Eksodi aktual, në mes të kënaqësisë dhe trishtimit!
opinion
Eksodi aktual, në mes të kënaqësisë dhe trishtimit!

Eksodi aktual, në mes të kënaqësisë dhe trishtimit!

nga Lirim BEGZATI

Klima e përgjithshme që mbretëron sot në trojet tona tregon sinjale të qarta të një dështimi dhe dëshpërimi të akumuluar, që vazhdojnë të mbizotërojnë pareshtur, dhe që e favorizojnë “shijen” e njeriut të vendit të largohet nga trojet e veta!

Sa për keqardhje kjo situatë! E ndërkohë, sa vështirë të gjendet personi që e lëshon vendin e vetë, vetëm për punë “qejfi”! Domethënë, një proces rrethanash imponuese, e ndërkohë një çështje jo aq e befasueshme!

Nuk gjejmë sot ndonjë studim të besueshëm që do të na mundësonte me e kuptuar plotësisht dhe ashtu siç duhet këtë aktualitet, këtë dukuri, dhe pasojat afatgjate të cilat kanë me na përcjellur dhe që nuk e kanë ndërmend me na harruar!

Po pra, këto pasoja, nuk janë vetëm demografike, pasi që ata shtrihen me siguri në rrafshe të shumta, siç janë ekonomike, shoqërore, kulturore, gjuhësore, e shumë të tjera.
Nuk dihet tani saktësisht, se a punohet mjaftueshëm në këtë drejtim analizash, por edhe ta zëmë se kontributi nuk mungon, atëherë çfarë mundësish ekzistojnë për me i’a arritur që ta kuptojmë realisht atë çka është duke ndodhur ?!

Pa marrë parasysh këtë, çdo hulumtim duhet të mbështetet në vlerësime paraprake të kujdesshme; vështirë me u futur në “lëkurën” e dikujt tjetër, jo aq lehtë me i kuptuar të gjitha rrethanat që i’a imponojnë një personi apo familje të caktuar që të largohet nga vendi i vetë!
Duhet kuptuar gjithashtu shprehjen e indinjatës së një pjese të popullatës, që e ka humbur shpresën për gjetjen e zgjidhjeve jetësore në vendin e vetë, por edhe revoltën e atyre që nuk iu dha aq shumë rasti dhe mundësia që të dëgjojnë ofertat tona të punës, e tani duhet ti dëgjojnë ofertat e të tjerëve, të të huajve!

Në kontekstin e krijuar, shprehja e “entuziazmit”  nga disa - për me shkuar jashtë - është e kuptueshme, gati se për shumicën prej nesh ; skamja, varfëria, politikat e dështuara, humbja e perspektivës për punë në vendin e vetë, një emërues ky i përbashkët i një problemi aq të përfolur dhe të njohur, të pakontestueshëm!

Vendet tona vazhdojnë kështu ritmin e « boshatisjes », të eksodit! Çka na përkujton kjo? Me siguri kurrgjë tjetër, përveç se një përvojë të kalitur në analet e migrimit dhe të një tradite! Na përkujton ca shembuj të së kaluarës, të tashmes pra, por duket edhe të ardhmes. Kurrgjë s’ka përfunduar !

Nuk ka nevojë këtu që t’i gjurmojmë të gjitha arsyet që e sqarojnë këtë fenomen, por as formulat për gjetjen e zgjidhjeve magjike, aq e kuptueshme kjo, sidomos në kontekstin tonë aktual! S’ka nevojë me treguar ndonjë qëndrim vlerësues tepër të ashpër ndaj protagonistëve të ndryshëm. Pasi që ambicioni i tillë do të ishte i tepruar! Kërkohet thjeshtë një kontribut, por e pranojmë se vështirë ta definojmë atë, ashtu siç do të dëshironim ne!

Nuk është koha që të tregohet vetëm kureshtja në cilësinë e një « spektatori », ndaj një çështje që mund të ketë pasoja të shumëfishta afatgjate. Kërkohet pra një përgjegjësi serioze, ndaj një problematike që i prek horizontet e ndryshme të shoqërive tona. Kërkohet një angazhim individual dhe kolektivë, kështu që mos me i lënë të gjitha fajet në barë të politikës!

I’a vlen megjithatë me thënë këtë: « rentabiliteti i zbehtë » i veprimit politik ndaj problemit të eksodit, nuk do të duhej të mbizotërojë në kuadër të reflektimeve për synimin e gjetjes së ndonjë zgjidhje, qoftë ajo simbolike për zbutjen e dukurisë së largimeve masive.

© ZHURNAL 01.02.2019, 09:23 | B.M. | 2,230 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."