"ANALIZË-ZHURNAL" Rrugëdaljet për gjuhën e ndaluar shqipe në komunat me më pak se 20 %
maqedonia
"Analizë-Zhurnal" Rrugëdaljet për gjuhën e ndaluar shqipe në komunat me më pak se 20 %

"Analizë-Zhurnal" Rrugëdaljet për gjuhën e ndaluar shqipe në komunat me më pak se 20 %

Shkup, 11 Shkurt, Zhurnal.mk - Ligji i i ri në Maqedoni të Veriut për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe nuk ka ndryshuar gjë për banorët shqiptarë në komunat në të cilat ata përbëjnë më pak se 20 për qind të banorëve kur është fjala për shërbimet administrative komunale.

Gjendja e këtillë buron nga kushtetuta e vendit e cila është rezultat i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, dhe e cila është vënë në zbatim që nga viti 2004 kur u bë ri-organizimi territorial i komunave.

Bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2002 ligjet në fuqi kanë mundësuar që gjuha shqipe të jetë për përdorim zyrtar dhe shërbime administrative në gjuhën shqipe në 27 komuna ku ata përbëjnë 20 për qind të popullatës e më shumë (Qyteti Shkup, Butel, Saraj, Çair, Shuto-Orizari, Haraçinë, Bogovinjë, Bërvenicë, Vrapçishtë, Gostivar, Dibër, Dolnen, Zhelinë, Zelinikovë, Jegunnovce, Kërçovë, Krushevë, Kumanovë, Lipkovë, Sopishte, Strugë, Studeniçan, Tearcë, Tetovë, Chucher-Sandevo).

Por, kufiri 20 për qind nuk lejon ofrimin e shërbimeve komunale për qytetarët e as përdorimin e saj nga organet komunale në gjuhën shqipe në komuna të tjera ku ata për nga përqindja janë më pak se aq.

Gjendja e këtillë si pasojë e ligjit dhe kushtetutës është madje edhe në komunat si p.sh. Gazi Babë ku shqiptarët përbëjnë 17.216 %, apo Mavrovë e Rostushë me 17.208%. Të dy këtyre komunave u mungojnë më pak se 2.8 për qind për të plotësuar kriterin në fjalë.

Regjistrimi i ardhshëm i popullatës mund të ndryshojë gjendjen për të mirë për banorët shqiptarë të këtyre dy komunave dhe komunave të tjera me më pak se 20 për qind banorë shqiptarë, por edhe jo.

E qartë, se nëse këto dy komuna në regjistrimin e ardhshëm të popullatës do të numëronin me shumë se 20 për qind të banorëve shqiptarë ligjet do të duhej filluar zbatuar.

Mirëpo me një vullnet politik të partive shqiptare në pushtet dhe atyre shqiptare gjendja mund të ndryshojë që nga tash.

Për rast më të qartë dhe më të lehtë për ilustrim mund të merren komunat Gazi Babë dhe Haraçinë, të cilat ndodhen afër njëra tjetrës me kufinjë administrativ-territorial. Në Haraçinë sipas regjistrimit të vitit 2002 shqiptarët janë 93.808% të banorëve aty.

Në të dy këto komuna udhëheq LSDM-ja. Në të parën maqedonasi, ndërsa në të dytën shqiptari janë kryetar komunash.

Për të plotësuar dëshirën e qytetarëve shqiptarë të Gazi Babës për bërjen zyrtare të gjuhës shqipe për shërbime komunale administrative, sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe do të duhej bashkim i saj me Haraçinën dhe bërë një komunë e vetme.
 
E meqë ligji për ri-organizim territorial në parlamentin e vendit është bërë me shumicë të thjeshtë, do të mjaftonte vetëm një vullnet i lehtë i LSDM-së dhe partive shqiptare për të freskuar në parlament ligjin aktual dhe zgjidhur situatën e 17,216 për qind të qytetarëve të Gazi Babës.

Kjo është një mënyrë konkrete e realizimit të asaj që thuhet përditë nga partitë politike: ” Jemi në shërbim të qytetarëve”.

Banorët shqiptarë, në këtë rast ata të Gazi Babës deri më tash nuk e kanë shijuar për përdorim të gjuhës shqipe këtë moto të partive politike në pushtet në komunën e tyre e as ata në komunat e tjera ku përbëjnë më pak se 20 për qind të banorëve.

Ka edhe rrugëdalje tjetër, por ajo varet nga numri i ulëseve të partive shqiptare dhe partnerit té tyre të ardhshëm qeveritar maqedonas pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Komunat me përqindje të banorëve shqiptarë

© ZHURNAL 12.02.2019, 10:09 | B.M. | 15,793 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."