Njëherë kushtet, pastaj licencat
ekonomi
Njëherë kushtet, pastaj licencat

Njëherë kushtet, pastaj licencat

Shkup, 5 janar – Ligji për tregjet e gjelbërta nuk i pengon pazarxhinjtë që shesin tekstile dhe prodhime tjera jo ushqimore, të veprojnë në kuadër të tregjeve aktuale. Kryetari i Shoqatës së pazarxhinjëve, Ekrem Dolek, për gazetën Koha, thotë se ditëve të fundit në opinion janë plasuar një varg spekulimesh dhe dezinformatash se kinse në tregjet e gjelbërta do të shiten vetëm produkte ushqimore.

“Prej 2005 kur e kemi themeluar Shoqatën e pazarxhinjëve, në asnjë moment gjatë bisedimeve dhe kontakteve me institucionet shtetërore nuk e kemi vendosur si pikë diskutimi çështjen e shitjes së tekstilit dhe prodhimeve tjera që ofrohen në tregjet e gjelbërta. Qëndrimi jonë ka qenë prej fillimit që asnjë prodhim prej tregjeve mos të largohet. Dispozitat aktuale të Ligjit për tregjet e gjelbërta, nuk i pengojnë pazarxhinjtë që merren me tekstil dhe produkte tjera që të shesin në treg. Ato duhet vetëm të pajisen me licenca, të cilat i ndajmë ne si Shoqata e tregtareve. E njëjta duhet të nxirret për çdo vit, respektivisht roli i saj është si një leje pune dhe realisht me furnizimin e licencave tregtarët llogaritën e se kanë firmën e tyre”, thotë Dolek.

Çmimi i licencës për një tezgë, sipas Ligjit për tregjet e gjelbërta, në kohë zgjatje prej një viti kushton 60 euro në kundërvlerë denari. Ndërsa, nëse një tregtar ka më dy apo më shumë tezga, licencat në këto raste do të kushtojnë nga 40 euro në nivel vjetor.

“Pasi pazarxhinjtë të furnizohen me licenca, të dhënat e tyre ne ua shpërndajmë institucioneve përkatëse. Meqë ligji ka hyrë në fuqi prej 1 janari, ditëve të kaluara ne kemi ndarë disa licenca dhe besoj se në periudhën që vijon numri i tregtarëve që do të pajisen me licenca do të rritet. Pazarxhinjtë të cilët për momentin marrin ndihmë sociale, pas marrjes së licencave nuk do të pranojnë më këto ndihma. Sa i përket pensionistëve ata ligjërisht nuk lejon të shesin në treg, mirëpo në periudhën që vijon,varësisht prej interesit ne do të kërkojmë nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave që edhe kjo kategori e tregtarëve të përfshihet në Ligjin për tregjet e gjelbërta”, thekson Dolek.

Përderisa e sqaron çështjen e gjobave dhe sanksioneve, Dolek shprehet se firma e cila ekonomizon me tregjet është e obliguar që të jep vërtetim se një person i caktuar posedon një tezgë në treg dhe organizatorët e tregjeve nuk guxojnë të bëjnë kontrata pazarxhisë nëse ai nuk është i furnizuar me licencë. Ai mes tjerash thotë se nëse udhëheqësi i tregut e nënshkruan kontratën me tregtarin pa licencë, dënimi për atë (personin juridik) lëviz nga 3 deri në 5 mijë euro. Nga ana tjetër nëse udhëheqësi i tregut nuk nënshkruan kontratë me tregtarin për shkak se ai nuk ka licencë dhe ky u fundit vazhdon të veproj në treg pa kontratë e licencë, Ligji aktuale parasheh që shitësi (personi fizik) të gjobitet me 1500 euro. Këto gjoba i shqipton Inspektorati i tregut.

Një pjesë e tregtarëve të Bit Pazarit, kur e komentojnë Ligjin për tregjet gjelbërta, theksojnë se tregjet fillimisht duhet të krijojnë kushte punë që ato të veprojnë dhe më pas të kërkohet pajisja me licenca. Punimet për ndërtimin e tregut të Bit Pazarit që kanë filluar për më tepër së një vit për shumë tregtar paraqesin “vdekje”. “Sinqerisht për më tepër se një vit punoj ‘kot’. Fitojmë vetëm për ti mbuluar harxhimet e tezgës. Kërkesa për shkak të punimeve ka rënë dukshëm. Licencën nuk e kontestojë se duhet të nxirret. Por, drejtuesit e këtij tregu duhet të krijojnë kushte minimale për punë dhe më pas institucionet relevante të kërkojnë licenca”, shprehet një tregtar i Bit Pazarit.

Ndryshe, tregu i Bit Pazarit (një pjesë të cilit nuk është duke u ndërtuar) në vete përfshinë mbi 600 tezga. Përveç produkteve ushqimore, brenda këtij tregu, por edhe në tregjet tjera në Maqedoni, shiten prodhimet të ndryshme, duke filluar nga ato për veshmbathje e deri te bizhuteritë e llojllojshme. Debati për statusin e pazarxhinjëve është i vjetër më tepër se 15 vite. Fillimisht ideja ishte që tregjet të fiskalizohen, nismë kjo që kategorikisht u refuzua nga tregtarët. Drejtuesit e Shoqatës së tregtarëve, thonë se Ligji për tregjet e gjelbërta është në favor të pazarxhinjëve dhe i njëjti është për 70 për qind më i lirë se sa kostoja që diskutohej se duhej ta paguajnë tregtarët në rast se zbatoheshin masat e fiskalizimit.

© ZHURNAL 05.01.2019, 17:05 | T.E. | 3,683 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."