RETRO: Politika maqedonase, një sfingë e rrezikshme
opinion
RETRO: Politika maqedonase, një sfingë e rrezikshme

RETRO: Politika maqedonase, një sfingë e rrezikshme

A do të lejojë faktori ndërkombëtar që dialogu të konsiderohet i suksesshëm vetëm atëherë kur pala maqedonase të jetë plotësisht e kënaqur, gjegjësisht atëherë kur orekset maqedonase do të kënaqen nëse në Maqedoni vazhdon dominimi gjuhësor, arsimor, kadrovik, policor, ushtarak, ekonomik e fetar maqedonas mbi shqiptarët dhe jomaqedonasit tjerë

 Nga Emin AZEMI

Politikanët maqedonas po punojnë për interesa të shqiptarëve. Vetëm një politikë e çmendur si kjo që aktualisht udhëhiqet nga Georgievski, mund të krijojë armiqësi me Perëndimin. Shqiptarët në këto raporte mund të jenë fituesit më të mëdhenj, jo vetëm moral. A ka mundur Georgievski ta refuzojë variantin e fundit të dokumentit të Leotarit dhe Perdjusë pa e fyer dhe shantazhuar Perëndimin? Sigurisht se po. Mirëpo në pyetje është diçka tjetër. Është ajo politika absurde e ekuidistancës, e trashëguar nga Gligorovi, në kohën e krizave në Kosovë, Bosnjë, Kroaci e Serbi. Ekuidistanca u pat shpikur atëherë vetëm sa për të kamufluar flertimet interne të kreut shtetëror maqedonas me të gjitha ato shtete e forca që nuk gëzonin simpati në Perëndim. Prandaj në kohën e lulëzimit të ekuidistancës së Gligorovit, në Maqedoni lulëzonte biznesi ilegal me Serbinë, por edhe me Greqinë. Në njërën anë Perëndimi i bënte bllokada regjimit të Millosheviqit, kurse në anën tjetër kompanitë dhe bankat maqedonase ishin urat më efikase të transaksioneve të pista financiare pikërisht të atij regjimi.
Në këtë mënyrë Maqedonia është paraqitur në botë në formën e njëfarë sfinge mashtruese – mirë me të gjithë jashtë, e keq me të gjithë brenda. Ky qëndrim hermafrodit i Maqedonisë rezultoi edhe në ndryshimin e Kushtetutës, pas presionit grek, prandaj maqedonasit kot krekosen se nuk do ta ndërrojmë Kushtetutën kur atë veç e kanë ndryshuar një herë. Që absurdi të jetë më i madh Kushtetuta e Maqedonisë u ndryshua për të kënaqur ambiciet e fqinjëve, kurse tani ajo kundërshtohet të ndryshohet vetëm pse ndryshimin e saj e kërkojnë qytetarët e brendshëm të saj.
Asnjëherë nuk ka ndodhur të mobilizohen popat, kasapët, berberët, shkrimtarët, politikanët, gazetarët maqedonas, madje edhe atëherë kur Bullgaria nuk e ka pranuar identitetin e popullit maqedonas, as artëherë kur Serbia e ka mohuar autoqefalinë e kishës maqedonase, as atëherë kur Greqia ka mohuar emrin e shtetit, sa tani, kur shqiptarët kërkojnë që në shtetin e tyre, në institucionet e tyre, në universitetet e tyre të përdorin zyrtarisht edhe gjuhën shqipe. Një refuzim kaq rigjid ndaj kërkesave civilizuese të qytetarëve të brendshëm dhe një inferioritet kaq i skajshëm ndaj mohimeve që vijnë nga jashtë, flet për anomalitë e një politike dhe instrumentalizimin e një populli. Faturat e kësaj anomalie mund t’i pagujanë të gjithë, e më së tepërmi ata që forcën e tyre e mbështesin në principialitetin dhe durimin e tjetrit. Maqedonasit, me këtë eufori ksenofobike ndaj gjuhës shqipe munden të ngelin shembull i një destruktiviteti të paparë, me rrezik që të atakohet nga instrumentet e komunitetit ndërkombëtar. Millosheviqi në Hagë, është modeli më ilustrativ i zbatimit të këtyre instrumenteve.

SHQIPTARËT PYESIN
A ka Uashingtoni dhe Brukseli spitale për shërimin e alergjisë maqedonase ndaj gjuhës shqipe?
Në vend se shqiptarët të shprehnin pakënaqësi ndaj këtyre të drejtave të dozuara që u jepen dhe në vend se të pasonte ndonjë reagim më i ashpër i UÇK-së, në stilin se ” përdorimin e gjuhës amtare shqipe mund ta siguronim edhe pa kapjen e armëve”, tani ndodh e kundërta.
Maqedonasit reagojnë dhe ata para botës paraqiten si viktimë e ndryshimeve të reja kushtetuese. Viktimë e këtyre ndryshimeve tani paraqitet edhe koncepti i shtetit, duke manipuluar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se gjoja zyrtarizimi i gjuhës shqipe po i jipka fund konceptit unitar të shtetit Presioni që mund t’i bëhet palës maqedonase nga ana e komunitetit ndërkombëtar pas refuzimit të dokumentit të fundit të ndërmjetësve Leotar e Perdju, është krahasuar nga kryeministri Georgievski me presionin që NATO i ka bërë Millosheviqit para dy viteve. “Deri më tani dëgjuam kërcënime nga më të ndryshmet. Shpresoj se të premten apo të shtunën do të marrim edhe kërcënimin se do të na bombardojnë”,-ka thënë Georgievski të mërkurën para gazetarëve.
Reagimet e palës maqedonase pas publikimit të versionit të fundit të projekt-dokumetit të marrëveshjes politke, i cili, në mes tjerash parasheh edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, janë iracionale, për vetë maqedonasit, por lehtësuese për shqiptarët. Propozimi i ndërkombëtarëve që mundohet të korrigjojë një gabim trashanik, sa i përket përdorimit të gjuhëve, e sidomos për popullatën shqiptare që përbën mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të banorëve të Maqedonisë, nga Georgievski është konsideruar “përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë”. Tekstin e këtij dokumenti, Georgievski e ka quajtur brutal, kurse punën e ndërmjetësve e ka kualifikuar si “stil kauboj” që “mundohen të thyejnë institucionet legale të shtetit.” Georgievski vetëm sa nuk tha se Stejt Departamenti Amerikan dhe Bashkimi Evropian janë bërë stalla dhe poligone për stërvitjen e kaubojve të tipit të Robertsonit, Sollanës, Perdjusë, Leotarit etj.

SI VEPROJNË KAUBOJTË KUR I FYEN NJË PICIRRUK?
Mosdurimi ndaj politikës ndërkombëtare, që aktualisht mundohet të japë rezultate edhe në Maqedoni, ka vënë maje me akuzën e hapur të Georgievskit ndaj Perëndimit. “Ranë maskat . Tanimë është e qartë se këto aksione terroriste në Maqedoni seriozisht mbështeten dhe kanë përkrahje logjistike nga demokratët Perëndimorë, gjë që flet për një skenar për thyerjen e Republikës së Maqedonisë”,- deklaroi kryeministri maqedonas.
Pas gjithë këtyre akuzave dhe shpifjeve nga më të ulëtat në adresë të Perëndimit, a thua do të vazhdojë edhe më tutje përkëdhelja e Georgievskit dhe politikanëve si ai, nga ana e diplomatëve të huaj. Kur një politikan i vogël, i një shteti të vogël dhe i një populli të vogël flet gjëra të pavërteta, që mundohet t’i ambalazhojë si pakënaqësi në adresë të diplomatëve Perendimorë për gjoja lëshimet që u bëhen shqiptarëve, atëherë Perëndimi seriozisht duhet të mendojë se ku ka investuar deri më tani dhe a duhet edhe më tutje t’i japë përkrahje blanko politikës maqedonase. Ose si veprojnë kaubojët e vërtetë kur i fyen një picirruk?
Kur një segment mjaft atraktiv dhe civilizues, siç është përdorimi i gjuhëve, kontestohet me një fjalor të tillë barbar dhe kur ekzistimi i shtetit vihet në pikëpyetje (artifiacialisht) nëse edhe gjuha shqipe merr status zyrtrar, kjo flet për çmendurinë që e ka kapluar politikën zyrtare maqedonase, e cila nuk e ka edhe sensin më të vogël se ku mund të shpiejë vendin një sjellje e tillë iracionale. Në vend se shqiptarët të shprehnin pakënaqësi ndaj këtyre të drejtave të dozuara që u jepen dhe në vend se të pasonte ndonjë reagim më i ashpër i UÇK-së në stilin se, “përdorimin e gjuhës amtare shqipe mund ta siguronim edhe pa kapjen e armëve”,- tani ndodh e kundërta. Maqedonasit reagojnë dhe ata para botës paraqiten si viktimë e ndryshimeve të reja kushtetuese. Viktimë e këtyre ndryshimeve tani paraqitet edhe koncepti i shtetit duke manipuluar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se gjoja zyrtarizimi i gjuhës shqipe po i jipka fund konceptit unitar të shtetit. E vërteta është krejt tjetër. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe mund t’i jep fund vetëm konceptit shovenist të polikanëve maqedonas, të cilët kur flasin për gjuhën shqipe, flasin me urrejtje dhe këtë e bëjnë duke e favorizuar artificialisht rëndësinë e gjuhës maqedonase. Politikanët, intelektualët, gazetarët maqedonas as që duan të dëgjojnë për gjuhën shqipe, dhe duke refuzuar atë ata refuzojnë edhe popullin shqiptar në Maqedoni. Kjo vërteton faktin se maqedonasit duan të komunikojnë me shqiptarët vetëm sipas rregullave që ata i paramendojnë. Ata e duan bashkëjetesën me shqiptarët vetëm duke komunikuar maqedonisht dhe shqiptari është i obliguar të dijë maqedonisht për të mbetur gjallë në këtë alamet shtet.

MAQEDONIA, FEDERATË E MAQEDONASIT TË PRIVILEGJUAR DHE SHQIPTARIT TË DISKRIMINUAR

Koncepti qytetar, i preferuar nga Georgievski dhe kompania, nënkupton qytetarin maqedonas që në mëngjes ngrihet me bindjen se gjuha shqipe duhet të përdoret vetëm në familje, që në drekë e zhvillon idenë se shqiptarët nëpër komuna duhet të shtypen me policë që i dërgon Shkupi dhe ngrysen me kënaqësinë që ia jep koncepti qytetatar se në Maqedoni duhet të funksionojë një tip tjetër i federatës së qytetarëve me më shumë të drejta dhe i qytetarëve me shumë më pak të drejta. Qytetari maqedonas nuk e di se ky tip i federatës aktualisht funksionion për mrekulli dhe atë e përbëjnë lagjet “Dizhon” dhe “Aerodrom”, “Cerovë” dhe “Kozle”, “Gazi Babë” dhe “Lisiçe”, “Vizbeg” dhe “Vodno” në Shkup.
Diferencat sociale, urbanistike, infrastruktore të kësaj federate nuk mund të shihen vetëm nga aeroplanët rus të tipit SUHOJ, por mund të shihen për mrekulli nga helikopterët e NATO-s, që fluturojnë ulët.
Kot politikanët, gazetarët, priftërinjtë, shkrimtarët, akademikët maqedonas e çajnë gurmazin kur thonë se Maqedonia do të ngelë unitare dhe nuk do të lejojnë federalizmin e saj, kur një federalizim i tillë po ndodh në praktikë në mes të lagjeve me pusa uji dhe baltë, me rrugë të paasfaltuara dhe të pandriçuara, me mungesë të telefonisë, pa çerdhe fëmijësh e ambulanca, në njërën anë, dhe lagjeve me parqe dhe gjelbërime të kultivuara, me pishina dhe me fitnes-klube, me fusha të improvizuara sportive dhe me çerdhe fëmijësh, me restorante luksoze dhe diskoteka për të rinj, me trotuare dhe llambadarë vizllues nëpër trotuare, me vila dhe shtëpi me plan (shumica të ndërtuara me ryshfete të marra nga hallexhinjtë shqiptarë), në anën tjetër.
Ky tip i federatës në mes të qytetarëve që ecin rrugëve të pandriçuara dhe atyre të ndriçuara, në mes të qytetarëve që jetojnë në shtëpi gati për t’u rrëzuar dhe atyre që jetojnë në pallate 3 katëshe, në mes të qytetarëve që mezi sigurojnë t’i shkollojnë fëmijët deri në klasën e tetë dhe atyre që fëmijët e tyre i dërgojnë në Londër, Paris, Nju Jork, Vjenë për shkollim, në mes të qytetarëve që presin me vite në byron për punësim dhe qytetarëve të cilët familjarisht punojnë nëpër “Skopska Pivara”, nëpër “Stopanska” e “Komercijalna Banka”, nëpër “Alkaloida”, nëpër “Ohisa”, nëpër sportele të administratës shtetërore etj., ka funksionuar këtu e 50 vjet në Maqedoni dhe shqiptarët gjithmonë kanë shpresuar se procedurat demokratike do t’u ndërrojnë atyre statusin e qytetarëve të rendit të dhjetë. Prandaj të gjithë ata që akuzojnë shqiptarët se janë për federalizim të Maqedonisë rrejnë. Përkundrazi, shqiptarët janë për eliminimin e federatës në mes të qytetarit maqedonas, që jeton në pallat, me oborr të mbuluar me gjelbërim, dhe të rrethuar me llambadarë të “Elektrostopanstvos” dhe gjoja qyetarit shqiptar që jeton në një kasollë në “Dizhon”, që pret për çdo ditë, si lepuri në kaçubë, vendimin për rrënimin e shtëpisë. Në Maqedoni edhe maqedonasit jetojnë në shtëpi pa leje, por atyre nuk u prishen shtëpitë, sepse ata që urdhërojnë prishjen e shtëpive janë maqedonas, e maqedonasi nuk ia prish maqedonasit shtëpinë. Ky është koncepti qytetar i shtetit, sipas Georgievskit, Trajkovskit, Cërvenkovskit, Andovit etj.

SHQIPTARI DUHET TË BËHET MAQEDONAS PËR TË QENË QYTETAR!

Si do të duket dialogu politik pas këtyre reagimeve të politikanëve maqedonas? Për çka do të bisedojnë liderët shqiptarë, nëse jo për gjuhën, jo për kompetencat e pushtetit vendor mbi policinë, jo për mundësimin e organizimit të arsimit universitar në gjuhën shqipe. A do të lejojë faktori ndërkombëtar që dialogu të konsiderohet i suksesshëm vetëm atëherë kur pala maqedonase të jetë plotësisht e kënaqur, gjegjësisht atëherë kur orekset maqedonase do të kënaqen nëse në Maqedoni vazhdon dominimi gjuhësor, arsimor, kadrovik, policor, ushtarak, ekonomik e fetar maqedonas mbi shqiptarët dhe jomaqedonasit tjerë.
Në anën tjetër a do të pranojnë shqiparët, që kërkesat e tyre së pari të testohen se si tingëllojnë në veshin e një maqedonasi të thjeshtë. Me fjalë të tjera, shqiptarët për një moment duhet të bëhen maqedonas, për t’u vërtetuar se sa rëndë është të kesh pranë një bashkëfolës që komunikon shqip. Në fakt ky është koncepti qytetar sipas kutit të Georgievskit, Trajkovskit, Cërvenkovskit, që shqiptarët të bëhen maqedonas për t’i kuptuar sikletet maqedonase kur dëgjojnë fjalë shqipe dhe mundësisht has shqiptar të mbeten vetëm nëpër shtëpi private (pa lejet e Ballkovskit), në pazar të hajvanëve, në ndonjë synet dygyni, në kanagjegje etj. Të jesh qytetar, sipas variantit që propozojnë politikanët maqedonas, është të heqësh dorë nga identiteti yt nacional dhe të vishesh me petkun e një identiteti tjetër nacional. Pra, patjetër shqiptarët duhet të frymojnë maqedonisht, të flasin maqedonisht, të flejnë maqedonisht, të dhiejnë maqedonisht, të shohin ëndrra maqedonisht, t’i shkollojnë fëmijët maqedonisht, të pijnë ujë maqedonisht, të notojnë në Matkë maqedonisht, të hajnë akullore maqedonisht, të zënë peshq maqedonisht, të fishkëllojnë maqedonisht, të gjëmojnë në VC maqedonisht, të pordhin maqedonisht, të flasin në Parlament maqedonisht, të komunikojnë maqedonisht me të afërmit në Shutkë dhe në Idrizovë, të thithin ajër maqedonisht, të rrëshqasin në borë maqedonisht, të këndojnë maqedonisht (se këngët shqipe po ia mbushin bateriat UÇK-së), të tancojnë maqedonisht, t’i qethin flokët maqedonisht, të përshëndeten maqedonisht, t’i ujisin arat me shi maqedonas, të rreziten buzë bregdetit të liqenit të Ohrit nën diellin maqedonas, të hajnë bukën me djath maqedonas, të freskojnë ballin me ajër maqedonas, të shohin vetëm filma maqedonisht të financuar nga shteti, të shohin prej Struge e Kumanove kryqin ortodoks mbi Vodno të Shkupit etj.

KUR ALERGJIA SHNDËRROHET NË EPIDEMI

Alergjia maqedonase ndaj gjuhës shqipe, ka të ngjarë që të shndërrohet në një sëmundje të rrezikshme, me pasoja katastrofale për të gjithë ne. Ajo që është më tragjike në gjithë këtë rrëfim, është stadiumi shpirtëror e shëndetësor i opinionit maqedonas. Në fakt shpërndarësit e alergjisë, që aktualisht ndodhen nëpër kabinetet e qeverisë, presidencës, parlamentit, sinodit të shenjtë të KOM, nuk mbajnë shumë llogari për shëndetin kolektiv të maqedonasve. Aq sa është joreale frika nga përdorimi i gjuhës shqipe, aq më reale mund të bëhet sëmundja e maqedonasit, që shumë lehtë mund të kalojë edhe në ksenofobi esktreme. Një qytetar i lajthitur dhe i painformuar maqedonas i Shtipit, kur dëgjon nga goja e kryeministrit se sa e rrezikshme mund të bëhet jeta në Maqedoni nëse lejohet zyrtarizimi i gjuhës shqipe, ai do të përdorë të gjitha mjetet për ta larguar këtë rrezik. Stili ballkanik i largimit të rreziqeve të tilla nënkupton djegien e pronave të shqiptarëve, organizimi i bandave paramilitare, kidnapimi i shqiptarëve etj. Në këtë mënyrë një alergji e tjeshtë ndaj një vlere civilizuese, siç është gjuha shqipe, mund të shndërrohet në një epidemi të rrezikshme, me përmasat e mosdurimit ndëretnik, refuzimit të gjithçkasë që s’është maqedonase dhe ortodokse, shkatërrimit të gjithkasë që është shqiptare e kështu me radhë.
Pyetjen e vetme që mund ta bëjnë shqiptarët aktualisht është se a ka në Uashington apo në Bruksel ndonjë spital që mund të shërojë këtë lloj të alergjisë maqedonase.

(Editorial i botuar në FAKTI, korrik 2001)

© ZHURNAL 09.01.2019, 11:38 | Xh.I. | 3,923 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."