Vazhdimi i protestave tani është vullnet opozitar
opinion
Vazhdimi i protestave tani është vullnet opozitar

Vazhdimi i protestave tani është vullnet opozitar

Nga Mero Baze

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u ka bërë thirrje sot studentëve dhe nxënësve, t’i bashkohen protestës kundër qeverisë në emër të një lëvizje politike kundër saj.

Në një takim me gjimnazistë, ajo kërkoi bashkimin e studentëve me opozitën për të fituar betejën me qeverinë, duke injoruar paketën ligjore të qeverisë për ndryshime në Universitet.

Thirrja e Kryemadhit është një moment i ri qartësimi i protestës studentore, pasi është marrja përsipër e saj nga opozita zyrtare në vend, dhe në këtë aspekt është një qëndrim më i qartë se sa përpjekja për të qëndruar në distancë pas protestës, duke paguar 20 aktivistë dhe duke çuar batanije në Bulevard.

Përfshirja e opozitës zyrtare në kauzën e studentëve, e kthen protestën studentore në një opsion politik të opozitës, jo për të ardhmen e arsimit, por për qeverisjen në përgjithësi, dhe kjo është një gjë më pozitive, pasi të dy palët, qeveria dhe opozita, mund të maten politikisht në këtë çështje.

Të njëjtën gjë opozita duket se po përpiqet të bëjë dhe me protestën e Astirit. Deputeti dezhurn i saj, që bllokon çdo mbasdite nga një orë rrugën tek “Unaza e Re”, duke bërë me dhimbje koke gjithë Tiranën, po ashtu ka shpallur si objektiv të atyre 30 protestuesve që ndezin gomat aty, përmbysjen e qeverisë.

Në një farë mënyre, gjithë vatrat e protestave të nisura nga probleme sociale në muajin dhjetor, siç ishte ajo e “Unazës së Re” dhe e studentëve, tashmë janë nën patronazhin e opozitës, duke u kthyer në kauza të saj.

Tani qeveria i ka dhënë rrugëzgjidhjet për të dy protestat, për ata njerëz që nuk kanë objektiva të jenë opozitarë apo pushtetarë, por të zgjidhin problemet e tyre. Për banorët që u prishen banesat do ketë dëmshpërblim 100 për 100, dhe për ata që nuk kanë letra, banesa sociale me qira të paguar tre vjet, ndërsa për studentët u miratua një paketë e gjerë ndryshimesh, që tejkalojnë në disa pika dhe kërkesat e studentëve.

Vazhdimi i mëtejshëm i betejës nuk është më problem social, por problem politik i opozitës, e cila, siç dhe e mori përsipër, do të përpiqet të mbajë ndezur vatrat e protestës.

Dhe kjo është gjë e mirë, pasi e di kë ke në rrugë. Në këtë pike, beteja bëhet më e ndershme. Tani përballë njëri- tjetrit janë opozita dhe qeveria, dhe meqë opozita ka zaptuar protestat dhe i ka kthyer në pronë të saj, shumica në pushtet po ashtu duhet të flasë politikisht për këto protesta.

Tashmë në Universitet nuk mundet që këshillat studentore të zaptuara nga LRI e FRPD, të quhen legjitime, dhe qëndrimet e studentëve që nuk janë në LSI apo PD, të quhen tradhtarë dhe të linçohen nga një frymë konsomolasish. Socialistët duhet t’u dalin zot studentëve që nuk mendojnë si Forumi Rinor i LSI, apo PD, meqë këto dy parti morën zyrtarisht përsipër protestën në Universitet. Po ashtu, duhet t’u dalin zot prindërve që duan që fëmijët e tyre të shkojnë në mësim dhe të japin provimet.

Linçuesit e studentëve me zinxhira në dorë në emër të opozitës, nuk duhet të trajtohen si përfaqësues të vullnetit të studentëve, por si përfaqësues të vullnetit të opozitës.

Studentët që janë dakord me ndryshimet dhe trupat pedagogjike, duhet të bëjnë diferencën dhe t’i përgjigjen politikisht gjendjes në Universitet, nëse ata janë me opsionin e opozitës, apo qeverisë.

E njëjta gjë po ndodh tek “Unaza e Re”, ku shumë banorë po pranojnë projektin e qeverisë dhe po zhvendosen në banesa sociale, dhe po marrin dëshpërblimin.

Kryeministri u angazhua në një debat të vështirë me studentët, duke ballafaquar problemet me ta, por rruga e reformimit të Universitetit do të jetë e gjatë, e vështirë dhe përtej disa mandateve pushteti.

Krimi që është bërë ndaj Universitetit në Shqipëri e ka zanafillën nga viti 2005, nga masivizimi i Universitetit dhe krijimi i fabrikave të diplomave, që ka prodhuar një genocid kulturor në vend dhe një brez të tërë të keqkuptuar, si me shkollë të lartë.

Rruga e duhur do të ishte një “Pakt Kombëtar për Arsimin e Lartë”, që situata të mos degradonte dhe Universiteti të mos përdorej për politikë, por tashmë kjo gjë duket larg.

Atyre që refuzojnë paketën e qeverisë, po u del zot opozita. Pjesës tjetër duhet t’i dalë zot qeveria. Secili me fuqinë e vet, për ta shpëtuar Universitetin nga kthimi në viagër për impotencën e opozitës.

© ZHURNAL 04.01.2019, 20:59 | B.M. | 2,427 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Më të lexuar
 
Ziadin Sela "kryeministër" e Ali Ahmeti lider i opozitës, thotë anketa më e re ?!
Blerim Reka në vitin 2015 në Kongresin tematik të BDI-së: "Presidenti s'ka kompetenca dhe duhet të jetë konsensual"
Tërmet dridhë Maqedoninë e Veriut
Rexhepi-Zejd: Opozita shqiptare ka bërë dy mashtrime politike në zgjedhjet presidenciale
Ekskluzive: Siljanovska e VMRO-së qëndron në shtabin zgjedhor të Blerim Rekës në Çarshinë e Shkupit
BDI përsëri mposht Aleancën dhe Besën në Dibër
Editorial 79.915 vota, dështim apo sukses për Blerim Rekën, ASH-në e Lëvizjen Besa ?!
LIVE: Ali Ahmeti: Unë ofrova kandidat të përbashkët shqiptar, Ziadini dhe Bilalli e refuzuan me përbuzje
Spasovski: Humbën një kolegë të ndershëm