Partitë, “luftë” për të publikuar punësimet e familjarëve
maqedonia
Partitë, “luftë” për të publikuar punësimet e familjarëve

Partitë, “luftë” për të publikuar punësimet e familjarëve

Shkup, 23 shkurt - Punësimet e familjarëve të zyrtarëve janë shndërruar në mollë sherri midis partive në pushtet dhe opozitë. LSDM-ja thotë se partizimi dhe nepotizmi i kanë mbushur institucionet shtetërore që në kohën e pushtetit të kaluar të VMRO-DPMNE-së. Zëdhënësi i LSDM-së Kostadinov bëri thirrje që edhe partia opozitare të ndjek shembullin e socialdemokratëve për të hequr dorë nga pozitat zyrtare që janë uzurpuar me lidhje familjare dhe partiake. Ai kërkoi nga kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski që të tërheqë punësimet e bëra nga vet ai në kohën kur ishte drejtor i Kompanisë energjetike ELEM.

"Pikërisht në ‘Elem Tours’ është i punësuar Goran Manasievski, kushëriri i parë i Hristijan Mickoskit. Përmes tij, u punësua edhe Nikolla Shajnovski, bashkëshorti i sekretares së partisë së Mickoskit, por edhe Kosana Mazneva, e cila është pjesë e kabinetit të partisë së tij. Paramendojeni, bashkëshortja e Mickoskit ishte punësuar në Gjimnazin “Orce NIkollov” në Shkup. Madje edhe vet Mickoski është shembull i nepotizmit, pasi që ishte asistent i babait të tij në Fakultetin e Makinerisë, Ivan Mickoski", Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

Ndonëse, Kostadinov tha se për arsye morale nga puna kanë hequr dorë nëna e tij, gjyshi i deputetit Kiracovski, djali i deputeti Misovski, vëllai dhe bashkëshorti i deputetes Mira Stojçevska, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se kërkesa e tyre për të tërhequr punësimet është de fokusim nga situata aktuale. VMRO-ja madje publikoi raste të reja të nepotizmit në Komunën e Makedonski Brodit.

"Vëllai, i deputetes së LSDM-së Aneta Dimovska-Simeska, nga pozicioni stomatolog në Ordinancë private shëndetësore, tani është emëruar drejtor në Shtëpinë e shëndetit në Makedonski Brod. Por, kjo nuk është e tëra, i njëjti vëlla Zharko Simeski ka hapur shpallje punësimi. A është e vërtetë që në atë shpallje vetë është paraqitur dhe është vetëpunësuar? Për të qenë më ironike mori specializimin, kurse Ordinanca e tij private u bë koncesioner i hapësirave në Shtëpinë e shëndetit ku është drejtor", tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër ministri Damjan Mançevski tha se do të respektoj cilindo qoftë vendim që merr Komisioni Kundër Korrupsionit, i cili filloi me shqyrtimin e procedurave për punësimin e të afërmve të zyrtarëve të lartë të ekzekutivit dhe legjislativit.

"Ne duhet t’i shohim rastet veç e veç, nëse ka ndonjë shkelje të rregullave, por këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit, këtu kemi të bëjmë me shkeljen e normave etike. Ne themi se dikush duhet të tërhiqet, nëse do të tërhiqet personin që është i punësuar apo të tërhiqet funksionari. Nuk është një vendim i lehtë, bëhet fjalë për vendime familjare. Por, nga ana tjetër ne nuk mund t’i vëmë të gjithë në të njëjtën shportë, ndonjëherë bëhet fjalë për të njerëz, që me të vërtetë janë kuadër deficitar", deklaroi Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Kohëve të fundit sa vjen e shtohet numri i të punësuarve në ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore të personave që janë në lidhje familjare zyrtarët. Kryeministri Zoran Zaev ditë më parë bëri thirrje që të  tërhiqen punësimet që dyshohen për nepotizëm si nga LSDM-ja ashtu edhe nga BDI-ja.

© ZHURNAL 23.02.2019, 19:38 | Xh.I. | 2,599 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."