Në Shqipëri e ngelën, në Gjermani e bënë bashkëpunëtor të Parlamentit
shqiperia
Në Shqipëri e ngelën, në Gjermani e bënë bashkëpunëtor të Parlamentit

Në Shqipëri e ngelën, në Gjermani e bënë bashkëpunëtor të Parlamentit

Tiranë, 9 janar - Në një intervistë për DW shqip, Henri Haxhirajn, 26 vjeçar nga Fieri, tha se ka qenë “ngelës” në Shqipëri, ndërsa sot punon si bashkëpunëtor shkencor në Parlamentin gjerman.

Ai në këtë intervistë foli për protestën e studentëve në Shqipëri dhe rrethanat në të cilat po zhvillohet ajo, si dhe për efektet e mundshme të saj, ndërsa në pyetjen “Ju keni studiuar vetë në Shqipëri, si e keni përjetuar atë periudhë”, ai u përgjigj:

Nuk e kam për turp të them që kam qenë ngelës gjate studimeve bachelor në Fakultetin e Ekonomisë. Padyshim qe përgjegjësia kryesore ka qenë e imja, por shume gjëra në atë Fakultet, në gjykimin tim, nuk funksionojnë siç duhet. Nga shpërndarja e informacionit, tek marrëdhënia me profesorët, tek vlerësimi, tek mësimdhënia etj. Ne studionim me një kurrikul që analizonte biznesin e para 30 viteve dhe ato njohuri nuk ishin fare të nevojshme në tregun aktual. Megjithatë, aty kam njohur edhe profesorë te shkëlqyer, të cilët përpos kushteve te këqija, pagesës së ulët dhe burokracisë së panevojshme, kane zhvilluar një mësimdhënie shembullore.

Tani sapo mbarove studimet master në Gjermani, dhe me nota të mira. Cila ishte përvoja e këtushme?

Si student në Gjermani kam pasur përvojën me të bukur. Studimin tim e kam financuar vetë, duke punuar si shitës, çdo javë nga 20 orë (10 të shtunave e 10 të dielave) në një dyqan suvenirësh. Ka qene goxha e vështire të gjeja kohën për gjëra të tjera dhe më është dashur të sakrifikoj shume aktivitete sociale, megjithatë nuk ndiej pendesë. Jam i lumtur që ia kam dalë me forcat e mia. Studimi akademik në Gjermani mua nuk më ka formuar vetëm në anën akademike, por më ka mësuar edhe t’i analizoj problemet e ndryshme në mënyrë të strukturuar. Më ka mësuar që pavarësisht se situata duket e vështire, edhe situata e jetës së përditshme, nëse i strukturon dhe i analizon siç duhet problemet, mund ta gjesh një zgjidhje.

Çfarë lehtësime kanë studentët në Gjermani?

Karta studentore jo vetëm në Gjermani, por edhe ne Europë, është mjeti i identifikimit i çdo studenti. Ne kartën studentore është e inkorporuar edhe bileta e transportit publik ne Gjermani. Përpos kësaj, me atë ke uljet në dyqane te caktuara, ne kinema, restorante etj. Mendoj se përveç kartës studentore është i nevojshëm edhe një e-mail zyrtar nga universiteti për çdo student. Kështu mund te shkarkohen softuerë si Microsoft Office apo Citavi (për te automatizuar citimet në shkrime shkencore) me çmimet e reduktuara apo edhe falas. Në Berlin, nëse ke një abone vjetore për transportin publik, paguan diku tek 65 euro ne muaj. Si student, unë paguaja rreth 17 euro në muaj.

Çfarë të motivoi të dilje me rezultate më të mira në Gjermani?

Motivimi kryesor për të përfunduar studimet ka qenë sakrifica e prindërve për të më përkrahur përgjatë rrugëtimit tim. Në të njëjtën kohë kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe ambicia personale, shqetësimi i kthimit në Shqipëri nëse nuk përfundoj me sukses etj. Ambienti universitar ka qenë një motivim më tepër, pasi aty bëhesha kureshtar për gjëra të ndryshme dhe lexoja me dëshirë të madhe mbi to. Meritokracia në universitet ka qenë gjithashtu një faktor që ka ndikuar pozitivisht në arritjet në universitet. Gjatë studimit në Gjermani mësova edhe diçka: Kur lufton për atë qe do, mund ta arrish. Jam orientuar tek dy thënie të biznesmenit të njohur amerikan William Clement Stone (1902-2002, shen. i red.): “Shënjo hënën, po nuk kape atë, ndoshta kap ndonjë yll”. Dhe “Nuk ka work smart pa work hard”, pra që do të thotë pak a shumë se punët e mira kërkojnë mund.

Henri Haxhiraj, 26 vjeçar, i lindur në Fier, kreu studimet bachelor në Fakultetin Ekonomik të Tiranës në vitet 2010-2014. Në vitet 2016-2018 kreu studimet master në degën Sustainable & Environmental Management pranë Universitetit të Ebersëalde-s në Gjermani. Në vitin 2017 kreu një praktikë në Bundestag ku pati rastin të bënte edhe fotografinë e mësipërme me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Prej prillit 2018 punon si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman.

© ZHURNAL 09.01.2019, 13:12 | Xh.I. | 2,391 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."