" EDITORIAL - ZHURNAL-KS" Kosovë-Serbi: Opsionet, pikëpyetjet e rreziqet për një marrëveshje “historike”
kosova
" Editorial - Zhurnal-KS" Kosovë-Serbi: Opsionet, pikëpyetjet e rreziqet për një marrëveshje “historike”

" Editorial - Zhurnal-KS" Kosovë-Serbi: Opsionet, pikëpyetjet e rreziqet për një marrëveshje “historike”

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal-KS.com
 
Prishtinë, 18 Shkurt, Zhurnal.mk - Një marrëveshje  ‘historike’ ndërmjet Kosovës dhe  Serbisë  shpresohet se do t’i jepte  fund konfliktit midis të dy shteteve e  të hapte edhe rrugën për  integrime në BE dhe NATO për Kosovën, duke e bërë Ballkanin Perëndimor në një rajon paqeje e prosperiteti.

Por, opsionet e një marrëveshje të tillë ende janë të paqarta, me shumë dilema e konspiracion e madje idetë e shfaqura nga kryetarët e Kosovës dhe Serbisë për ndryshim kufijsh mund të jenë krejtësisht në shërbim të destabilizimit të rajonit.

Kosova në këto 20 vjet asnjëherë nuk ka qenë më e përçarë politikisht sesa sot. Fajin kryesor për këtë përçarje gjendet në adresë të Presidenti Hashim Thaçi i cili po e promovon kokë në vete ndryshimin/korrigjimin e kufirit me Serbinë si opsion për një marrëveshje eventuale përfundimtare.

Mungesa e transparencës dhe paaftësia (apo refuzimi) e Thaçit për ta artikuluar politikisht këtë ide e tensionoi situatën politike sa edhe brenda vetë koalicionit qeverisës duket se ka shumë mospajtime.

Kryeministri Ramush Haradinaj kategorikisht është kundër korrigjimit të kufijve me Serbinë. Kundër janë edhe partitë opozitare, ndërsa PDK-ja po manovron me deklarata herë kundër korrigjimit të kufijve e herë i duke dalë krah Presidentit Thaçi.

Nga palët e tjera deri më tash kryesisht pati vetëm kundërshtime por jo edhe ide e propozime konkrete se çfarë qëndrimi duhet të mbajë Kosova karshi dialogut me Serbinë.

Platforma e hartuar nga ekipi negociator i kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, nëse miratohet si e tillë nga parlamenti vendor, do të mund deri diku të përafronte qëndrimet e palëve të përfshira në Kosovë dhe atë jo sipas planeve të Thaçit e Aleksandar Vuçiçit.

-Lëvizja Vetëvendosje që e promovon vetën si parti e ideve para posteve politike në fakt idetë e saj i ka shndërruar në dogmë: “O si themi ne, o nuk ka marrëveshje”. Albin Kurti është shefi i saj që nisë gjërat dhe vendos duke lënë nën hije të tjerët. Të paktën kështu tregon përvoja e largimit të një pjese të anëtarëve të saj the formimit të PSD-së.

-LDK-ja, nuk ka ndonjë epitet të partisë për ide kreative, por ka përkrahur konformizmin politik, duke u thirrur gjoja në traditë e besim në institucione.

Që të dy këto parti kanë vendosur të mos përfshihen në ekipin negociator. Mbetet të shihet se cili do të jetë kontributi i tyre në platformën e propozuar nga ekipi në fjalë, kur ajo të fillojë që të shqyrtohet në parlament këtë javë.

-PDK-ja po ashtu nuk është parti që prodhon ide por ka shfaqur një dëgjueshmëri absolute karshi BE-së dhe SHBA-ve, prandaj edhe ka fituar epitetin se është parti e kompromiseve politike me ide të huaja, varësisht nga situatat e krijuara dhe ndërhyrjet nga jashtë. Kadri Veseli është ai i cili mbizotëron të menduarit dhe vendim-marrjen brenda dhe në emër të partisë, njëjtë sikur bënte dikur Thaçi aty.

-AAK-ja është parti krejtësisht lideriste dhe të gjitha mekanizmat partiak janë formal. Përvoja e deritashme tregon se aty vendos Ramush Haradinaj dhe askush tjetër.

-NISMA ende ndodhet në formësimin e saj midis demokracisë së brendshme partiake dhe liderizmit.

Para publikut që të gjitha partitë thonë se janë kundër idesë së Thaçit për ndryshim/korrigjim të kufijve të Kosovës. Më i zëshmi dhe konsistent ishte dhe mbetet Kryeministri Ramush Haradinaj.

Kështu që idetë dhe planet e Thaçit dhe të Vuçiçit për “korrigjimi” të kufirit midis të të shteteve, duke këmbyer territore ende mbeten të paqarta. Edhe epilogu i tyre, po ashtu.

Nuk dihet saktësisht se çka ata kanë në kokat e tyre, se çka janë të gatshëm që të japin e çka të marrin si territor në shkëmbim të njohjes së pavarësisë.

Mbetet i paqartë edhe statuti e fati i Asociacionit të Komunave Serbe (ASM) të premtuar e nënshkruar në Bruksel nga PDK dhe LDK, edhe pse që të gjithë thonë se ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive e as që do të jetë pushtet i tretë.
 
Sido që të jetë, ideja e “korrigjimit” të kufijve nuk pritet që të krijojë stabilitet ndërmjet dy shteteve dhe përqafimi i kësaj ideje do të ishte gabimi më i madh që do të bënte lidershipi politik në Kosovë.

Me insistimet e Thaçit e Vuçiçit për ndryshim e “korrigjim” të kufijve tash është krijuar një situatë shumë e paqartë politikisht dhe e rrezikshme për fatin e Kosovës dhe kufijtë e saj ekzistues, por edhe për rajonin ballkanik.

Këtë e artikuloi qartë Gjermania, duke e bërë të qartë precedentin që ndryshimi i kufijve do të kishte ndikim domino të rrezikshëm në tërë rajonin.

Ditë më parë Gjermania e bëri të qartë qëndrimin e saj për integritetin territorial të Kosovës edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB, kur ambasadori i saj i tha Serbisë se nëse do që të anëtarësohet në BE ajo duhet ta njohë shtetin e Kosovës duke potencuar kundërshtinë e Berlinit për ndryshim kufijsh.

Lidershipi politik në Kosovë, do të duhej të jetë konsistent për të mos pranuar asnjë opsion që shkon në dëm të integritetit territorial të Kosovës. Bazë e çdo marrëveshje duhet që të jetë Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës.

Bashkërendimi i vendimeve të Prishtinës me këto qëndrime të Gjermanisë është mënyrë e shkëlqyeshme e mbrojtjes dhe ruajtjes së integritetit territorial të vendit nga rreziku i ideve të Thaçit dhe Vuçiçit dhe përkrahësve të tyre.

Duke u bazuar në Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës dhe duke qenë unik, e në kundërshtim të ideve të Thaçit e Vuçiçit, qeveria e Kosovës, partitë opozitare dhe parlamenti do të mund të eliminonin gradualisht edhe presionin e ndonjë pjese të shteteve të huaja për të pranuar zgjidhje tjetër në dëm të kufijve dhe territorit të tashëm të vendit të përcaktuar me Kushtetutë.

Gjykata Ndërkombëtare e ka legjitimuar juridikisht pavarësinë e Kosovës. Kosova i ka të gjitha argumentet politike e juridike përmes të cilëve mund ta mbrojë shkëlqyeshëm shtetin, ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e saj para çdo paneli, qoftë politik, qoftë juridik.

© ZHURNAL 18.02.2019, 14:09 | B.M. | 7,928 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."