Po për zgjedhje të parakohshme
opinion
Po për zgjedhje të parakohshme

Po për zgjedhje të parakohshme

Shkruan Prof. Elmi Aziri

Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut së fundmi po konsumon mjaft energjinë e opinionit duke u bërë tema kryesore mediatike. Trajtimi i kësaj teme vetëm nga këndi i pozicionit partiak vë në dilemë atributin kryesor që duhet të ketë politikani modern, përgjegjësinë. Vendimi për ballafaqim me sovranin nuk do të duhej të varej nga rejtingu momental partiak, sepse demokracia nuk egziston për partitë dhe politikanët, por për mundësinë që qytetarët të japin mesazhe për politikat dhe të marrin pjesë në vendime. Vendimi për zgjedhje duhet të buron nga gatishmëria e politikanit për të verifikuar pozicionet, bartja e përgjegjësisë për vendimet e marra, dhe revizioni i realizimit të premtimeve. Nga këto motive varet edhe kredibiliteti i relacioneve në mes politikanit dhe votuesve. Kredibiliteti është forca tërheqëse e votuesve që e bën me pushtet politikanin dhe i cili varet prej cilësisë së vendimeve. Politikani i përgjegjshëm në asnjë moment nuk i bishtëron testit të kredibilitetit. Andaj, vendimi për zgjedhje është çështje demokracie, përgjegjegjësie, morali politik dhe kurrsesi matematikë.

Politikanët e humbin kredibilitetin politik për shkak të mossuksesit në rrafshin politik. Kjo është pengesa kryesore dhe arsye reale e ikjes nga ballafaqimi me sovranin. Arsyetimet tjera në formën e konstruktivitetit politik dhe ndjeshmërisë së momentit janë frazeologji manipulative. Mungesa e suksesit dhe pesha e argumentit i frenon politikanët që të deklarohen për zgjedhje në këto momente në Maqedoninë e Veriut. Mos shkuarja në zgjedhje paraqet ngushtimin e përkohshëm të drejtës së qytetarëve për të vlersuar politikat e qeverisë.

Argumentet pro zgjedhjeve janë të shumtë dhe shumëfishë më të fuqishëm se zëri i zbehtë i eskponentëve që janë kundër tyre. Por vendimi për zgjedhje varet nga niveli i ndjeshmërisë, për argumentet tona ose dëshirës për të vazhduar me pushtet.

Që në fillim qeveria u krijua me difekt. U detyruan të bashkëjetojnë garnitura që prodhoi kriza të ndryshme me garniturën që ofronte shpresë për zgjidhjen e tyre. Dështuan së bashku. Dhe dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë, dëshmuan se bashkëjetesa me krimin e organizuar dhe korrupcionin ka kosto, askush nuk mbeti imun ndaj tyre edhe në këtë qeverisje. Premtimi kryesor i Kryeministrit ishte drejtësia. Drejtësia është suspenduar komplet. Politika e ka fjalën. Amnistohen persona të akuzuar për terrorizëm dhe të njëjtit shpërblehen me tendera milionësh. Personat kyç të sistemit të kaluar kriminel janë bërë faktor vendimtar për fatin tonë.

Dështimet më të mëdha ekonomike ndodhën vitin e kaluar, niveli më i ulët historik i investimeve kapitale. Reformat e paralajmëruara në skemat sociale i godasin drejtëpërdrejtë familjet shqiptare.Modeli i propozuar për regjistrimin e popullates, komplet antishqiptar. Këto janë vetëm disa argumente që kanë kompromituar komplet premtimet, qeverinë, Kryeministrin.

Në shoqëritë demokratike ndryshimet janë të thella, por jo në shkëmbim të vlerave. Ata nuk preken, përkundrazi ruhen me fanatizëm. Andaj, mendojmë se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri që të ndërpriten këto devijime shqetësuese.

© ZHURNAL 27.01.2019, 18:24 | T.E. | 1,616 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."