U arrit marrëveshje në parim për shmangien e mbylljes së Qeverisë amerikane
bota
U arrit marrëveshje në parim për shmangien e mbylljes së Qeverisë amerikane

U arrit marrëveshje në parim për shmangien e mbylljes së Qeverisë amerikane

Ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara thanë se kanë arritur një marrëveshje në parim për buxhetin, në përpjekje për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë.

Negociatorët e Kongresit thanë se marrëveshja përfshin financime për disa barriera të reja në kufirin e SHBA-së me Meksikën, transmeton REL.

Megjithatë, shuma nuk është as afër 5.7 miliardë dollarëve që presidenti Donald Trump ka kërkuar për ndërtimin e një muri në kufi.

Demokratët e Kongresit kanë refuzuar autorizimin e kësaj shume, duke e cilësuar si humbje të parave, ndërkohë që republikanët kanë synuar të shmangin mbylljen e qeverisë.

Mbyllja 35-ditëshe, që ka përfunduar muajin e kaluar, ka bërë që qindra-mijëra punonjës federalë të mos marrin rroga.

Sondazhet kanë treguar se amerikanët e kanë fajësuar Trumpin për këtë.

Menjëherë pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes në parim, Trump mbajti një tubim në El Paso të Teksasit, ku tha se muri do t’i mbronte amerikanët nga kriminelët e dhunshëm dhe drogat e paligjshme.

Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar me shpalljen e emergjencës kombëtare nëse Kongresi nuk i autorizon paratë për murin, por ligjshmëria e një mase të tillë është e diskutueshme.

Sipas Kushtetutës amerikane, Kongresi ka fuqinë ligjore t’i miratojë masat buxhetore.

© ZHURNAL 12.02.2019, 09:43 | Xh.I. | 404 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."