Po shkundet Beogradi, serbët po gjunjëzojnë Vuçiçin
bota
Po shkundet Beogradi, serbët po gjunjëzojnë Vuçiçin

Po shkundet Beogradi, serbët po gjunjëzojnë Vuçiçin

Protestat e opozitës në Serbi kanë qenë relativisht të rralla në dekadën e shkuar, por ajri i acartë i janarit duket se po ushqen frymën e revoltës.

Që nga muaji i shkuar, me mijëra demonstrues janë mbledhur çdo të shtunë në rrugët e ngrira të Beogradit, duke shprehur zemërimin ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç, që e akuzojnë se po shtyp të drejtën e medias dhe po bën raprezalje mbi opozitën.

“I dashuri ynë Aleksandar Vuçiç! Ne po zemërohemi gjithnjë e më shumë. Unë dua t’iu them se po zemërohemi gjithnjë e më shumë dhe do të ketë gjithnjë e më shumë protestues në shesh. Mjaft me gënjeshtra, mjaft me vjedhje dhe dëgjoni atë që njerëzit po ju thonë”, tha Branislav Trifunoviç, aktor.

Këtë të shtunë, për të 6 herë radhazi, marshuesit do të ngrenë edhe një herë në duar flamujt dhe banderolat, në një shpalosje të madhe të pakënaqësisë ndaj sundimit gjithnjë e më të kritikuar të Vuçiçit.

“Diktator”, thërriste turma në një nga demonstrimet e fundit në kryeqytet. Disa dhjetëra njerëz mbanin ndërkohë në duar një tabelë gjigante, ku shkruhej “Mjaft me këmisha të përgjakura”, një referencë ndaj politikanit të opozitës, Borko Stefanoviç, që u gjakos pasi u sulmua nëntorin e kaluar.

Ishte ky incident, që ndezi edhe protestat e para. Sulmi u solli shumë serbëve në mendje incidentet e dhunshme mbi kundërshtarët politikë në vitet ’90, nën sundimin e Slobodan Milosheviçit.

© ZHURNAL 12.01.2019, 20:00 | T.E. | 10,666 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."