Ligji për gjuhët mund të mos dërgohet në Venecia
maqedonia
Ligji për gjuhët mund të mos dërgohet në Venecia

Ligji për gjuhët mund të mos dërgohet në Venecia

Shkup, 21 janar - Derisa profesoresha Tanja Karakamisheva ta përfaqësojë Maqedoninë në Komisionin e Venecias, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve mund edhe të mos dërgohet për mendim. Edhe në rast se Qeveria i referohet Venecias, BDI-ja pretendon që të mos dërgohet i gjithë ligji por vetëm dispozitat për banknotat, uniformat e ushtrisë dhe letrat me vlerë.

"Atëherë kishte një marrëveshje që këto nene të hiqen nga ligji që të mos rrezikohet dhe të bëhet lëndë i Gjykatës Kushtetuese dhe të dërgohen në Komisionon e Venecias. Kjo ka qenë marrëveshja edhe pse asaj kohë kishte insistime që të dërgohet i gjithë ligji. Në këto ditë kur duhet të diskutojmë se çfarë do të dërgohet në Venecia, unë personalisht mendoj se derisa zonja Karakamisheva është përfaqësuese e Maqedonisë në Venecia, ligji fare nuk duhet dërguar pasi që nuk mendojmë se do të ketë qasje objektive”, tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Grupi i punës i cili është formuar për të monitoruar dhe për t’i rekomanduar institucioneve zbatimin e ligjit, do të zgjerohet. Sipas Osmanit, në të do të përfshihen të gjitha subjektet politke, duke i bërë thirrje kështu edhe VMRO-DPMNE-së të merr pjesë aktive në këtë grup.

"Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Ohrit. 17 vite kemi pasur dallime në interpretimin e amendamentit 5 dhe pas 17 viteve debate është gjetur ky kompromis dhe është materializuar një Ligj për përdorimin e gjuhëve i cili është në vijë të Kushtetutës dhe në vijë të Marrëveshjes së Ohrit”, pohoi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane

VMRO-DPMNE-ja ndërkohë dërgoi në Gjykatën Kushtetuese nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët.

"Kontestojmë edhe procedurën edhe përmbajtjen e ligjit. Siç theksova edhe më herët, janë bërë shkelje gjatë sjelljes ss ëligjit sepse është sjell me shumicë të thjeshtë edhe pse përmban çështje të cilat kërkojnë votim prej 2/3. Gjithashtu bie në kundërshtim me amendamentin 5 të Kushtetutës sepse në të thuhet se në të gjithë Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si në nivel shtetëror ashtu edhe në nivel ndërkombëtar”, tha Igor Janushe, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Nismë për kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve kanë dërguar edhe ish anëtarët e VMRO-DPMNE-së. Ndërkohë, nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë duke e përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për dërgimin e Ligjit si dhe dispozitave të pa përfshira në të në Komisionin e Venecias.

© ZHURNAL 21.01.2019, 17:30 | Xh.I. | 5,165 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."