Gjuha shqipe në mes të populizmit maqedonas dhe triumfalizmit shqiptar
opinion
Gjuha shqipe në mes të populizmit maqedonas dhe triumfalizmit shqiptar

Gjuha shqipe në mes të populizmit maqedonas dhe triumfalizmit shqiptar

Edhe populistët maqedonas edhe triumfalistët shqiptarë është mire ta lënë rehat gjuhën shqipe, sepse alibia është shumë e kotë për të prodhuar krenari të paqena.    

 

Nga Emin AZEMI

Maqedonasit nuk kanë një nacionalizëm autentik, i cili do t’iu shërbente si infuzion për të përballuar situata të rënda shpirtërore. Ata nuk mundën ta mobilizojnë këtë nacionalizëm gjatë gjithë atyre mohimeve që iu erdhën nga Athina, Sofja e Beogradi dhe për pasojë mbetën të prodhojnë një surrogat nacionalizëm që u mundua të kompensojë të gjitha betejat e humbura nacionaliste me grekët, bullgarët e serbët.
Populistët maqedonas të cilët dalin të protestojnë për pakënaqësi që ata i quajnë kauza madhore politike e kombëtare,  do të ngelnin pa pupla nacionaliste sikur të mos përdornin si gogol shqiptarët. Gjuha shqipe për ata është problem madhor dhe mobilizimi duhet të ndodhë pikërisht tani kur ajo mori njëfarë statusi të avancuar, por jo të barabartë me maqedonishten. Këta populistë e harrojnë vetëm, një fakt se të mohosh gjuhën e një populli, automatikisht i bie që e mohon edhe ekzistencën  e atij populli. Se kjo është kështu ata vetë e kanë përjetuar në lëkurën e tyre të përcëlluar nga inferioriteti i skajshëm kundrejt mohuesve të identitetit maqedonas. Populistët maqedonas të veshur me guna ogiçësh të therur në pabesi, duan ta bindin popullatën e tyre se më e rrezikshme për qenien e tyre etnike është gjuha shqipe se çfarëdo lloj mohimi që iu vjen nga shtetet fqinjë, përjashto Kosovën dhe Shqipërinë.
Rezistenca kundrejt gjuhës shqipe nuk mund të shpjegohet thjesht nëse nuk analizohet fenomenologjia e inferioritetit që prodhohet në laboratorët e këtyre populistëve, por edhe të disa intelektualëve e gazetarëve maqedonas, të cilët kishim menduar se janë liberal (siç është rasti, bie fjala, me Mirjana Najçevskën).
Gjithë këta inferiorë të mbledhur nën flamurin e antishqiptarizmit e kanë lehtë të projektojnë kauza false për të fshehur kauzat e tyre të vërteta. Në një shtet me një përqindje kaq të madhe të shqiptarëve, pa të cilët nuk mundet të kryhet me sukses kurrfarë procesi politik, duket çmenduri përpjekja për të relativizuar rëndësinë që ka gjuha shqipe në komunikimin e një populli.
Lehtësia për të pranuar si rrezik këtë komunikim, pa hyrë shumë në thellësinë e problemit dhe paturpësia për ta shpallur gjuhën shqipe armik potencial të ekzistencës së qenies maqedonase, janë lajthitjet më të mëdha të kësaj tufe frymorësh që ekziston me iluzionin e rrejshëm të merimangës e cila kujton se mundet ta mbërthejë elefantin.
Shqiptarët në Maqedoni nuk janë miza as buburreca, prandaj nacionalizmi i shpifur maqedonas sa here që do të pretendojë se ka fuqinë ta gëlltis çështjen shqiptare, mund të përfundoj si një merimangë e shtrydhur.
Zgjimi i vonuar kombëtar maqedonas nuk është justifikim për t’u sjellë si një fëmijë i lazdruar. Në anën tjetër, as shqiptarët nuk kanë arsye të ndjehen triumfalist sa i përket ligjit të gjuhëve. Madje ka shumë që thuan se ky ligj nuk i përmbush të gjitha standardet e nevojshme për të qenë e barabartë me maqedonishten dhe sidomos karakteri statistikor që përmban në vetvete, e që në instancë të fundit nuk korrespondon me tendencën politike të shtetformësisë.
Edhe populistët maqedonas edhe triumfalistët shqiptarë është mire ta lënë rehat gjuhën shqipe, sepse alibia është shumë e kotë për të prodhuar krenari të paqena.

© ZHURNAL 21.01.2019, 00:44 | B.M. | 3,272 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."