“Puna, burim i pasurisë kombëtare”!
opinion
“Puna, burim i pasurisë kombëtare”!

“Puna, burim i pasurisë kombëtare”!

Nga Jakup Krasniqi

Gjithë zhvillimet në vitet e fundit si edhe zhvillimet në vitin 2018 na tregojnë se elitat politike dhe intelektuale (nëse janë të tilla) duhet të na tregojnë urgjentisht se nga duhet të ecë kombi ynë se paku për dhjetë-njëzet vjetët e ardhshëm. Është për t’u habitur pse as 20 vjet pas luftës çlirimtare e tridhjetë vjet pas ndryshimeve “demokratike” (në Shqipëri), qeveritë tona nuk kanë arritur të hartojnë strategji kombëtare për zhvillimin ekonomik të së ardhmes (sidomos Kosova), mbi bazën e së cilës do të ndërtoheshin objektivat dhe strategjitë afatmesme të çështjeve më vitale të kombit. E njëjta gjendje është edhe sot në të dy shtetet shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë) dhe kjo është për të na ardhur keq, madje tepër keq. Kjo gjendje e ulët e zhvillimit dhe kjo paperspektivë e njerëzve për punë e siguri, për një jetë të dinjitetshme, janë tregues se vendet tona janë qeverisur nga kryeministra të padijshëm, së këndejmi mund të themi edhe të papërgjegjshëm, të rrethuar me “ekspertë” që nuk e kanë as idenë se çka është planifikimi dhe zhvillimi ekonomik. Në këtë gjendje po e mbyllim vitin 2018, i cili qe shpallur “Vit i Skënderbeut”, por as porositë e këtij të fundit nuk na ndihmuan, pasi nuk i studiuam si e sa duhet!

Krejt çështja është: A do të ndalet ky trend i shëmtuar i këtyre dy-tri dekadave të fundit, të cilat, veç grykësisë e lakmisë me bollëk, nuk sollën ndryshime të tjera pozitive. Të gjitha gjasat për ndryshime pozitive, e them me keqardhje, janë me pak shpresa. Sigurisht se faji nuk është vetëm yni (sidomos për ne në Kosovë), është edhe faji i atyre që në Kosovë administruan për gati dhjetë vjet. Pa dyshim që ky fakt nuk na liron nga përgjegjësia e mosdija, përse nuk i bëmë punët tona ashtu si duhej të bëheshin pas 17 shkurtit 2008? Fati i keq i vendit tonë qëndron në atë se liderët politikë, të luftës e paqësorët ishin tepër të padijshëm për të qeverisur, të paaftë për të marrë vendime të drejta për vendin, konfuzë për t’u marrë seriozisht me nevojat tokësore të qytetarëve që për një shekull kishin hequr të zitë e ullirit. Kudo ku ka munguar e mungon përgjegjësia tokësore për zhvillim ekonomik, punësim e mirëqenie shoqërore, progres, drejtësi e dije për njerëzit, shpresat mbesin në shikimin kah qielli, nga himnizimet jashtëtokësore që kurrë dhe askund nuk u kanë ofruar njerëzve nevoja tokësore, veç mashtrimit qiellor e zhgënjimit tokësor. Njerëzit e tillë që e zgjodhën rrugën e misionarëve shpirtërorë, ndërsa koha e nevojat tona qytetare janë për menaxherë tokësorë, se misionarët shpirtërorë popujve u kanë hipur mbi zverk gjatë shekujve të shkuar që fare nuk ua kanë nevojën në shekullin e ri. Është më shumë se e ditur se misionarët e cilësdo kohë i ka shoqëruar padituria e masave të gjera, ashtu si është edhe sot, ku shkollimi është bërë biznes vetëm për xhepa të matrapazëve me shkollë e të pashkollë, e të cilat biznese pastaj prodhojnë vetëm analfabetë potencialë me diploma universitare.

Edukimi dhe arsimi i brezit të ri

Çështja e edukimit dhe e arsimit të brezit të ri si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri lë për të dëshiruar shumë, me fjalë të tjera të rinjve (vajza e djem) qeveritë tona duhet t’u kushtojnë një vëmendje krejtësisht të ndryshme nga këto që i kemi parë gjatë 20-30 vjetëve të fundit. Shumë hulumtime, informata e zhvillime të fundit flasin se të rinjtë tanë kanë mangësi të shumta, sidomos në dije arsimore e edukim kombëtar. Shoqëria jonë, çdo mekanizëm i saj i edukimit dhe i arsimimit, sidomos në shkollat e të gjitha niveleve, e sidomos nivelin universitar, duhet të merren seriozisht me edukimin në përgjithësi dhe arsimimin me dije shkencore në veçanti, pasi pa arsim cilësor nuk ka ardhmëri dhe as zhvillim për kombin e shtetin. Dhe nuk ka e nuk do të ketë arsim cilësor, të planifikuar mirë e mirë për nevojat e vendit, aty ku nuk programohen mirë nevojat për edukim e arsim cilësor, aty ku nuk kërkohet dija për mësimdhënie e mësimnxënie, aty ku nuk ka matës për konkurrencë akademikësh e studiuesish e as aty ku pedagogët janë super njerëz në punëmarrje (me shumë vende pune)! Edukimi dhe arsimi në Shqipëri e Kosovë, si në sektorin publik e veçmas në atë privat në kolegje, është në kaos të madh. Nga ky kaos, kushdo mund të mendojë e arsyetojë si të dojë, por nuk mund të dilet lehtë pa vendime të drejta e që kërkojnë kohë për t’u realizuar.

Për të ardhur te ky përfundim më kanë ndihmuar shumë protestat studentore në Shqipëri që nesër mund të përsëriten edhe në Kosovë, pasi gjendja edhe në këtë sektor në të dyja vendet tona ngjasojnë si “veza me vezën”. Më kanë ndihmuar kërkesat e tyre të cilat nuk i shoh si kërkesa për edukim, arsim, studim e dije shkencore për zhvillim e progres që u duhen vendeve e kombit tonë. Nuk e kam asnjë dyshim, përgjegjësinë për gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë, e kanë të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr pas ndryshimeve të ndodhura në Shqipëri pas viteve ’90 në Kosovë, sidomos pas luftës çlirimtare (1999). Krejt çështja është si të dilet nga ky kaos i krijuar gjatë tri dekadave të fundit në arsimin shqiptar në përgjithësi? A mund të dilet me konstatimin e profesorit nga Tirana i cili thotë: “Kjo është një katastrofë universitare që po bëhet nga qeveria e sotme dhe që është bërë edhe nga qeveria e djeshme. Duke e bërë universitetin të papërballueshëm për shumicën e popullsisë, reformuesit do ta bëjnë arsimin e lartë privilegj të klasave elitare”. Pse unë e shikoj me mosbesim jo vetëm këtë thënie, por edhe kërkesat e studentëve? Sipas hulumtimit që bëra në internet, del se Shqipëria i ka: 14 universitete publike (shtatë universitete në Tiranë) e të tjerët që nga Shkodra gjer në Vlorë. Pastaj, Shqipëria i ka edhe 19 universitete (kolegje) private aktive, të pezulluara 12 e të mbyllura 18. Ndërsa të Kosovës, shtatë universitete publike, një Akademi për Siguri dhe Fakulteti i Studimeve Islame, të gjitha publike dhe 21 kolegje private. Këto janë shifra që dëshmojnë se arsimi i lartë nuk është privilegj vetëm i klasave elitare, kuptohet nëse Shqipëria e shqiptarët vërtet i kanë kaq shumë klasa elitare?! Nëse është kështu punët i paskemi më shumë se mirë! Bindja ime është se as Shqipëria e as Kosova nuk kanë nevojë për kaq shumë universitete publike sesa për ato private as nuk duhet folur, pasi ato mund të jenë biznese fitimprurëse, por jo kurrë universitete ku merren dije shkencore e profesionale. Në të dy vendet tona për disa vjet është dashur të punohet për rehabilitimin e të gjitha niveleve të edukimit e shkollimit, nga ai fillor e deri tek ai universitar. Nuk kam asnjë dyshim, kjo gjendje duhet të ndërpritet dhe sa më shpejt aq më mirë. Por, kush duhet ta bëjë dhe si duhet bërë që arsimi të jetë burim i dijeve për zhvillim e progres shoqëror?!

Me kërkesa rrugësh e dëshira studimi, pa kapacitete e mundësi studimi e ndryshimi, pa analiza të thella e planifikim të studiuar e analizuar gjithanëshmërisht, nuk vijnë ndryshimet që i duhen Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve në përgjithësi.

Për të ardhmen të flasim pa dorëza

E para gjë që duhet ta themi është: Kombi ynë gjatë këtyre tri dekadave të fundit a i ka krijuar kapacitetet e duhura politike, intelektuale, profesionale e kombëtare për të kaluar në një stad të ri zhvillimi dhe progresi shoqëror? Duhet ta themi, duke e parë integritetin e liderit politik, njerëzve të futur në politikë, të intelektualit, të pedagogut universitar, të shkencëtarit apo akademikut tonë, përgjegjësia e tyre, niveli i tyre është më shumë se dëshpëruese. Pak, shumë pak kemi parë guxim e veprim intelektual për ta ngritur zërin kundër dukurive të dëmshme që janë shfaqur në shoqëri, në institucione të shtetit, në arsimin publik, shëndetësinë publike dhe në mënyrën se si e kanë trajtuar pronën publike e kombëtare. Ndaj çdo gjeje të shëmtuar kemi qenë më shumë se të shkujdesur, e sidomos kemi qenë të papërgjegjshëm në përdorimin e votës personale për ndryshim në qeverisjen e vendit. Kemi shitur e na është vjedhur vota dhe jo vetëm që nuk kemi reaguar, por të tillët i kemi vlerësuar e vazhdojmë t’i vlerësojmë si njerëz të zotë?! Të zotë u themi atyre që na kanë vjedhur e ua kemi shitur të sotmen e të ardhmen e fëmijëve tanë?!

Sigurisht që faji vjen edhe nga e kaluara e parcializuar e kombit si dje ashtu edhe sot. Për të kaluarën edhe mund t’i akuzojmë të tjerët, sa i përket së sotmes, problemet i kemi brenda vetes sonë. Brenda vetes sonë jemi luaj, ndërsa jemi “pula të lagura” me të tjerët, e sidomos me ata që duhet të tregohemi luaj të vërtetë. Edhe para pak viteve kam thënë: “Ne, shqiptarët, edhe si të tërë jemi kaq pak e lëre më që parcializimi e copëzimi na kanë thërrmuar aq sa të mos i marrim këmbët, duke u përpëlitur drejt horizontit, drejt dritës në fund të tunelit që s’po e arrijmë dot. Me këtë copëzim që na “dhuroi” historia e kemi të pamundshme të mbajmë kaq shumë qeveritarë (politikanë) babëzittë e aparatçikë injorantë. Ne, shqiptarët, as nuk jemi sa gjermanët, as si gjermanët që mund t’i mbajmë dy e më shumë shtete. Ne edhe pse jemi kombi më i varfër në Evropë, Shqipëria dhe Kosova kanë secila në vete, dy kabinete qeveritare më të mëdha në Evropë”?! E shumëçka tjetër përcjellëse të panevojshme e megalomane, ashtu siç i kemi universitetet biznese publike e private! Ndërsa universitetet janë ambiente studimi për të diturit, për të marrë dije shkencore për zhvillimin e përparimin e kombit.

Nga e gjithë kjo që u tha, mund të përfundojmë se vetëm në Bashkimin e kombit shqiptar është zhvillimi ekonomik, është progresi, është siguria e shpëtimi ynë!

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Epoka e re”)

© ZHURNAL 04.01.2019, 20:49 | B.M. | 1,909 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."