INSIDE Decentralizimi, kurim për disa Komuna në Maqedoninë e Veriut
maqedonia
INSIDE Decentralizimi, kurim për disa Komuna në Maqedoninë e Veriut

INSIDE Decentralizimi, kurim për disa Komuna në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 16 shkurt - Decentralizimi është qendra e jetës politike dhe administrative të Maqedonisë në vitet e fundit. Fillimisht, pas pavarësisë së vendit në vitin 1991, autoritetet miratuan një strategji të centralizimit të pushtetit në mënyrë që të forcojnë kontrollin e tyre mbi të gjithë territorin.

Kjo strategji u përmbys pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Ohrit. Për të siguruar një shpërndarje më të mirë të pushtetit mes komuniteteve të ndryshme lokale që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Ohrit bëri thirrje për një reformë të decentralizimit të pushtetit. Kjo reformë, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe aktorët kryesore ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut, ka rezultuar në ndryshime të mëdha legjislative në vitin 2004.

Territori i Maqedonisë së Veriut është e ndarë tani në 84 komuna (plus Qyteti i Shkupit, i përbërë nga 10 komuna). Këto komuna kanë më shumë pushtet se më parë në marrjen e vendimeve dhe menaxhimin e buxhetit. Komunat kanë një fuqi vendim-marrës lidhur me ekonominë lokale, mbrojtjen mjedisore të zhvillimit dhe natyrën, kulturën, planifikimin urban, sport, mirëqenien sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve, dhe në arsim. Kjo është tema që u trajtua në këtë edicion të INSIDE, lidhur me decentralizimin në Maqedoninë e Veriut dhe sa ky decentralizim favorizon komunat rurale.

Bartja e një pjese të kompetencave për 84 komunat në Maqedoni të Veriut nga pushteti qendror tashmë nuk është problem mungese ligjesh por zbatimi i tyre dhe përkrahja e nevojshme financiare e munguar, gjë që e zvarrit procesin e decentralizimit të përfolur aq shumë e aq shpesh nga aktorët vendorë dhe të huaj. Edhe koalicioni i tashëm qeveritar, njëjtë sikur ai i mëparshëm thonë se janë të përkushtuar për decentralizimin, apo siç tha Kryeministri Zoran Zaev në një takim në Dhjetor se “qytetarët janë në fokusin e pushtetit lokal dhe atij qendror dhe prandaj të dyja pushtetet do të punojnë me përkushtim për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe shërbimeve në të gjitha qytetet dhe fshatrat në vend.

Mirëpo takimet e deritashme të aktorëve kryesorë të qeverisë përgjegjës për jetësimin e këtij projekti që nuk merr fund shpalosin të vërtetën e madhe se pa mjete të mjaftueshme financiare problemet e komunave dhe përballja e qytetarëve me to do të vazhdojnë. Sipas shifrave të shpalosura nga kryeministri qeveria po bëhet gati për marrë kredi nga institucionet evropiane dhe ndërkombëtare në shumë prej 230 milion euro për të shlyer borxhet e komunave, si dhe për ndërtimin e rrugëve lokale, kanalizimeve dhe ujësjellësve dhe kopshteve të fëmijëve. Zaevi në Dhjetor në takimin

“Decentralizimi: Rruga që na pret” mbajtur né Shkup, po ashtu premtoi se qeveria e tij është e gatshme të ndajë pushtetin, përkatësisht të thellojë decentralizimin duke bartur një pjesë të kompetencave në nivel lokal, veçanërisht në sferën e kulturës dhe mbrojtjes sociale, “por gjithsesi me mjetet të përcaktuara për këtë qëllim”. Kjo do të thotë se kompetencat mund të barten, por jetësimi i tyre përsëri mbetet në fatin e mjeteve financiare. Me kapërcimin e krizës politike dhe zgjidhjen e ngërçit me Greqinë, tash qeveria është liruar nga një barrë e madhe dhe mund të gjejë kohë për të realizuar premtimet për ndihmë autoriteteve komunale.

E obligimet e qeverisë ndaj komunave nuk pritet që të përmbyllen, por përkundrazi ato pritet që të shtohen, sepse kur të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian “autoritetet lokale dhe rajonale do ta gjejnë veten në krye të zbatimit të ligjeve dhe normave të komplikuara të BE-së,”, siç ka paralajmëruar Jasna Gabrič, Kryetare komunës Trbovlje të Sllovenisë në një takim në Shkup në Shtator të vitit të kaluar.

Mbetet që të shihet në të ardhmen rezultatet e përkushtimit të premtuar të koalicionit qeveritar të Zaevit për decentralizimin dhe funksionim më të mirë 84 komunave në vend në shërbim të qytetarëve. Më poshte e keni linkun e emisionit të plotë ku të ftuar ishin ish kryetari i Komunës Çair, Izet Mexhiti dhe Drejtori Ekzekutiv i BNJVL, Dushica Perishiq.

© ZHURNAL 16.02.2019, 15:30 | T.E. | 6,088 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."