Reformat e administratës shtetërore shihen me skepticizëm
maqedonia
Reformat e administratës shtetërore shihen me skepticizëm

Reformat e administratës shtetërore shihen me skepticizëm

Shkup, 12 janar - Transferimi i punonjësve administrativ në sektorin privat parqet një proces vështirë të realizueshëm, thonë ekspertët në Maqedoni duke iu referuar planit të Qeverisë.

Qeveria e Maqedonisë përmes reformave në administratë synon të krijojë një administratë efikase ndërkohë që tepricën e administratorëve planifikon ta orientojë në kompanitë private.

Borce Davitkoski, i cili në cilësinë e ekspertit ka marrë pjesë gjatë hartimit të shumë strategjive kombëtare për reformimin e administratës shtetërore, thotë se sektori privat nuk ka interes të punësojë administratorë të cilët mospunën e kanë kultivuar si standard gjatë orarit të punës.

“Sektori real kërkon zejtarë të profileve të ndryshme sic është, bravar, zdrukthtar, elektricist, e të tjerë, nuk kërkon administrator. Të punësuarit në administratë nuk janë mjeshtër në profile të caktuara që kërkohen në tregun e punës”, thotë Davitkoski.

Ndërkohë nga Ministria e Shoqërisë informative kanë theksuar se në pjesën e dytë të këtij viti do të bëhet riorganizim i administratës shtetërore dhe publike.

Pjesa më e madhe e riorganizimit është paraparë të përfundojë në fillim të vitit 2020, derisa pjesa tjetër pritet të përfundojë në vitin 2021.

“Të gjithë ata që janë tepricë në institucione të caktuara apo ato institucione që do të shfuqizohen në procesin e reformave, ata kuptohet se do të kenë trajnim të caktuar me mbështetjen e Qeverisë që të jenë të gatshëm të pranohen në sektorin privat, ky është synimi jonë, është proces që pritet të fillojë dhe do të bëjmë racionalizim të administratës, pa humbur dikush vendin e punës”, ka deklaruar për mediat brenda kësaj jave kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Por, sektori i biznesit sheh me skepticizëm këtë veprim.

“Biznesi e sheh me një skepticizëm këtë ide të Qeverisë përderisa akoma nuk kemi të dhëna se çfarë kuadrosh disponojnë institucionet e shtetit të cilët paraqiten si tepricë".

"Njëherësh kemi të bëjmë dhe me mentalitetin sepse është një mentalitet krejtësisht ndryshe të punuarit në sektorin privat ku ka një dinamikë pune e orientuar kah rezultatet përderisa puna në administratë është e orientuar kah proceset”, thotë Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Ai shton se biznesi megjithatë mbetet i hapur të diskutojë në këtë drejtim nëse krijohet një strategji funksionale.

“Sektori i biznesit është i hapur të diskutojë në këtë temë me Qeverinë .Dhe vetëm pasi të kemi një analizë gjithëpërfshirëse se cilat kuadro mund t'i ofrojë Qeveria do të vendoset se a mund t'i pranojë ato”, thotë Iseni.

Ndërkaq, Goran Rafajllovski, ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se pasi të bëhet një analizë e mirëfilltë se cili është numri i administratorëve që paraqitet si tepricë teknologjike në institucionet e shtetit, të investohet në rikualifikimin e të njëjtëve që në sektorin privat ata të mund të sigurojnë paga më të larta, në të kundërtën asnjë administrator nuk do të pranoj të kalojë në sektorin privat dhe ky proces shton ai, do të jetë shumë i dhimbshëm.

“Që të punësuarit nga administrata shtëtërore të kalojnë në sektorin privat fillimisht duhet të kualifikohen. E para, sepse sektorit privat i duhen punëtorë të kualifikuar në lëmi të caktuara dhe e dyta që ata si të tillë të mund të sigurojnë paga më të larta. Sektorit privat shumë pak ka nevojë për administratorë që do të punojnë në kompanitë private”, thotë Rafajllovski.

Rafajllovski vlerëson se në një situatë të tillë shteti duhet të jetë garant për kreditë për afaristët që do të hapin vende të reja të punës.

© ZHURNAL 12.01.2019, 16:00 | T.E. | 3,598 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."