Katër libra për t’i lexuar gjatë muajit janar
kulture
Katër libra për t’i lexuar gjatë muajit janar

Katër libra për t’i lexuar gjatë muajit janar

Viti 2019-të mund të jetë një tjetër vit i mbushur me libra, me lexime dhe me ikje nëpër realitete të ndryshme të cilat gjithmonë do ta pasurojnë mendjen tonë, fantazinë tonë, e do të na kursejnë prej aktiviteteve tjera që nuk na duhen.

Për këtë janar, KultPlus po propozon të nisni e të lexoni njërin nga këta libra. Për juve që jeni më të shpejtë, pse jo, lexoni të gjithë këta libra në janarin e ftohtë të 2019-tës. Vit i ri, por shprehia e leximit, le të mbetet e vjetra.

TRI BIJAT E EVËS – ELIF SHAFAK

I vendosur mes Stambollit dhe Oksfordit, nga vitet 1980 deri në ditët e sotme, “Tri bijat e Evës” është një rrëfim i ndjerë besimi dhe miqësie, tradite dhe modernizmi, dashurie dhe tradhtie të papritur. Perisë, një nënë dhe shtëpiake e pasur turke, gjatë rrugës për në një darkë në një vilë buzë detit në Stamboll, i grabitet çanta nga një lypës. Ndërsa lufton për t’ia rimarrë, nga çanta bie një fotografi e vjetër, ku duken tri vajza dhe profesori i tyre i universitetit. Një relike nga e shkuara dhe një dashuri që Peria përpiqet me dëshpërim ta harrojë. Fotografia e kthen Perinë në Universitetin e Oksfordit, kur ishte nëntëmbëdhjetë vjeç dhe doli për herë të parë jashtë vendit. Te profesori i saj mahnitës dhe rebel, te seminari mbi Zotin që i ndryshoi jetën.

DJALLI KOMIK – ZIJA ÇELA

Zija Çela është një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. “Djalli komik” është, ndoshta, më i ngjeshuri në korpusin e Zija Çelës. Por, paradoksalisht, duke qenë më kompakti, është edhe më i shtriri si intensitet emocional e figurativ, më simboliku dhe njëkohësisht më realisti. Është roman i shkruar me vetëkontroll të admirueshëm dhe natyrshmëri të shpengueshme. Një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë. 

QYTETI BRI LUMIT – V.S NAIPAUL

Libri është një lloj autobiografie e një shkrimtari që la vendin e tij Indinë, për t’u shkolluar e më pas për t’u bërë një nga autoritetet e mendimit në Britaninë e Madhe. Është një përplasje e kulturave, mentaliteteve, botëve të vjetra që kanë dominuar fatet e njerëzimit. Libri shoqërohet në shqip me një parathënie nga kritikja dhe shkrimtarja e njohur angleze Elizabeth Hardëick. “Qyteti bri lumit” është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe ishujt Karaibe janë burimet që Naipaul përdor për imagjinatën e tij krijuese, në letërsinë artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.

ARBËRIT E JONIT – PËLLUMB XHUFI

Në shek. XV-XVII, Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme. Si vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare, ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë. Këtu e patën pikënisjen e tyre ekspeditat osmane për pushtimin e brigjeve të Italisë, dhe po këtu e patën një nga pikëmbërritjet kryesore përpjekjet e fuqive perëndimore, të prira nga Papati, për të destabilizuar pushtetin osman e për të krijuar një të çarë në këtë provincë periferike e të paqëndrueshme të Perandorisë. Studiuesi Pëllumb Xhufi e ka hulumtuar këtë kohë, dhe ka përmbledhur një libër që duhet ta lexoni këtë vit, e pse jo ta nisni qysh tash, në janar.

© ZHURNAL 09.01.2019, 10:51 | E.D. | 749 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."