Përqafimi i rrezikshëm i politikës
opinion
Përqafimi i rrezikshëm i politikës

Përqafimi i rrezikshëm i politikës

Nuk është përzierje në politikë ngritja e zërit ndaj padrejtësisë, heshtja përpara padrejtësisë është  qyqarllëk.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Para disa ditësh, gjatë vënies të gurthemelit të xhamisë së re në Opajë, thashë se të gjithë kemi qenë dëshmitarë se kishat në Maqedoni janë ndërtuar me ndihmën e shtetit kurse xhamitë përherë i kanë ngritur vetë besimtarët muslimanë dhe Bashkësia Islame.Dhe, thashë se një qëndrim të këtillë do t’a kundërshtojmë përherë sepse është diskriminues, sepse ai qëndrim një bashkëise fetare i bën favore në dëm të bashkësive të tjera, sepse, thjeshtë, është  qëndrim diskriminues. Poashtu thashë se politikat e këtilla të cilësdo garniturë pushtetare do i kundërshtojmë me ngulm deri sa të binden të gjithë besimtarët muslimanë të vendit se qasja e shtetit në këtë drejtim ka ndryshuar në të mirë.

Sidoqoftë, ka tridhjetë vjetë që po flas lidhur me këtë çështje dhe po e kundërshtoj qasjen selektive të shtetit ndaj bashkësive fetare, ka tridhjetë vjetë që Bashkësia Islame po kërkon për vehte dhe për besimtarët muslimanë trajtim të barabartë. Dhe, ka tridhjetë vjetë që po hasim në veshë të shurdhër e po shohim se shteti për një bashkësi fetare po e luan rolin e nënës dhe për një tjetër po bëhet njerkë.

Historia e raporteve shtet-bashkësi fetare regjistron forma të ndryshme në këtë nënqiell, por përherë ka pasur tendenca  për të identifikuar shtetin me një bashkësi të caktuar, tendencë kjo që ka qenë evidente dhe irituese. Në një situatë kur shteti e proklamon vehten për shtet laik në të cilin të gjitha bashkësitë fetare kanë pozitë të njejtë, janë për t’u çuditur përpjekjet që njëra bashkësi fetare të trajtohetj si më e barabartë nga të tjerat. Është për t’u çuditur nëse shteti përpiqet njërën fe t’a konsiderojë për fe shtetërore ndërsa ndaj të tjerave të sillet” brënda  principeve të tolerancës”.

Në këtë vazhdë, më duhet medoemos të përmend faktin se Bashkësia Islame e Maqedonisë ka qenë vazhdimisht e diskriminuar në procesin e denacionalizimit të pronave, pra të kthimit të vakfeve. Ne, poashtu, përherë kemi hequr të zinjtë e ullirit, sa nga pushteti qendror aq edhe nga ai lokal, për të siguruar një leje për ndërtimin e një xhamie. Shteti asnjëherë me asnjë metelik nuk ka kontribuar në ngritjen e një xhamie, ndërkohë që ka finansuar komplekse të tëra kishtare  e manastire.Pengesat e ndalesat janë shprehur bile edhe në drejtim të riparimit e të ringjalljes të xhamive shekullore të shpallura si monumente të trashëgimisë kulturore…

Duke qenë se Bashkësia Islame lufton për të ruajtur dinjitetin e pjesëtarëve të vetë si edhe për të drejta të barabarta përpara ligjit, unë asnjëherë nuk do hesht përpara diskriminimit, pa marrë parasysh a do më kritikojë dikush. Gjithmonë kur do shoh se janë të shkelura liritë dhe të drejtat e njërëzve, unë do reagoj, paçka që dikush do e vlerësoj një reagim të atillë si përzierje në punët e politikës. Nuk është përzierje në politikë ngritja e zërit ndaj padrejtësisë, heshtja përpara padrejtësisë është  qyqarllëk.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që në një shoqëri demokatike dhe pluraliste të definohet e të kuptohet drejtë raporti mes bashkësive fetare dhe bashkësive politike të cilat, anipse autonome në veprimtarinë e tyre, ato punojnë dhe ju drejtohen njerëzve të njejtë. Për këtë shkak këto bashkësi janë të detyruara të bashkëpunojnë, por gjithmonë mbi bazat e arsyes dhe mendjes së shëndoshë. Ky bashkëpunim e përjashton servilitetin duke pasur konsideratë për kohët dhe situatat në të cilat veprojnë. 

Dëshiroj të përkujtoj se politika e cila është shumë e rëndësihme në jetën e njeriut sepse i dikton zhvillimet shoqërore dhe  ekonomike në shoqëri, megjithatë është art i të mundshmes që qëndron mbi themelet e kompromisit dhe të marrëveshjeve, ajo nuk njeh miqësi të përhershme, ajo njeh interes. Duke i pasur të qarta të gjitha këto, as Bashkësia Islame nuk ka insistuar asnjëherë për miqësi e dashuri që mundë të rrënohen si kulla prej letre, ajo kërkon marrëveshje dhe kompromis  që nuk e dëmton askend, ajo kërkon bashkëpunim dinjitoz dhe barabarësi.

Pra,edhe unë, edhe Bashkësia Islame e Maqedonisë, duke i ikur përqafimit të rrezikshëm të  politikës, mbetemi me shpresë se pushteti aktual nuk do i përsëritë gabimet dhe qëndrimet diskrimuese të parardhësve të vetë . Ndërkohë, obligimet dhe detyrimet tona do vazhdojmë t’i kryejmë me përgjegjësinë maksimale.

© ZHURNAL 04.01.2019, 15:31 | Xh.I. | 8,868 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Më të lexuar
 
Ziadin Sela "kryeministër" e Ali Ahmeti lider i opozitës, thotë anketa më e re ?!
Blerim Reka në vitin 2015 në Kongresin tematik të BDI-së: "Presidenti s'ka kompetenca dhe duhet të jetë konsensual"
Tërmet dridhë Maqedoninë e Veriut
Rexhepi-Zejd: Opozita shqiptare ka bërë dy mashtrime politike në zgjedhjet presidenciale
Ekskluzive: Siljanovska e VMRO-së qëndron në shtabin zgjedhor të Blerim Rekës në Çarshinë e Shkupit
Editorial 79.915 vota, dështim apo sukses për Blerim Rekën, ASH-në e Lëvizjen Besa ?!
BDI përsëri mposht Aleancën dhe Besën në Dibër
LIVE: Ali Ahmeti: Unë ofrova kandidat të përbashkët shqiptar, Ziadini dhe Bilalli e refuzuan me përbuzje
Spasovski: Humbën një kolegë të ndershëm