U realizua edhe një ëndër
opinion
U realizua edhe një ëndër

U realizua edhe një ëndër

Shkruan h. Sulejman ef.Rexhepi

Fill pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, një gëzim dhe kënaqësi tjetër po përjeton populli ynë. Ëndra e kahmotshme, përpjekja jonë e vazhdueshme, synimi i gjeneratave dhe qëllimi gjithëpopullor u realizua. Gjuha shqipe prej sot u bë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Urime, urime, urime, e gëzofshim për jetë e mot të gjithë bashkë. Kjo gjuhë e lashtë, e ruajtur me dashuri e xhelozi dhe e kultivuar ndër shekuj edhe kur ishte e padrejtësuar dhe e ndaluar, u bë gjuhë zyrtare edhe në institucionet shtetërore.

Jam tejet i lumtur dhe i gëzuar që gjuha shqipe, përkundër vështirësive me të cilat u ballafaqua dhe përkundër pengesave e ndërkëmbëzave që ia bënë forcat destruktive politike që mjerisht akoma po frymojnë në Maqedoni, u zyrtarizua dhe me vete solli ndjenjën aq të dëshiruar shqiptare të barabarësisë së plotë.

Me këtë rast të cilin e konsideroj historik, në emrin tim personal dhe në emër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, e uroj popullin shqiptar për këtë të arritur të veçantë. Njëkohësisht, i uroj dhe i përgëzoj përfaqësuesit tanë politikë të cilët me mençuri dhe me këmbëngulje arritën t’a finalizojnë procesin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe.

Ky urim, kuptohet, i drejtohet edhe Qeverisë aktuale të Maqedonis që tregoi kapacitetin e vetë demokratik dhe orientimin eurointegrues, e vetëdijshme se barabarësia e njerëzve në këtë shtet mund të sjellë vetëm përparim të përgjithshëm dhe stabilitet.

Allahu xh. sh. qoftë përherë me popullin tonë. Gjuha shqipe le të lulëzojë brënda shoqërisë evopiane. Maqedonia si shtet i përbashkët i popujve që jetojnë në këtë nënqiell qoftë përherë shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit.

© ZHURNAL 15.01.2019, 13:01 | Xh.I. | 10,635 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."