" EDITORIAL " Zaev në vrap për votat e të krejt partive shqiptare
maqedonia
" Editorial " Zaev në vrap për votat e të krejt partive shqiptare

" Editorial " Zaev në vrap për votat e të krejt partive shqiptare

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mkk

Shkup, 22 Shkurt, Zhurnal.mk –
LSDM e ka të vështirë që e vetme të dalë fituese ndaj VMRO-DPMNE në zgjedhjet për kryetar të vendit në prill, por nëse krejt krerët e partive shqiptare pajtohen për të përkrahur një kandidat të përbashkët me LSDM-në atëherë gjasat e fitores të të njëjtit do të jenë shumë të mëdha.

E nëse vetëm Ali Ahmeti, Menduh Thaçi e Afrim Gashi arrijnë pajtim me Zoran Zaevin, atëherë fitorja e kandidatit të tyre të përbashkët, e i cili ka gjasa të mëdha që të jetë Nikola Dimitrov, do të vihet në pikëpytje.
 
Për të rritur gjasat që ky kandidat të fitojë ndaj Gordana Svilanoskës, do të jetë e nevojshme që edhe Ziadin Sela, e Bilall Kasami t’i bashkohen përkrahjes së kandidat të pajtuar nga partitë në koalicionin qeveritar, në mënyrë që të ketë një mobilizim më të madh të votuesve shqiptarë me 21 prill.

Krejt këto parashikime mund të jenë të sakta bazuar edhe në pjesëmarrjen dhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të Dhjetorit të vitit 2016. Në këtë skenar përkrahja e krejt partive shqiptare dhe mobilizimi i votuesve shqiptare do të bënte fitoren e kandidatit të përbashkët pothuajse të sigurt.

Bazuar po në këto rezultate të këtyre zgjedhjeve, fitorja e të njëjtit po ashtu do të jetë shumë e mundshme edhe nëse vetëm gjysma e votuesve shqiptarë do të merrnin pjesë në zgjedhje.

E pjesëmarrja më e vogël se kaq e votuesve shqiptarë do të ndërlikonte gjasat e fitores së të njëjtit kandidat dhe shtonte gjasat e fitores së Siljanovkës të përkrahur nga VMRO-DPMNE dhe partitë aleate të saj.

Në Dhjetorin e 2016 dallimi midis votave të marra nga VMRO-DPMNE dhe LSDM ishte më pak se 2 për qind (shih tabelën nr.1 )

Ndërsa bazuar në zgjedhjet për kryetar vendi në vitin 2014 (tabela nr. 2), situata bëhet më e komplikuar për kandidatin e përbashkët të partive të koalicionit, sepse sipas këtij kriteri gjysma e votave të shqiptarëve me të drejt votimi nuk do të mjaftonin.

Por, midis votave të zgjedhjeve presidenciale në 2014 e votave të zgjedhjeve parlamentare në 2016 raportet e forcave kanë ndryshuar në favor të LSDM-së.

Referendumi i vitit të kaluar për ndërrimin e emrit, përkatësisht Marrëveshjen me Greqinë, është vështirë që mund që të përdoret si kriter për tentuar marrë ndonjë pasqyrë të qartë për raportin e forcave midis partive politike tash në prag të zgjedhjeve të prillit, për shkak se ai u bojkotua nga VMRO-DPMNE.

Nëse në zgjedhjet e 21 prillit pjesëmarrja e maqedonasve dhe shqiptarëve do të jetë e ekuilibruar, përkatësisht proporcionale për nga përqindja, sikur që ishte në zgjedhjet parlamentare në 2016, atëherë pa dyshim se Gordana Siljanovska nuk do të mund ta fitojë postin e kryetares së vendit në prill.

Por, nëse votuesit shqiptarë nuk do të shfaqin interesim për të marrë pjesë, dhe nëse mbi gjysma prej tyre nuk do të votonin fare, atëherë fitorja e saj është shumë e mundshme.

Një anketë e re e bërë nga Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisje të Mirë (IHPQM) thotë se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e prillit mund të jetë  57.1 për qind , shifër kjo e cila është për afro 10 për qind më e vogël sesa përqindja e pjesëmarrjes së përgjithshme në zgjedhjet parlamentare në 2016.

Nëse është për t’u bazuar në këtë anketë atëherë kjo do të thoshte se me mbi gjysmën e votave të shqiptarëve kandidati i përbashkët i koalicionit qeverisës pritet që të fitojë postin e kryetarit të vendit.

Mirëpo, mbetet që të shihet se cila do të jetë pjesëmarrja e vërtetë e krejt elektoratit partiak, pra atij shqiptar, e elektoratit të LSDM-së dhe sidomos e atij të VMRO-DPMNE-së me 21 prill.

Mobilizimi më i madh i elektoratit të VMRO-DPMNE sesa i partive në pushtet dhe atyre shqiptare në opozitë do të shtonte gjasat e fitores së Gordana Siljanovkës.

Për këso lloj kalkulimesh dhe prognozash janë të vetëdijshëm Zaevi dhe krejt liderët udhëheqësit partiak shqiptarë, dhe këtu qëndron arsyeja pse i pari i qeverisë këtyre ditëve ndodhet në vrap për të marrë pajtimin dhe përkrahjen e partive shqiptare për kandidat të përbashkët, e më pastaj në një fazë të dytë edhe mobilizimin e votuesve shqiptarë.

Zaevi tashmë duket të ketë gjetur pajtim me Ali Ahmetin, Menduh Thaçin, dhe Afrim Gashin, por jo ende edhe me Bilall Kasamin dhe sidomos jo me Ziadin Selën.

Nëse gjërat mbeten kështu siç janë, pra nëse Kasami dhe Sela nuk arrijnë pajtim me Zaevin dhe partnerët e tij qeveritar, atëherë gjërat do të jenë të ndërlikuara, sepse do të duhej një mobilizim shumë i madh i elektoratit të tre partive shqiptare në pushtet për të marrë pjesë në votim me 21 prill.

Mobilizimi i votuesve shqiptarë do të jetë i nevojshëm edhe nëse Sela dhe Kasami do të pajtoheshin për kandidat të përbashkët me koalicionin qeveritar, sepse pajtimi i krerëve partiak dhe përgjigja e votuesve të tyre megjithatë mbeten dy çështje të ndara.

Por, kjo që u tha më sipër është njëra anë e medaljes. Tjetra ka të bëjë me atë se çka do të fitonin shqiptarët në shkëmbim të votës së tyre ?

Votuesit shqiptarë ndodhen në pritje të përgjigjeve ndaj pyetjeve;

-    Pse duhet ne që të përkrahim nja kandidat maqedonas ?
-    Nëse mobilizohemi për pjesëmarrje masive çfarë fitojmë ne nga fitorja e këtij kandidati ?

Përgjigjet qëndrojnë tek ata që do t’ua kërkojnë votën, përkatësisht tek negociatat që Zaev është duke i zhvilluar me krerët e partive shqiptare .

Votuesit shqiptarë do të duhej të din se pos kërkesave dhe kompromiseve që kanë të bëjnë me interesat vetëm partiake, cilat janë ato të tjera kërkesa konkrete që dalin përtej interesave të brendshme partiake dhe që kanë të bëjnë me interesat e krejt qytetarëve shqiptarë ?

Edhe kjo përgjigje përsëri qëndron tek krerët e partive shqiptare dhe ajo ende mbetet enigmë e madhe.

Zgjedhja e një kandidati krejt të ndryshëm nga Gjorge Ivanovi, e përmbushja e interesave të brendshme partiake janë përgjigje gjysmake për votuesit shqiptarë.

© ZHURNAL 22.02.2019, 13:22 | B.M. | 12,760 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."