Ambienti i shëndoshë ekonomik rrit pagat
ekonomi
Ambienti i shëndoshë ekonomik rrit pagat

Ambienti i shëndoshë ekonomik rrit pagat

Shkup, 5 janar – Vetëm një ambient i volitshëm ekonomik që do të krijojë kushte dhe mundësi më të mëdha për investime të sektorit privat, por edhe me rezultate më të mëdha reformuese në fushat që me vite janë objekt i kritikave të organizmave të ndryshme ndërkombëtare, mund të sjellin mirëqenie më të madhe dhe rritjen e të ardhurave mujore në Maqedoni. Së paku kështu vlerësojnë afaristët dhe analistët ekonomik, shkruan gazeta Koha.

 

“Krijimi i një ambienti të shëndoshë ekonomik domosdo se do të diktojë edhe rritjen e pagave në Maqedoni. Megjithatë, kushtet kryesore për një zhvillim më të madh ekonomik të shtetit mbeten përgjigja më efektive, si dhe zgjidhja e problemeve që me vite na adresohen nga ana e Komisionit Evropian siç janë rezultatet dhe jo vetëm llafe në aspektin e një gjyqësori më efektiv, luftë më të madhe kundër korrupsionit, reduktimi por edhe rritja e efikasitetit dhe produktivitetit të aparatit shtetëror, apo puna më efektive e administratës publike dhe shtetërore e kështu me radhë”, thotë për KOHA, afaristi Menderes Kuçi.

 

Sipas tij, shtrohet edhe çështja se sa sektori real apo biznesi që me aktivitetin dhe punën e tij e mbushën arkën shtetërore, mund të mbajë mbi supe një administratë kaq të madhe që me kalimin e kohës – domosdo duhet të reformohet dhe të zvogëlohet konform mundësisë reale që ka ekonomia e shtetit për ta mbajtur atë. Nevojitet edhe ulja e procedurave të ndryshme administrative, si dhe eliminimi i ngarkesave të ndryshme burokratike.

 

“Njëherazi duhet theksuar se nuk mund të shpallim vetëm një vit se do ti përkushtohemi në aspektin ekonomik. Çdo vit kalendarik nevojitet të ketë vëmendje dhe kujdes të veçantë në aspektin ekonomik. Gjithashtu, pa investime të reja nuk mund të ketë rritje më të madhe ekonomike, punësime të reja dhe rritje të pagave. Domosdo se investimet kapitale duhet të realizohen deri në maksimum, por nevojitet që edhe kompanive vendore dhe të huaja t’u krijohet një ambient më se i favorshëm për realizimin e investimeve të tyre, duke eliminuar pengesat e ndryshme administrative që pengojnë realizimin e tyre”, vlerëson më tej Kuçi.

 

Kohë më parë, nga ana e Lidhjeve të Odave Ekonomike të Maqedonisë vlerësuan se disa çështje si mirëqenia ekonomike në vend, duhet të jetë prioritet para grupeve të tjera të interesit për një Maqedoni ekonomikisht më të zhvilluar, me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor.

 

“Rritje më e madhe ekonomike mund të arrihet vetëm përmes një strategjie nacionale për zhvillimin e sektorit privat në bashkëpunim me të gjithë faktorët në shoqëri, me qëllim të krijimit të stabilitetit afatgjatë ekonomik dhe prosperitetit për gjeneratat e ardhshme. Të gjithë faktorët politik domosdo duhet në mënyrë të vazhdueshme të përkrahin masat e propozuara nga komuniteti i biznesit, sidomos për ndryshimin e legjislacionit që janë kryesore për rritjen ekonomike”, thotë kryetarja e kësaj Ede, Daniella Arsovska.

 

Sipas saj, biznesit i nevojitet ambient stabil politik që të mund të realizohen projektet investuese me garanci për investimet si pasqyrë e sigurisë juridike, ndërsa për biznesin – një problem i madh paraqesin edhe ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe ekonomia informale.

 

Nga ana tjetër, të enjten – kryeministri Zoran Zaev, theksoi se ekzistojnë mundësi reale që deri në fund të mandatit të rritet paga mesatare në Maqedoni në vlerën prej 500 euro, i mbështetur edhe nga vazhdimi i trendit në vitin 2019 të punësimeve në sektorin privat dhe i përkrahur edhe nga masat qeveritare.

 

“Vitin e kaluar e përfunduam me pagë mesatare prej 24 mijë denarë apo 400 euro. Mund të paralajmëroj se në mënyrë shtesë do të miratojmë vendimin për rritjen e pagës minimale, për shkak se me rritjen e saj filloi edhe spiralja e rritjes së pagës mesatare që zgjati deri në muajin shtator, dhe vazhdoi edhe më tej”, shtoi Zaev. Sipas tij, në favor të rritjes së pagave do të jenë edhe trajnimet e njerëzve të ri, garancia e të rinjve si dhe masat aktive për punësim.

 

“Nëse arrijmë të rikualifikojmë dhe përgatisim një numër më të madh të fuqisë punëtore për nevojat e tregut të punës, besoj se do të dinamizojmë rritjen e pagave”, shtoi më tej ai.

 

Sipas Zaevit, mbetet edhe përcaktimi i Qeverisë për rritjen e përkrahjes për investitorët vendor dhe të huaj me buxhet për 40 për qind më të lartë në raport me rebalancin e vitit 2018, ndërsa rritja ekonomike do të përkrahet edhe më shumë masa të tjera siç janë edhe projektet e ndryshme infrastrukturore.

 

PAGAT MESATARE NË RAJON, KATËR HERË MË TË VOGLA SE EVROPA

 

Sipas të dhënave të fundit të Entit të Statistikës së Kosovës, të publikuar së fundmi, në vitin 2018, paga mesatare neto në Kosovë në sektorin publik ishte 474 euro, ndërsa në sektorin privat ishte 348 euro. Në Shqipëri, sipas statistikave zyrtare, paga mesatare mujore arriti në 50.392 lekë apo afër 408 euro në prill-qershor 2018 nga 49.150 lekë që ishte në të njëjtin tremujor të 2017.

 

Paga mesatare në Kroaci është 6206 kuna apo afër 840 euro, në Greqi është 917 euro, ndërsa në Slloveni është 1062 euro. Nga shtetet e tjera fqinje, Bullgaria ka pagë mesatare prej 550 euro, Rumunia prej 583 euro, ndërsa Hungaria prej 635 euro.

Sipas Agjencisë për Statistikave, paga mesatare mujore neto në Bosnje është 446 euro, ndërsa sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në tetor të vitit 2018 arriti në 49.910 dinarë apo 421 euro. Pas Serbisë pason Mali i Zi me pagë mesatare 510 euro. Vlen të theksohet se pagat e ulëta të shteteve të rajonit që në mesatare janë 400 deri 500 euro, në mesatare janë për së paku katër herë më të ulëta në raport me shtetet më të pasura evropiane. Në Luksemburg, paga neto mesatar është 3159 euro, në Gjermani është 2270 euro, në Itali është 1758 euro, në Austri është 2324 euro, në Francë është 2225 euro, në Danimarkë është 3270 euro dhe në Britani të Madhe është 1990 euro.

© ZHURNAL 05.01.2019, 16:26 | T.E. | 2,141 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."