Një milion franga investim në tetë qendra planore: Qytetarët të propozojnë projektet prioritare
maqedonia
Një milion franga investim në tetë qendra planore: Qytetarët të propozojnë projektet prioritare

Një milion franga investim në tetë qendra planore: Qytetarët të propozojnë projektet prioritare

Tetovë, 18 shkurt - Idetë më gjeniale që burojnë nga qytetarët, do të mbështeten nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Ministri Suhejl Fazliu ka nisur organizimin e forumeve për të informuar qytetarët rreth fitimit të këtyre projekteve.

“Në kuadër të projektit është edhe komponenta e cila parasheh organizimin e forumeve në të cilët vet qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë bashkë me bizneset të japin mendim dhe të caktojnë prioritetet dhe nevojat për projektet të cilat ata kanë më së shumti nevojë ndërsa nga ana jonë do të financohet një projekt i cili do të jetë më prioritet nga vetë qytetarët në vlerë prej 100 e 11 mijë franga zvicerane, gjithashtu në kuadër të projektit do të financohen projekte edhe në të gjithë 8 qendrat planore në vlerë rreth 1 milion franga zvicerane”, potencoi Suhejl Fazliu Ministër i Vetqeverisjes Lokale.

Ndërsa kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi shprehet se forumet në bashkësi janë për të diskutuar se cilat projekte do të financohen.

“Nëse flasim si Komuna e Tetovës normal se ne kemi projekte të gatshme të cilat zakonisht na duhen për të konkuruar në vende të ndryshme dhe për këtë arsye normalisht që kemi projektet tona, por njëkohësisht si qendër për zhvillimin e rajonit planor normalisht kemi projektet tona, por forumet në bashkësi për këtë arsye edhe janë, në fakt kanë për qëllim të diskutojnë dhe të arrijnë një dakordim të përbashkët se cili projekt do të financohet”, theksoi Teuta Arifi Kryetare e Komunës së Tetovës.

Ndërkaq kreu i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari porositi që shpërndarja e mjeteve të bëhet në mënyrë të barabartë.

“Shpresoj që ajo shpërndarje e mjeteve për investime në të gjithë rajonin e Pollogut të bëhet e barabartë dhe pa e diskriminuar asnjë komunë prej 9 komunave gjithsej që janë në rajonin e Pollogut. I kemi parashtruar kërkesat tona, i kemi edhe projektet me vete, do t’i bashkëbisedojmë”, u shpreh Arben Taravari Kryetar i Komunës së Gostivarit.

Fazliu nënvizoi se zhvillimi i barabartë rajonal duhet të jetë imperativ i gjithë politikës zhvillimore e shtetërore. Ambasada e Zvicrës është mbështetëse e këtyre projekteve. Qytetarët në përgjithësi kanë pak informacion rreth thithjes së fondeve të jashtme.

© ZHURNAL 18.02.2019, 20:29 | T.E. | 3,991 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."