Presidencialet, fillon shqyrtimi publik i listës zgjedhore
maqedonia
Presidencialet, fillon shqyrtimi publik i listës zgjedhore

Presidencialet, fillon shqyrtimi publik i listës zgjedhore

Shkup, 23 shkurt - Qytetarët e moshës madhore, duke filluar që sot, do të mund të kontrollojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore dhe në rast të gabimeve eventuale, të kërkojnë korrigjimin e tyre.

"Si KSHZ apelojmë deri te të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë momentin e kontrollit ose inspektimit public të listës zgjedhore që të bëjnë kontrollin e të dhënave të tyre personale në listën zgjedhore dhe në qoftë se hasin në të dhëna të cilat nuk korrespondojnë me të dhënat e tyre të reagojnë deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, përkatësisht te zyrat rajonale të KSHZ-së", deklaroi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.

Nga sot, kandidatët për president do të mund të fillojnë mbledhjen e së paku dhjetë mijë nënshkrimeve. Zëdhënësi i KSHZ-së Admir Shabani njofton se nënshkrimet dhe dokumentacioni përkatës, në fund deponohen në KSHZ.

"Mbledhja e nënshkrimeve për kandidat për president të shtetit do të fillojë me fillimin e inspektimit publik të listës zgjedhore por do të zgjasë deri më 9 mars. Për të marrë statusin e kandidatit, personi i cili do të mbledhë nënshkrime, do të duhet të deponojë gjithsej 10 mijë nënshkrime nga votuesit e regjistruar në listën zgjedhore", theksoi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.

Në rrjedhë është edhe afati për paraqitjen e diasporës për të votuar për presidentin e ardhshëm të vendit. Votuesit jashtë vendit kanë të drejtë të paraqiten për të votuar deri më 14 mars kurse pikat e vendvotimit jashtë vendit do të varen nga paraqitjet e qytetarëve. Për hapjen e një vendvotimi duhen të paktën 10 paraqitje. Sipas Shabanit, në prag të këtij procesi, janë ndërmarrë aktivitete shtesë për shmangien e parregullsive në diasporë. Ndërkohë, rrjedh edhe afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatë të pavarur për zgjedhjet lokale në tre komunat ku do të organizohen votime. Emrat e kandidatëve partiak për kryetar komunash në KSHZ duhet të dorëzohen deri më 21 mars.

© ZHURNAL 23.02.2019, 20:21 | Xh.I. | 1,491 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."