Gjiknuri jep lajmin e madh, ja kur përfundon autostrada Tiranë-Elbasan…
shqiperia
Gjiknuri jep lajmin e madh, ja kur përfundon autostrada Tiranë-Elbasan…

Gjiknuri jep lajmin e madh, ja kur përfundon autostrada Tiranë-Elbasan…

Tiranë, 9 janar - Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro inspektuan kantierin e hapur të autostradës Tiranë-Elbasan, në segmentin nga rrethrrotullimi i TEG drejt tunelit të Kërrabës.

Kreu i ARRSH konfirmoi se tanimë punimet po shkojnë drejt përfundimit dhe sqaroi të dhënat teknike të fazës së investimit.

“Jemi në kantierin e Rrugës së Elbasanit, në pjesën fundore të projektit. Kanë ngelur edhe 6% e të gjithë volumit të përgjithshëm të punimeve për të përfunduar. Ka mbetur paketa e shtresave rrugore dhe ajo asfaltike bashkë me elementët e sigurisë rrugore. Pas sigurimit të financimit shtesë të muajit Shtator, ritmi i punimeve është i kënaqshëm dhe ne mendojmë se brenda grafikut të ri të punimeve kjo vepër të mbarojë që kjo pjesë e zvarritur prej shumë vitesh në ndërtim të përfundojë”, tha Qendro.

Ndërkohë, ministri Gjiknuri tha se për shkak të vëmendjes së shtuar në këtë projekt, bashkë me financimin e siguruar për përmbylljen e veprës dhe një menaxhim më të mirë të kontratës, u bë e mundur të zgjidhet ngërçi shumëvjeçar në të cilin ndodhej investimi.

“Sot që flasim jemi në fazën e fundit të punimeve dhe jam i bindur se publiku brenda pranverës do të ketë rrugën të përfunduar dhe të dorëzuar me të gjitha parametrat e nevojshme. Është bërë një punë e madhe vitin e kaluar për të zgjidhur ngërçin dhe problemet juridike të trashëguara por mbi të gjitha për të siguruar financimin shtesë për përfundimin e kësaj vepre që mori më shumë kohë se çduhet për shkaqe që i kemi thënë dhe më parë: projektimi jo i mirë, mungesa e financimeve atëherë kur duhej përpos edhe problemeve tjera të trashëguara të menaxhimit të kontratës. E rëndësishme është që rruga do të përfundojë dhe ne jemi krenar për punën që kemi bërë. Ashtu sikurse zgjidhëm problemin e Bypass-it të Fierit dhe Vlorës, e vumë në vijën e zgjidhjes dhe këtë rrugë”, u shpreh ministri.

© ZHURNAL 09.01.2019, 13:13 | Xh.I. | 984 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."