REPORTAZH NGA BURGU I IDRIZOVËS Femrat vuajnë dënimin sikur burrat! (Rrëfime personale)
maqedonia
Reportazh nga burgu i Idrizovës Femrat vuajnë dënimin sikur burrat! (Rrëfime personale)

Reportazh nga burgu i Idrizovës Femrat vuajnë dënimin sikur burrat! (Rrëfime personale)

Shkup, 17 shkurt – Katërdhjetë e gjashtë të burgosura janë vendosur në repartin e femrave në burgun më të madh në vend, Idrizovë. Më e reja është rreth moshës 20 vjeçe – e dënuar për shitje të drogës, më e moshuara rreth 60 – e dënuar për vrasjen e bashkëshortit, i cili, siç rrëfeu gjatë bisedës me ekipin e MIA-s, me vite të tëra ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike mbi të. Vetëm në Idrizovë ekziston repart i posaçëm për gra, ku dënimin me burg e vuajnë të dënuara nga gjithë territori i vendit, të cilat janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm dënim me burg ose burg për të mitur pavarësisht nga lartësia e dënimit.

Femrat e paraburgosura janë të vendosura në hapësira të posaçme në repartet e paraburgimit në burgjet që janë institucione të llojit gjysmë të mbyllur.

Përveçse për ushqimin në burg, femrat e burgosura qepin edhe çarçafë, ndërsa ndjekin edhe trajnime për floktare. Megjithatë, për t’i kaluar trajnimet për qepje dhe floktare duhet doemos të kenë kryer arsimin fillor, ndërsa shumica e tyre nuk e kanë atë. Kanë një edukatore, e cila kujdeset për risocializimin e tyre. Në mesin e të burgosurave ka interes që të marrin arsim plotësues, rreth 26 prej tyre nuk kanë mbaruar arsimin fillor, por siç na treguan nga Drejtoria ata janë me dënime më të vogla, atje për shembull nuk ka asnjë të dënuar që vuan burgim të përjetshëm, dënimi më i lartë është 20 vite për vrasje, të tjerat në mesatare janë nga pesë vite në të shumtën e rasteve për grabitje, vjedhje, shitje të drogës, por ka edhe të tilla për vrasje. “Posa të fillojnë arsimimin, do të dalin nga burg, e më pas jashtë nuk e vazhdojnë”, na treguan nga Drejtoria.

Nëse janë të interesuar arsimin fillor e përfundojnë në repartin e meshkujve, ku vijnë arsimtarë nga Makarenko, me të cilën Drejtoria e burgut ka lidhur marrëveshje. Ka pasur disa propozime nga Ministria e Arsimit që të bëhet një lloj i mësimit të kombinuar që në periudhë sa më të shkurtër kohore të formohet arsimi fillor, të shkurtohet për shembull tri vite në një.

Nga Drejtoria na thanë se shumica e grave që janë të dënuara për vrasjen e bashkëshortëve kanë qenë viktima të dhunës familjare, për shkak të cilës arsye marrin edhe dënime më të vogla, por i tillë nuk është rasti me Shefi Jakupin me prejardhje nga Kërçova, e cila që në moshën 19 vjeçe ka shkuar të jetojë në Gjermani, ka krijuar familje me bashkëshortin e saj, ndërsa sipas asaj që ajo e tregon në moshën 54 vjeçe pas disa viteve të dhunës së pësuar psikike dhe fizike e ka vrarë, e ka prerë trupin e tij në copa dhe e ka hedhur në nevojtore.

Rasti, i cili në mediat në vitin 2008 ishte i njohur si “Kasapja nga Dyzeldorfi”. Është dënuar me 20 vjet burg. Ka vuajtur nëntë, ndërsa dy vite e gjysmë ka qenë edhe në Demir Hisar, por ato nuk i janë llogaritur në dënimin. Me dhimbje në sy thotë se është përgjegjëse për krimin, porse asnjëherë nuk ka arritur ta tregojë historinë e saj.

Tani ka 64 vjet, në bisedën për MIA-n shprehet se është e sëmurë, jeton me një veshkë dhe me gurë në mëlçi, ndërsa në burg nuk i japin terapi adekuate.

Shprehet se për vrasjen e bashkëshortëve, gra të tjera që u janë nënshtruar dhunës vuajnë shumë më pak, njëra është dënuar me pesë vjet, ndërsa ka dalë pas katër vitesh.

“Krimin e kam kryer në Gjermani, por nuk më pyetje pse, unë jam grua e keqtrajtuar, të vjen dikush të më pyet, atëherë isha 54-vjeçe, ndërsa bashkëshorti ishte 60 vjeç. Kam shtatë nipa që nuk i kam parë me vite të tëra, kam edhe 11 vite burg, nuk kam ku të ankohem, unë nuk di të gënjej, të mashtroj, këtu bëjnë intriga, japin, marrin. Rasti im ishte mbrojtje, deri tani nuk kam thënë asgjë, nuk dija maqedonisht, isha e tronditur, unë jam nga Kërçova. Dua ta tregoj fatin tim, e nëse duhet le të më japin edhe 20 vite, le të më varin, le të më vrasin. Dua ta tregoj fatin tim, në gjykatë nuk e tregova. Isha në shok nën terapi, por unë nuk kam nevojë për terapia isha në hall nga një burrë, tani nuk përdori terapi, nuk më nevojiten. Por atë që kam vuajtur unë, unë e them sinqerisht, unë jam grua e sinqertë. Një avokat atëherë më thoshte të hesht, na tregoi ajo”, duke folur maqedonisht me një theks të dalluar gjerman.

Na i tregoi fotografitë e fëmijëve, nipërve, na tregoi se ka qenë amvise, është kujdesur për familjen, i ka rritur fëmijët e saj, por në një moment, siç na tha, ka shpërthyer nga kushtet në të cilat ka jetuar.

“Biri im këtu nuk ka drejtësi, këtu ka vetëm të të shkatërrojnë. Secili njeri bën gabime, por këtë gabim pse do ta kisha bërë, unë desha ta ruaj familjen, ai ma mbylli derën, të mos dalë jashtë, të më therë, nga ora tetë deri në dy e gjysmë atë ditë jemi therur, vazhdimisht ishte i dehur, pas lavireve, fshihte para prej meje, unë isha amvise, e zellshme, pedante”, e rrëfen anën e saj të historinë Shefie Jakupi, e cila thotë se gjatë procesit gjyqësor është këshilluar nga avokatët që të heshtë që të mos zbulojë shumë detaje.
Reparti i femrave me kushte më humane

Qeli të rregulluara, shtretër të rregulluar, stikerë nëpër mure, e diku edhe tepihë, ishte pamja që, siç edhe u ngjan grave, binte në sy në qelitë e tyre. Në të gjitha “pansionet” kishte televizorë, tavolina dhe karrige. Shumica u lëvduan për kushtet e mira, ushqimin e shkëlqyeshëm, por kishte edhe përjashtime që u ankuan se në qelitë është ftohtë dhe se nuk kanë mbrojte përkatëse shëndetësore.

Në repartin e femrave nuk guxojnë të hyjnë burra, policet e burgut janë gra. Trembëdhjetë gra police kujdesen për sigurinë, nga tri në një turn.

Në repartin e hapur ka katër dhoma dhe rreth dhjetë të burgosura, ndërsa në njërën prej tyre një grua 30 vjeçare, e cila aty është shtatë vite e gjysmë dhe i kanë mbetur edhe tri.

Është e dënuar për bashkëpjesëmarrje në vrasje, që e ka kryer babai i saj dhe për grabitje. Në burg ka ardhur në moshën 21 vjeçare, një vit ka qenë jashtë për shkak të shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës.

“Këtu punoj në lavanderi dhe asnjëherë nuk do të isha kthyer. Kur të dal do t’i përkushtohem bebes, punës, nëse do të mundesha, kam familjarë jashtë vendit do të shkoja atje”, shprehet ajo gjatë bisedës me gazetarët e MIA-s.

“Së pari, nuk kemi dritare, kemi ngrirë. Ka lagështi, lajmëruam që të riparohet dera, por kjo nuk ndodhi, xhamat janë të depërtueshëm, janë të thyer, gjatë natës ngrijmë. Ngrohemi me ngrohje qendrore, por nuk e lëshojnë vazhdimisht. Unë duhej të shkoj sot, por bëra një gabim, kam shkruar lutje, isha shumë e droguar bëra gabim, vuaj për grabitje”, deklaroi për MIA-n njëra prej të burgosurave gjatë bisedës.

Është e dënuar dy vjet, por me amnistinë dënimi i është ulur në 11 muaj. Është dashur të shkojë ditën kur e vizituam burgun, por për shkak se ka tentuar të fusë drogë – marihuanë dhe kokainë në burg, është shtyrë lirimi i saj.

Nuk ka mbaruar arsimin fillor, është nënë prind i vetëm i dy fëmijëve, ka qenë e varur prej metadonave, por shprehet se tashmë nëntë muaj në burg nuk merr terapi.

Të burgosurat u ankuan se nuk i kanë lëshuar me kohë kur e mbarojnë vuajtjen e dënimit me burg, se dokumentet për lirimin e tyre ngecin diku nëpër labirintet administrative të Drejtorisë. Shprehen se nuk ka koordinim mes gjyqësorit dhe burgjeve ndaj në vend se të dalin në ditën kur e kanë përfunduar vuajtjen e dënimit, ndonjëherë mbeten edhe deri një muaj më shumë në burg.

Nuk ka zënka mes grave, madje edhe rrahje, ka recidiviste, disa të dënuara për herë të tretë ose të katërt gjenden në këtë burg. Ekipi i MIA-s kishte rastin ta vizitojë edhe birucën në repartin e femrave, por sipas të gjitha gjasave ajo nuk është në funksion, ndërsa nga Drejtoria na bënë të ditur se për arsye humane i shmangen përdorimit të saj.

Edhe femrat e burgosura gjatë bisedës për MIA-n shprehen se ka korrupsion në këtë burg, e në repartin e tyre, sipas pohimeve të tyre, madje edhe një lloj i prostitucionit.

“Mund të punosh për Drejtorinë. Në mbrëmje shohim se si disa nga të burgosurat dalin, vajzat nga pjesa e mbyllur këtu, në mbrëmje punojnë për Drejtorinë. Ato që janë të dënuar në më shumë vite dhe askush nuk u dërgon paketa kanë dikë në Drejtorinë”, deklaroi njëra nga të burgosurat, e cila kërkoi të mbetet anonime. Në pyetjen tonë a u paguhet për ato aventura të natës, ajo na u përgjigj se paguhet me privilegje. “Ata i kanë të gjitha kompetencat në burg, u japin frigoriferë, televizorë, shprehet ajo.

Personat që vuajnë dënimin me burg mes tjerash duhet të risocializohen, në njëfarë mënyre të riedukohen që të integrohen në jetesën shoqërore pas daljes së tyre. Në Idrizovë në këtë moment risocializimi është anë e dobët, shumica e të burgosurve na u ankuan se nuk janë të angazhuar me punë, ndërsa Drejtoria nëse dëshiron ta bëjë këtë i ka duart e lidhura për shkak se të famshmet “Ekonomia” dhe “Preporod” thuajse edhe nuk funksionojnë.

Femrat e burgosura punojnë në kuzhinë ose ato që kanë filloren mund të ndjekin kurs për qepje dhe floktari. Burrat mund të punojnë në kantinën, në punëtorinë automekanike, të gatuajnë bukë. Programet speciale psikologjike për punë me ta nuk zbatohen, psikologë kanë, me numër janë katër, por ata janë këtu vetëm nëse ndonjë i burgosur kërkon ndihmën e tyre.

Për dallim prej para një viti kur të punësuarit në sektorë për risocializim ishin jashtë godinës së burgut, tani janë vendosur në repartin e mbyllur me orar pune prej orës 8 deri në orën 16. Janë punësuar 29 persona.

“Më parë kishte 1.900 të burgosur, vetë pamja ju tregon se me një numër të tillë të edukatorëve nuk mund të realizohet programi për risocializim, që ai të shkojë në drejtimin e duhur. Në këtë moment situata është 35 deri 45 të burgosur në grup në çdo edukator. Këto dhjetë muaj qëkur unë kam ardhur edukatorët janë vendosur në hapësirën e tyre. Fatkeqësisht, kur erdha unë edukatorët ishin jashtë, nuk ishin me të burgosurit. Tani gjithë orarin e punës, prej orës 8 deri në orën 16, edukatorët janë brenda, bashkë me të burgosurit. E njëjta ndodhë edhe në ndërtesën, në pjesën gjysmë të hapur, të hapur edhe këtu edhe në Veles. Pjesën e afërsisë së drejtpërdrejtë me të burgosurit e tejkaluam, në këtë moment kemi vazhdimësi me shërbimin juridik, qasje deri te psikologu dhe punëtori social. Të gjitha problemet që i kanë duhet t’i zgjidhim sa më shpejtë”, shprehet drejtori i burgut, Bobi Mojsovski gjatë bisedës me gazetarët e MIA-s.

E pyetëm a kanë ndonjë program, si zbatohet risocializimi na tha se kur ka ardhur në këtë post ka hasur në një pasqyrë të tmerrshme me “Ekonominë” me 28 paga të papranuara, në “Preporod” ka punuar vetëm pjesa e kantinave, pjesa përpunuese jo.

“Qëkur kam ardhur unë gjatë kësaj periudhe disa pjesë filluam t’i aktivizojmë. Në repartin e femrave hapëm dy sallone, një për floktari dhe një për rrobaqepëse ku vetë femrat e burgosura qepin çarçafë për nevojat e burgut. Brenda në burg me ndihmën e “Pakomak”-ut na dhuruan presë, gjithë bërllokun plastikë, letër e mbledhim dhe për këtë vetë të burgosurit marrin kompensim, por edhe burgu fiton të ardhura të caktuara. Kjo është një pjesë e vogël tani për tani, faza e radhës është jemi duke e përgatitur servisin e ri në të hapur, servis shumë të ri modern, ku do të fillojmë të punojmë në mirëmbajtjen e automjeteve, jo vetëm për burgun tonë, por do të ofrojmë shërbime edhe për burgun “Shkup””, theksoi Mojsovski.

Kërkuam prej tij që të na përgjigjet pse nuk funksionon më “Ekonomia”, ndërsa ai na tregoi se ajo është pjesë e veçantë, që është nën Qeveri, për të cilën ai nuk mund të japë përgjigje.

“Një pjesë e truallit është e transformuar nga bujqësore në ndërtimore. Në këtë moment jemi në bisedime me Qeverinë, kishte edhe korrespodencë për pjesën e truallit deri nuk është filluar të ndërtohet të na e japin neve, burgut, që të mundemi në atë periudhë ta përpunojmë. Tani në këtë moment nuk kemi të drejtë që ta përpunojmë”, shprehet Mojsovski.

Ana tjetër e historisë janë të burgosurit, shumica thonë se nuk janë të angazhuar të punojnë që më shpejtë t’u kalojë koha. Disa prej tyre na thanë se burgu është “Akademi për krim”. – Kemi edukator, por që të shkosh te edukatori, do të hash shuplaka dhe nuk do të arrish të shkosh të mbërrish deri te ai. Vjen edukatori atje, do të shkosh te ai do të hash ndonjë shuplakë dhe do të kthehesh mbrapa. Këtu, edukatori në vend se të të edukojë, ai edhe më shumë ta heqë trurin, ke ndonjë hall që dëshiron ta ndash për familjen, për diçka tjetër, ai të dëbon. Roli i edukatorit është proformë, shprehet një i burgosur, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Shumica konsiderojnë se janë të degraduar me atë që nuk u japin të punojnë që ta kalojnë kohën në mënyrë të dobishme, e me këtë të mos mendojnë për krim. Një i burgosur më i moshuar na tha se kur do të dalë do të merret me nipërit dhe se do t’i mësojë të mos bëjnë gjëra të këqija.

Maqedonia shpreson se në qershor do t’i fillojë bisedimet me BE-në, Kapitulli i parë që do të hapet është 23, i cili ka të bëjë me jurisprudencën dhe të drejtat fundamentale. Këtu bëjnë pjesë edhe parandalimi i torturës dhe sistemi i burgjeve. BE-ja do ta shqyrtojë situatën në burgjet e Maqedonisë, të cilat viteve të fundit në raportet e të gjitha institucioneve relevante ishin në qendër të kritikave. Vërejtjet kanë qenë për stërngarkimin, torturën mbi të burgosurit, kushte johumane dhe substandarde për akomodim, mungesë e programeve për risocializim.

Burgu më i madh në Maqedoni, në të cilin vendosen thuajse 60 për qind e të burgosurve në vend, në të cilin mes tjerash dënimin e vuajnë 95 shtetas të huaj, rreth 40 persona të dënuar për pedofili, por edhe të dënuarit për Lagjen e Trimave, i vë gjërat në lëvizje, po lëviz nga vendi, ka përmirësime të caktuara, por nevojitet kohë dhe vullnet i fuqishëm që të vihet në baza të shëndosha dhe të sendërtohet diçka që me vite të tëra është anashkaluar. Ndërsa pikërisht burgjet do të jenë pasqyra që do të tregojë se sa vendi në fakt dëshiron të jetë evropian dhe sa do t’i respektojë të drejtat e njeriut e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim se cilës kategori i takojnë.

© ZHURNAL 17.02.2019, 14:28 | T.E. | 9,175 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."