" EDITORIAL " Siljanovska, një VMRO-DPMNE kopje e Ivanovit kundër gjuhës shqipe
maqedonia
" Editorial " Siljanovska, një VMRO-DPMNE kopje e Ivanovit kundër gjuhës shqipe

" Editorial " Siljanovska, një VMRO-DPMNE kopje e Ivanovit kundër gjuhës shqipe

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk


Shkup, 18 Shkurt, Zhurnal.mk –
Kryetari i një shteti shumë-etnik, siç është Maqedonia e Veriut, do të duhej të jetë kryetar që shërben për interesat e krejt qytetarëve të vendit. E në rastin e Maqedonisë së Veriut, të jetë pra në shërbim të maqedonasve, shqiptarëve, turqve... etj, pa asnjë dallim.

Të zgjedhesh në postin e kryetarit të vendit nga një pjesë e elektoratit nuk i jep asnjë kandidati të drejtën që të jetë në shërbim të vetëm të asaj pjese të elektoratit apo të përkatësisë etnike të caktuar e të jesh kundër interesave dhe të drejtave të pjesës tjetër të elektoratit, përkatësisht pjesës tjetër etnike.

I tillë ishte Gjorge Ivanov. Ai ishte dhe mbetet kundërshtar i madh i zgjerimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

VMRO-DPMNE e zgjodhi Ivanovin dhe ai mbeti 100% në shërbim të politikave të partisë që e solli në këtë pozitë shtetërore.

Kjo parti nuk po jep asnjë shenjë ndryshimi të politikave të saj ndaj shqiptarëve të vendit.

Tash VMRO-DPMNE u përcaktua për Gordana Siljanovkën për kandidate për kryetare të vendit në zgjedhjet e 21 Prillit.  Qëndrimet e saj për gjuhën shqipe janë 100% kopje e qëndrimeve të kësaj partie dhe të Ivanovit.

Ivanovi ishte zëdhënës i zëshëm i VMRO-DPMNE kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kundër ligjit të ri për gjuhën shqipe.

“Propozim-ligji për gjuhët, që në Parlament dy herë u miratua me procedurë të shkurtër, është anti-kushtetues dhe rrënon frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Nenet që ky ligj parasheh përdorimin e shqipes për uniformat dhe simbolet, si dhe në gjyqësor, janë çështje që duhet të sillen me shumicën e dyfishtë dhe jo me 61 vota. E treta, ky ligj nuk thirret në asnjë rregullativë apo direktivë të Bashkimit Evropian që i njëjti të jetë me flamur evropian dhe të miratohet me procedurë të shkurtër. Veç kësaj, miratimi është edhe në kundërshtim me Rregulloren e Parlamentit”, ka thënë Siljanovska.

Sikur Siljanovska, e në rastin konkret Ivanovi e VMRO-DPMNE të ishin në favor të zgjerimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, të njëjtit do të merreshin me kushtetutën krejt në mënyrë tjetër.

Sikur të ishin përkrahës të përdorimit krejtësisht zyrtar të gjuhës shqipe ata do të sugjeronin e të kërkonin ndryshimin e kushtetutës. Por, të njëjtit tentojnë që të fshehin qëndrimet e tyre në favor të kufizimit të përdorimit të gjuhës shqipe duke u fshehur prapa interpretimit të tyre të kushtetutës. Prandaj, VMRO-DPMNE, Ivanovi, e Siljanovska e quajnë ligjin e miratuar në Janar të vitit të kaluar për gjuhën shqipe si “anti-kushtetues”.

Qëndrime të këtilla të cilat mbeten ende të njëjta nga VMRO-DPMNE dhe njerëzit e afërt me të siç është Siljanovska, në të njëjtën kohë sikur përsëri shpalosin nevojën e ndryshimeve kushtetuese për çka njëzëri u deklaruan partitë shqiptare në Janar 2017.

Nëse diçka qenka kundër-kushtetutese, siç thonë VMRO-DPMNE, Ivanovi e Siljanovska...etj , atëherë pse nuk po ndryshohet kushtetuta ?

Ndryshimi i kushtetutës për gjuhën shqipe do të ishte mënyra më praktike e eliminimit të interpretimeve dinake të tyre të ligjit të ri, të cilat në fakt nuk janë gjë tjetër veç qëndrim nacionalist që shërben për kufizimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Përderisa të njëjtit mbesin kundërshtar të zgjerimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, definitivisht Siljanovska dhe ata që e emëruan nuk mund të jenë në shërbim të krejt qytetarëve të Maqedonisë. Definitivisht jo në shërbim të shqiptarëve të saj.

Të jesh kundër gjuhës shqipe, përkatësisht kundër përdorimit të lirshëm dhe krejtësisht e kudo zyrtar të gjuhës të 25 për qind të qytetarëve të vendit, siç janë kundër VMRO-DPMNE, Ivanov e Siljanovska nuk është gjë tjetër veç mendësi nacionaliste në dëm të po kësaj pjese të qytetarëve të Maqedonisë së veriut.

© ZHURNAL 18.02.2019, 11:57 | B.M. | 7,986 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."