtë.Ai, në plotë kuptimin paraqet puçrat e njerëzimit , ka thënë Ajnshtajni.

© ZHURNAL 03.02.2019, 10:52 | T.E. | 9,805 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."